English

Një në 4 prindër pohojnë: Na kushton shumë të mbajmë fëmijët

Tiranë, 9 Shtator 2011 NOA/ Arlinda Koçi - Është e pranuar se njëkatër prindër, janë të zhytur në borxhe për shkak të kostos së lartë ndaj kujdesit të fëmijëve. Në Britaninë e Madhe, prindërit janë duke luftuar një betejë të dëshpëruar për të mbajtur gjallë financiarisht familjen e tyre, ndërkohë që shpenzimet e kujdesit për fëmijët janë tepër të larta dhe pagat e tyre nuk janë të përballueshme. Sondazhi i më shumë se 4. 000 prindërve që punojnë, ka zbuluar se gati dy të tretat e tyre e kanë të vështirë të përballojnë shpenzimet për kujdesin ndaj fëmijëve. Studimi, i publikuar nga dy organizata bamirësie, “Daycare Trust” dhe “Save the Children”, treguan se shpenzimet ndaj kujdesit të fëmijëve nuk kane qenë kurrë kaq të larta. Një faturë mesatare, për të çuar një fëmijë nën moshën dy vjeç, në një çerdhe për 25 orë në javë kushton 96 sterlina, ndërsa një dado e punësuar në qendër të Londrës, kërkon të paguhet 32.000 sterlina në një vit. Ndërkohë që 41 për qind e familjeve, mendojnë se kostoja e kujdesit për fëmijët është në të njëjtin nivel me kostot e qirasë me të cilat ato përballen. Sally Copley, drejtuesi i organizatës së bamirësisë “Save the Children”, thotë se kostoja e kujdesit për fëmijët në këtë vend është ndër më të shtrenjtat në botë. Studimi zbuloi se më shumë se gjysma e nënave që punojnë, janë duke marrë përsipër një punë të dytë për të përballuar rritjen e shpenzimeve të jetesës. Ndërkohë që një studim tjetër tregon se katër në dhjetë nëna, pranojnë t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, kur ata janë të sëmurë, sepse ndjehen nën një presion në punë, të tillë që nuk mund të marrin kohë të lirë për t'u kujdesur për ta. Kërkimi i disa ditëve leje, jashtë pune, është një luftë e vërtetë, sidomos në situatën aktuale ekonomike, ku njerëzit ndihen të brengosur për sigurinë e tyre të punës. Kjo situatë është dhe më e rëndë në Shqipëri. Një çift prindërish për të mbajtur një fëmijë duhet të paguajë nëse e ka në çerdhe, rreth 10 mijë lekë në muaj. Nëse fëmija është në shkollë duhet të ikin nga pagat dyfishi i bebes në çerdhe. Kurse kur fëmija shkon në universitet, të paktën 3 mijë euro është shuma fillestare e shpenzimit vjetor të një djali apo vajze. a.k/NOA

KOMENTE