English

KiE: Të ngrihet statusi i grave në shoqërinë shqiptare

Strasburg, 12 shtator, NOA - Komiteti për Mundësi të Barabarta i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) paralajmëroi së fundmi se selektimi i gjinisë para lindjes së një fëmije ka arritur në përmasa shqetësuese në disa vende anëtare të Këshillit të Europës.

Në veçanti, ai përmend Shqipërinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin ku raporti është 112 djem për 100 vajza dhe në Gjeorgji, ku raporti është 111 djem për 100 vajza.

Në miratimin e një projekt-rezolute në bazë të raportit nga Doris Stump (Zvicër), Komisioni u bën thirrje këtyre tre shteteve për të hetuar shkaqet që çojnë në raporte të tilla dhe të rritin përpjekjet e tyre për të ngritur statusin e grave në shoqëri.

“Qeveritë e tyre duhet të sigurojnë mbledhjen e të dhënave të besueshme për raportet e seksit në lindje, duke përfshirë fusha të ndryshme gjeografike brenda të njëjtit vend dhe të stafit të trajnuar mjekësor për selektimin e gjinisë para lindjes”, citon deklarata e KiE-së.

Komiteti beson se selektimi i gjinisë para lindjes duhet të përdoret vetëm për të shmangur sëmundje të rënda trashëguese të lidhura me seksin, në kontekstin ligjor të abortit ose përdorimit të asistuar të teknologjive të riprodhimit. Të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës duhet të rekomandojnë që spitalet publike t’i udhëzojnë mjekët për të mos zbuluar informatat në lidhje me seksin e fetusit.

Kuvendi do të votojë mbi këtë projekt-rezolutë në seancën e ardhshme plenare në Strasburg, i cili do të mbahet gjatë datave 3-7 tetor.

n.e/NOA

KOMENTE