Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Wikileaks, 21 janari, Amerika etj
English

Wikileaks, 21 janari, Amerika etj

Nga Preç Zogaj

Për çfarë i vlejnë Uashingtonit këto kabllograme? Përgjigja është ajo e vjetra, që ka lindur bashkë me shërbimin diplomatik: për t’u njohur me ngjarjet dhe zhvillimet shqiptare, me figurat politike, institucionale, mediatike dhe intelektuale të vendit, me politikat e qeverisë, me qëndrimet e opozitës, e tjerë. Dhe për të krijuar mbi këtë bazë pikëpamjet dhe qëndrimet e qeverisë amerikane ndaj një vendi mik dhe alet si Shqipëria.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë merr pjesë në krijimin e politikës amerikane për Shqipërinë përmes informacioneve dhe analizave që përcjell në qendër. Nga ana tjetër ambasada e ekzekuton ketë politikë në Shqipëri. Për shkak të marrëdhënieve prioritare dhe strategjike që kemi me SHBA si superfuqi botërore, kuptohet se roli i ambasadës amerikane në Tiranë është i një rëndësie të dorës së parë për gjithë trendin e zhvillimeve demokratike në vendin tonë.

Është një naivitet shumë i madh, më e pakta, t’i konsiderosh kabllogramet e ambasadës me nënvlerësim dhe përbuzje si pasqyrë e shtypit shqiptar, siç bëri pardje zoti Berisha. Në ato kabllograme shohim të ketë edhe citime nga shtypi i përditshëm shqiptar. Në dallim nga zoti Berisha dhe gjithë frota e kleptokratëve që qeverisin sot Shqipërinë, amerikanët i japin një rëndësi shumë madhe shtypit. Sidomos shtypit të pavarur apo opozitar me qeverinë, që është më i interesuari të zbulojë dhe raportojë të vërtetën.

Shtypi në SHBA dhe në çdo vend demokratik perëndimor është pushtet i pavarur. Një zyrtari amerikan apo europian nuk i shkon në mendje ta përdorë termin “pasqyrë shtypi” si një fyerje, si një shpërfillje, si një alibi. Berisha e bën sepse nuk e njeh në parim pavarësinë e shtypit të lirë. E bën për të shumëzuar me zero kabllogramet e ambasadës dhe për të fyer ish ambasadorin Widhers. Duke fyer e paditur vetveten në të vërtetë.

Kabllogramet, siç po i shohim të gjithë, nuk janë thjesht citime nga shtypi vendas. Citimet nga shtypi zënë një vend të vogël në krahasim me burimet e tjera të informimit, që shpeshherë citohen si “burimet tona”. Ka edhe kabllograme të mbështetura në informacione, gjeste dhe opinione individësh që kanë kërkuar takime apo janë thirrur në takime në ambasadë. Këto tre burime- shtypi, individë dhe “burimet tona”- nuk mund të futen në një thes. Citimet e shtypit, për shembull, ndërsa fitojnë një vlerë të shtuar duke u përfshirë në korrespondencën e ambasadës, nuk sjellin ndonjë befasi për publikun, sepse janë botuar.

Edhe opinionet, rrëfimet, sekretet apo ankesat e zyrtarëve që janë pritur në ambasadë, pavarësisht shijes që le dekonspirimi i një bisede të mbyllur, nuk se kanë plasur ndonjë bombë që nuk dihej apo nuk merrej me mend. Kastriot Islami, për shembull, i ka bërë publike ato që citohet të ketë thënë në ambasadë. Gjergj Bojaxhiu nuk e ka bërë publike në media, por as sekret nuk e ka mbajtur mendimin se Berisha mund të largohet vetëm duke humbur zgjedhjet. I veçantë është rrëfimi i ish-shefit të shtabit të Përgjithshëm , Luan Hoxha, për kërkesën që i ka bërë djali i Berishës, Shkëlzeni për furnizimin me fishekë të fabrikës së Gërdecit pasi kishte përfunduar kontrata e parë me kompaninë amerikane SAC dhe padronët e maskuar shqiptarë po e punonin tashmë për vete fabrikën e vdekjes.

Ky rrëfim ngre një problem të madh etik dhe moral për integritetin e atyre zyrtarëve që kanë frikë të përballen dhe nuk sakrifikojnë dot asgjë për detyrën, të vërtetën dhe atdheun. Por edhe në këtë rast duhet të kemi mirëkuptimin për t’i shfajësuar të gjithë ata që venë dhe hapin zemrën në ambasadën amerikane. Zakoni i hapjes së zemrës në ambasadat e huaja është i vjetër në Shqipëri. Por këta shqiptarë që venë dhe deklarojnë një opinion, një intimitet apo kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje në ambasadën amerikane janë për herë të parë prej njëqind vjetësh në ambasadën e duhur. Interesat e Shqipërisë nuk mund të shiten nga askush në SHBA. Interesat themelore të Shqipërisë përputhen me ato të SHBA-së.

Dhe ja ku erdhëm të burimi i tretë i kabllogrameve, që dallon kryekëput nga dy burimet e tjera. Të reja dhe të panjohura për publikun, kabllogramet me bazë “burimet tona” janë ato që kanë të bëjnë me krimin, me drogën,me korrupsionin, me ryshfetin, me vjedhjen e zgjedhjeve, me zhvillimet në kulisat e politikës dhe institucioneve, me prapavijën e nismave të caktuara ligjore, siç janë për shembull amendamentet për ligjin e SHISH-it, e tjerë.

Stuhia e Wikileaks për Shqipërinë frynë para së gjithash në këtë sferë të jetës politike dhe shoqërore shqiptare. Politikanët që kanë marrë fjalën për të përgënjeshtruar këto kabllograme e dinë ku fryn stuhia. Ata kanë gjetur mënyrën më të gabuar për të dalë të larë duke i konsideruar ato thashetheme rrugësh. Pra, duke injoruar pa asnjë perspektivë sistemin amerikan të informimit, që padyshim ka skarcitetet e veta, që mund të dallohen edhe në ndonjë kabllogram për Shqipërinë, por në tërësi njihet për një seriozitet të shkallës së parë.

Nuk ka dyshim se me kapjen dhe publikimin e parakohshëm të kabllogrameve sekrete Wikileaks i ka hapur punë SHBA-së. Por nuk e ka dëmtuar imazhin e diplomacisë amerikane, siç dëgjojmë të thuhet lart e poshtë. Së paku në rastin shqiptar jo e jo. Në komunikimin e mbyllur të ambasadës amerikane në Tiranë me Departamentin e Shtetit shohim në përgjithësi Amerikën që kemi në mendje. Madje nganjëherë një Amerikë edhe më të mirë se ajo që shohim në komunikimin e hapur.

Çështjet e raportuara janë të rëndësishme dhe shumë të rëndësishme. Nuk ka çikërrima, vogëlsira dhe meskinitete, nga ato që, sipas shkrimtarit Ivo Andriç, u ngjitën si flamë diplomatëve të mërzitur të provincave. Përzgjedhjen dhe seleksionimin e çështjeve që raportohen e përcakton gama e angazhimeve demokratike të SHBA-së në një vend aleat dhe mik si Shqipëria. Deri edhe stili i kultivuar i të shkruarit është i tillë që nderon detyrën që kryejnë dhe vendin ku shërbejnë këta diplomatë.

Shihet se këto kabllograme do të deklasifikohen zakonisht pas dhjetë vjetësh nga dita e dërgimit. Pra nuk janë sekrete të dorës së parë. E përsërisim. Ato zbulojnë një diplomaci serioze dhe të përkushtuar. Në vetvete, për një qytetar shqiptar, ky fakt prodhon më shumë siguri se sa shqetësim. Hyjnesha mbrojtëse i mban sytë hapur mbi fatin tonë. Por ka një shqetësim edhe nga këndshikimi ynë i problemit. Shqetësimi lidhet me pyetjen: Pse i mban SHBA këto informacione? E nënvizuam më lart se në princip SHBA i merr dhe i përpunon këto informacione për të krijuar dhe ushqyer politikën e saj ndaj Shqipërisë.

Rasti ilustrues me tipik i kësaj që themi është kabllogrami mbi amendamentet e SHISH-it. Ambasada nuk mjaftohet me raportimin e amendamenteve, por shkon në thelbin e qëllimit pse po bëhen. “Qëllimi i ligjit është që të kufizojë përgjegjësinë e inteligjencës së huaj në SHISH”, shkruhet në kabllogram. Në rrafshin shqiptar, amendamentet në SHISH riciklonin frikën e përdorimit të shërbimeve sekrete nga Berisha për qëllime ngushtësisht politike si në periudhën 1992-1996. Në rrafshin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO amendamentet ishin akoma më të papranueshme sepse, siç del nga kabllogrami, kufizonin akesin e shërbimeve të tjera në kuadrin e strukturave të përbashkëta të sigurisë.

Amerikanët dhe NATO-ja e ndaluan kalimin e këtyre amendamenteve. Por Uashingtoni nuk ka reaguar njëlloj, me të njëjtën vendosmëri, në lidhje me kabllogramet që flasin për vjedhjen e votave në zgjedhjet e vitit 2009, për tragjedinë e Gërdecit apo për aferat e tjera korruptive gjigandeske si ai me tunelin e Kalimashit. Justifikimi mund të jetë se nëse në rastin e ligjit të SHISH prekej një interes i drejtpërdrejtë amerikan, në rastet e tjera, Uashingtoni është mjaftuar me ngritjen e shqetësimit, por nuk ka dashur të hyjë në punë e institucioneve dhe drejtësisë shqiptare. Një justifikim si ky do të ishte me shqetësues se ndonjë tjetër që mund të jepej. Demokracia është interes universal, perëndimor, amerikan dhe shqiptar, pa dyshim. Shqiptarët presin gjithnjë shumë nga SHBA. Edhe pse nuk kanë dashur e nuk duan asnjëherë ta teprojnë.

Shqetësimi në fjalë bëhet akoma më i madh me zhvillimet që përgatiten dhe pasuan ngjarjet e 21 janarit, 2011. Populli opozitar demonstroi si asnjëherë tjetër kundër korrupsionit që ka bërë pasanikë të frikshëm në një popull të varfër. Një pakicë demonstruesish shfrynë akumulimin e padrejtësisë dhe varfërisë. Qeveria me Gardën e saj shtinë me armë zjarri mbi popullin. Vranë katër baballarë dhe plagosen dhjetëra të tjerë. Atë natë dhe të nesërmen ndodhi e paimagjinueshmja në një shtet demokratik.

Kryeministri Berisha ndaloi hetimin e oficerëve të Gardës nga Prokuroria. Ai është momenti që shënon degradimin e zbardhjes së vrasjeve të 21 janarit. Berisha e ndërmori ketë akt, duke shfrytëzuar ndër të tjera qëndrimet e ambasadorit amerikan në Tiranë. Më kot ka mëtuar i nderuari Arviziu të inkurajojë prokurorinë, ndërsa kishte inkurajuar më parë Kryeministrin.

Po të kishte lexuar më vëmendje gjithë çfarë kishin shkruar për Shqipërinë paraardhësit e tij ndoshta do të kishte një ide më të qartë se një qasje si e tij, parimore në pamjen e jashtme, inkurajon vetëm të akuzuarit dhe jo akuzuesit, pra ishte në dëm të hetimit. U desh të vinin zgjedhjet e 8 majit që i nderuari Arviziu dhe amerikanet e tjerë “të rinj” të rikthenin në Shqipëri Amerikën e principeve. Principe të cilat publiku shqiptar dëshiron gjithnjë të jenë jo thjesht kabllograme, por politikë aktive e Uashingtonit për Shqipërinë.

Gazeta "Shekulli"

KOMENTE