English

Thaçi merr mbështetjen e Greqisë, në rrugën e integrimit

Prishtinë, 8 shtator 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka takuar sot në ambientet e Kryeministrisë, Ministrin e Jashtëm të Greqisë Stavros Lambrinidis. Gjatë këtij takimi, në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi me Greqinë si dhe perspektiva europiane e Kosovës. Thaçi ka vlerësuar lartë angazhimin aktiv dhe dinamik të Greqisë për zhvillimet, për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin fqinjësor në rajon. “Ne kemi një prezencë të theksuar të biznesit grek në Kosovë, që është një sukses i jashtëzakonshëm. Ne duam të theksojmë se komuniteti i biznesit grek është i mirëpritur në Kosovë për të investuar”, u shpreh kreu i qeverisë kosovare. Në vijim në emër të qeverisë Thaçi theksoi se, Qeveria e Kosovës mbështet idenë dhe vizionin për takimin Selaniku 2, në vitin 2014, për perspektivën e gjithanshme europiane të rajonit. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis u shpreh se Greqia e njeh aspiratën e të gjithë popujve të rajonit për të qenë pjesë e integrimeve europiane, dhe këtë vizion e ka përkthyer në një plan konkret, që është Axhenda 2014. Më tej ai theksoi se, “Ky plan do të ndërtohet në themelet e Axhendës së Selanikut 2003, kur të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për perspektivën evropiane të rajonit. Kjo perspektivë përfshinë edhe Kosovën”. Lambrinidis u shpreh për një dialog aktiv dhe për tolerancë në rajon, në mënyrë që paragjykimet për rajonin të shndërrohen në një vizion të pajtimit dhe bashkëpunimit të mirë fqinjësor. Në përfundim ai vlerësoi se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka shënuar progres konkret dhe se duhet të vazhdohet në këtë drejtim. a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Thaçi dhe ministri grek, Stavros Lambrinidis

KOMENTE