Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Domatja e shtrenjtë e Vetëvendosjes
English

Domatja e shtrenjtë e Vetëvendosjes

Nga Armand Shkullaku Lëvizja “Vetëvendosje” vendosi të përdorë edhe domatet për të kundërshtuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Kjo perime, bazë në sallatat e famshme të fqinjëve tanë ortodoksë, e cila u derdh me shumicë mbi makinën e zëvendëskryeministres Edita Tahiri ndërsa kthehej nga Brukseli pas bisedimeve të radhës me Borko Stefanoviçin, u shndërrua në simbolikën e radhës të aktivistëve të VV. Lëvizja e Albin Kurtit, me sa duket, po kërkon t’i qëndrojë besnike premtimit të bërë pas shndërrimit në forcë politike parlamentare se ajo asnjëherë nuk do të heqë dorë nga protestat dhe veprimtaria në rrugë e sheshe. E frustruar nga ideja se mbështetësit e shumtë mund të zhgënjeheshin duke i parë liderët e tyre të ulur në të njëjtin vend me ata që aq shumë i kanë anatemuar, “Vetëvendosje” është kujdesur vazhdimisht të dëshmojë se nuk i ka tradhtuar mjetet dhe metodat me të cilat mori famë. Duke e ditur se forca e saj ka qenë vazhdimisht aksioni dhe duke u druajtur se pjesëmarrja në institucione mund ta ftohë elektoratin e saj, “Vetëvendosje” e ka mbajtur një këmbë në Kuvend dhe një tjetër në rrugë. Në këtë këndvështrim, disa prej protestave apo aksioneve të saj duken më shumë si akte për të dëshmuar vazhdimësinë, sesa një veprimtari e menduar dhe e koordinuar mirë me luftën parlamentare. Duke dashur t’i mbetet besnike premtimit të bërë, lëvizja e Albin Kurtit rrezikon të ndërmarrë veprime për hir të veprimit dhe jo në harmoni me një strategji politike të përcaktuar qartë. Me këtë ndoshta shpjegohet edhe fakti se përse disa aksione të fundit të “Vetëvendosjes” nuk kanë pasur efektin, entuziazmin dhe përkrahjen e dikurshme. Protesta e domateve në Aeroportin e Prishtinës ishte një protestë normale dhe demokratike. Madje, ndërhyrja e policisë nuk qe aspak proporcionale dhe degjeneroi në dhunë që patjetër duhet hetuar e dënuar. Për më tepër që forcat e rendit ndaluan edhe dy anëtare të Kuvendit të Kosovës. E tillë ishte dhe përgjigjja e qeverisë, e stilit enverist, që fliste për vandalë e huliganë. E megjithatë, aksioni i VV në vetvete nuk ishte diçka e qëlluar. Të gjithë e kanë të qartë se çështja e dialogut me Serbinë është më shumë pjesë e luftës politike parlamentare, sesa e sulmeve me domate. Lëvizja e Albin Kurtit e ka projektuar këtë aksion si dëshmi të vazhdimësisë, dhe jo si mundësi reale për të rritur presionin që dialogu të ndalet. Përkundrazi, në komentet e shumë lexuesve, nisur edhe nga simbolika shqiptare për figurën e gruas, kryenegociatorja Tahiri u pa si një lloj viktime përballë djelmoshave që rrethuan makinën e saj. E njëjta gjë pati ndodhur edhe kur mbi rektorin e Universitetit të Prishtinës u derdh publikisht bojë e kuqe nga dy aktivistë të VV. Mujë Rugova, i kontestuar për aftësitë e tij profesionale dhe i sponsorizuar nga PDK për të qenë në krye të Universitetit, u shndërrua dhe ai në viktimë për shkak të mënyrës së pamenduar me të cilën u veprua ndaj tij. Mosha e thyer përballë agresivitetit të dy të rinjve bëri që edhe shumë komentatorë me emër ta dënonin veprimin e VV. Edhe në këtë rast, Lëvizja ka qenë më shumë e interesuar të reklamojë se i qëndron premtimit të saj, sesa të mendojë pasojat e veprimit. VV mund të ndërmerrte iniciativa parlamentare për të ndryshuar gjendjen në Universitet, mund edhe të organizonte studentët, nëse gëzon përkrahje, në një grevë derisa rektori të largohej, por ajo zgjodhi bojën dhe Mujë Rugova është ende rektor. Edhe protesta kundër vizitës së Borko Stefanoviçit në Prishtinë e ndau opinionin në Kosovë në raport me Lëvizjen e Kurtit. Qëndrimi kundër dialogut dhe emocionet ndaj vizitës së përfaqësuesit serb nuk i justifikuan thyerjet, dëmtimet materiale dhe konfrontimin me forcat e rendit. Veprimet dhe protestat e VV, që disa kohë më parë kishin mbështetje të madhe popullore dhe simpati të veçantë mediatike, tani po shihen me sy më kritik. Madje dhe mungesa në sallën e Parlamentit ndërsa do të votohej për lejimin ose jo të mësimit fetar në shkollat publike, nuk u prit mirë nga një pjesë e opinionit. Forca e tretë parlamentare dhe opozita më e zëshme në vend, tashmë është normale të gjykohet e analizohet me më shumë përgjegjësi se më parë kur ishte thjesht lëvizje. Protestat dhe aksioni kanë qenë identiteti i kësaj Lëvizjeje, por ato nuk mund të vazhdojnë si qëllim në vetvete për hir të këtij identiteti. Një forcë politike i drejtohet rrugës në emër të një kauze të madhe, kur është e bindur në drejtësinë e asaj kauze dhe kur ka sigurinë e mbështetjes qytetare. Aksionet me bojë e domate janë atraktive për mediat, sensibilizojnë opinionin dhe mbajnë gjallë ndjenjën e protestës, por kur përdoren në masën dhe qëllimin e duhur. Çdo tejkalim prodhon efektin e kundërt. E, drejtuesit e VV duket se po i përdorin ato si një mënyrë për të kapërcyer kompleksin e shndërrimit nga revolucionarë në politikanë. Aksioni i rrugës si qëllim në vetvete dhe jo si një kombinim i menduar me opozitën parlamentare, do ta humbë gjithnjë e më shumë efektin dhe do të gjejë gjithnjë e më pak përkrahës. “Vetëvendosje” nuk duhet që në emër të identitetit të dikurshëm të mbajë peng identitetin e ri, atë të një force të rëndësishme dhe të përgjegjshme politike që nesër mund të qeverisë vendin.

KOMENTE