English

Kapen 3 kg marijuanë në kufi, policia shqiptare e greke në ndjekje të 18 vjeçarit

Kakavijë, 5 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një 18 vjeçar është shpallur në kërkim duke përfshirë për kapjen e tij krahas policisë shqiptare edhe atë greke. Kjo pasi policia kufitare ka bërë të mundur gjatë mesditës së sotme gjetjen dhe sekuestrimin e 3 kilogramëve marijuanë, ku i riu Aleks Paja mendohet të jetë zotërues i saj. Sasia e drogës u bllokua në Pikën e Kalimit Kufitar në Kakavijë, ku shërbimet e policisë që kryejnë shërbim në këtë pikë, gjatë një kontrolli të ushtruar në një nga autobuzët e linjës ndërkombëtare Tiranë -Athinë , në bagazhin e autobuzit , në një çantë valixhe, poshtë rrobave personale kanë konstatuar një qese plasmasi në të cilën kishte dy pako të mbështjella me letër natriban, në formën e rrumbullakët ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si Mariuanë. Burime zyrtare nga policia thonë për agjencinë e lajmeve NOA se, personi që posedonte çantën sapo ka parë që policia kufitare ka konstatuar lëndën narkotike, ka zbritur menjëherë nga autobuzi dhe duke u përzier me turmën e emigrantëve, është larguar me vrap, duke kapërcyer rrethimin e doganës dhe është futur në pyllin e Katundës mbi fshatin Kakavijë. Ndërkaq në ndihmë të policisë kufitare për kapjen e autorit erdhën edhe forca të tjera ndihmëse, por operacioni për kapjen e tij po vijon ende, pavarësisht rrethimit të zonës dhe krehjes së pyllit. Nga ana e policisë së Gjirokastrës janë ngritur edhe postblloqe për të bërë të mundur kontrollin e çdo automjeti me qëllim bllokimin dhe kapjen e autorit i cili mund të përfitojë nga terreni mjaft i vështirë dhe të largohet me automjete të rastit. Mësohet se pas mbërritjes së grupit hetimor është konstatuar se në çanta valixhe i përket shtetasit Aleks Paja, 18 vjeç lindur dhe banues në Lisaj të Elbasanit, por që ishte emigrant në Athinë. Sasia e drogës e gjetur rreth orës 14.40 ishte mbuluar me rrobat personale të tij, ku ndodheshin dy pako, të mbështjella me letër natriban , në formën e rrumbullakët, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike marijuanë, me peshë të ndryshme, por në total 3 kilogramë. Në bashkëpunim edhe me Specialistët e Sektorit Operacional në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit është bërë dokumentimi me prova ligjore i autorësisë së kësaj vepre penale, dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë shpallja në kërkim e 18 vjeçarit Paja. Ndërsa lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, por ende vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit, ku është njoftuar edhe Policia Greke, pasi mendohet se autori mund të kalojë në tokën greke. Materialet lidhur me këtë ngjarje pritet ti kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet, për veprën penale të “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. a.y/NOA

KOMENTE