English

Rreziku real dhe radikal prej regjistrimit etnik

Nga Adri Nurellari Në vendin tonë, sikurse në vende të tjera të Ballkanit, procesi i regjistrimit të popullsisë ështe pritur me shqetësim të spikatur gjatë këtij viti. Burimi i tensionit vjen kryesisht prej komplikimeve dhe konflikteve ndëretnike që ka rajoni ynë dhe pavarsisht nga përpjekjet e qeverisë sonë për të minimizuar impaktin e censusit etnik, rreziku që vjen prej rezultateve të kësaj çështje delikate ngelet shumë i madh. Aq delikat është dimensioni politik i regjistrimit etnik të popullsisë sa jo vetëm Shqipëria por edhe Maqedonia është detyruar që ta shtyjë për në tetor procesin që ishte parashikuar të zhvillohej në prill. Me census nënkuptohet procesi i mbledhjes, përpilimit, vlerësimit, analizimit dhe publikimit të të dhënave demografike, ekonomike dhe sociale të popullsisë. Ndryshe nga ç'gënjejnë promovuesit e regjistrimit etnik e fetarë, censusi në të vërtetë ka një impakt shumë të madh politik dhe zyrtar dhe nuk është sondazh i thjeshtë elektoral nga ato që kanë mbushur televizionet në zgjedhjet e kaluara. Kështu për shembull në një vend si SHBA censusi mbi popullsinë përcakton numrin e kongresmenëve që i takojnë çdo shteti, harta e zonave të tyre zgjedhore si dhe numrin e elektorëve që dalin nga një shtet për të zgjedhur presidentin. Censusi është gjithashtu thelbësor në politikat publike duke shërbyer në përcaktimin e shpenzimeve qeveritare dhe kanalizimin e shërbimeve publike. E njëjta gjë vlen edhe për investitorët të cilët nëpërmjet censusit e kanë më të lehtë të hartojnë plane biznesi. Mirëpo nëse përtej aspekteve demografike dhe social-ekonomike, përfshihen edhe elementet etnike, atëhere rezultatet e censusit bëhen edhe më sensitive sepse në varësi të të dhënave të nxjerra dalin edhe detyrimet ndaj shtetit për sa i përket garantimit të të drejtave dhe kërkesave të minoriteteve etnike. Mjafton të shihet rasti i Maqedonisë për të kuptuar se ndryshimi i numrave që lidhen me elementin etnik janë thelbësorë për jetën politike të një vendi. Politikat e pastrimit etnik dhe kolonizimit të ndërmarra nga sllavët kanë bërë që qytete historike shqiptare si Manastiri dhe Prilepi sot të mos kenë më shumë se 20% të popullsisë shqiptare. Mirëpo sipas marrëveshjes së Ohrit është e lejueshme përdorimi zyrtar i simboleve kombëtare dhe gjuhës vetëm atje ku shqiptarët janë më shumë se një e pesta. Pra është censusi etnik ai që vendos nëse lejohet gjuha shqipe në Manastir, nëqytetin ku edhe u vendos për alfabetin e kësaj gjuhe.Shqiptarët atje gjithmonë kanë pretenduar për një manipulim të të dhënave dhe prandaj edhe sot organizimi I censusit etnik është motiv tensioni dhe është zvarritur për në tetor. Për ta kuptuar akoma më mirë se çfarë implikimesh politike mund të shkaktojë një census etnik me vetëdeklarim mjafton të shikohen debatet që kanë lindur në Mal të Zi pas organizimit të censusit gjatë prillit të këtij viti. Konkretisht si pasojë e presioneve asimiluese, largimit masiv të shqiptarëve i shkaktuar prej diskriminimit etnik, mos-regjistrimit të emigrantëve si dhe manipulimeve në procesin e regjistrimit të popullsisë, pakica shqiptare ka rezultuar në 4.9% në censusin e sivjetshëm nga rreth 7% që ka qenë një dekadë më parë. Pas këtij censusi qeveria malazeze ka ndryshuar ligjin zgjedhor dhe ka vendosur tua heqi të drejtën e pesë deputetëve të garantuar që pakica shqiptare ka pasur deri tani dhe ta çojë në 3, prej 81 deputetë që ka parlamenti i shtetit fqinj. Shumica sllave e Malit të zi ka disa vite që e ka pasur ndër mend që ti pakësojë të drejtat e pakicës shqiptare dhe ta zvogëlojë numrin e deputetëve që i takojnë, mirëpo priti sa të bëhej censusi i dyshimtë i këtij viti që ta vinte në jetë këtë objektiv sepse nëpërmjet rezultatit të censusit ata mund ta justifikonin këtë veprim në sytë e ndërkombëtarëve perëndimor. Një tjetër implikim politik ka ndodhur në aspektin e gjuhës. Nga njëra anë 28.73% e popullsisë është vetëdeklaruar me etni serbe përkundrejt 44.9% që është deklaruar se është malazeze mirëpo nga ana tjetër kur është bërë vetë-deklarimi i gjuhës vetëm 36.97% është shprehur se flet gjuhën malazeze kurse 42.8 pretendon se flet gjuhën serbë. Për rrjedhojë sot kanë nisur debate intensive të brendshme në Malin e Zi që lidhen me gjuhën zyrtare sepse rezultati i censusit i jep të drejtë minoritetit serb që të kërkojë që gjuha serbe të jetë gjuhë e dytë zyrtare e pranishme kudo në Malin e Zi dhe që çdo dokument shtetëror të jetë e shkruajtur në cirilikën serbe përvecse në formën latine të malazezçes. Përkthyer në rastin e Shqipërisë lejimi i futjes së vetëdeklarimit etnik në këto kushte do të thotë që nëse censusi nxjerr një përqindje më të lartë individësh të vetëdeklaruar "grekë", atëhere shtetit tonë i del si detyrim që të pranojë mbajtjen e gjuhës dhe simboleve greke si dhe sponsorizimin e shkollave greke ne troje ku historikisht ka pasur veç shqiptarë. Duke patur parasysh kushtet e fukarallëkut që trashëguam prej komunizmit e situatën ku na katandisi tranzicioni i mbrapshtë post-komunist, përpjekjet e kahershme për shkombtarizimin e jugut dhe greqizimin e popullsisë toske kanë pasur sukses të ndjeshëm në dy dekadat e fundit. Sikur të mos mjaftonin me gllabërimin e mbi 10mijë km2 dhe pastrimin etnik dhe asimilimin prej Ambrakisë në jug e deri në Konispol në veri, e prej Parges dhe Igumenicës në perëndim e deri në Follorinë e Kostur në lindje , shovinistët e pangopur grekë ende vazhdojnë të mësyjnë më në thellësi të truallit autokton shqiptar. Ende në murin përballë parlamentit në sheshin Sintagma të Athinës mund të lexohen të gdhendura emrat e Gjirokastrës e Korçës të pretenduara si troje greke. Politikat rekrutuese ndaj popullsisë arumune shqiptare, investimet ndjellëse në infrastrukturën e jugut, propaganda e një kishe ortodokse të shkombtarizuar që ka ngelur rob në duar greke, joshja me viza, karta homogjenësh e pashaportash greke në një kohë kur ne ishim të mbërthyer prej gardhit të Shengenit, shantazhi ndaj emigrantëve tanë në Greqi dhe korruptimi i dhjetëramijërave me pensione të majme qyl kanë bërë që shumë shtetas shqiptarë të jenë të gatshëm ta shesin identitetin kombëtar e të deklarohen në mënyrë të pabesë ndaj shtetit tonë. Vetëdeklarimi etnik është i arsyeshëm vetëm pas një dekade kur të ketë përfunduar tamam tranzicioni shqiptar, shteti ynë të jetë konsoliduar e zhvilluar,identiteti kombëtar të mos jetë më i nëpërkëmbur si sot dhe popullsia shqiptare të mos jetë më aq lehtë e manipulueshme dhe e shantazhueshme sa ç'është sot. Mjafton të shikohet se qindra mijëra mbajnë kartën e homogjenit, se si vllehët vetëquhen grekë e jo latinë,se sa shumë emigrantë tanë kanë ndryshuar emrin e nuk u mësojnë shqipen fëmijëve e se si PBDNJ ia ka dalë hera herës të sigurojë rëzultat elektoral edhe në vende si Poliçani apo Mirdita, për të kuptuar që përmasat e atyre që mund të vetëdeklarohen grekë për interesa meskine, është me të vërtetë alarmant dhe mund ta vërë shtetin tonë në pozicion shumë të vështirë në të ardhmen e afërt. Nëse numrat e fryrë të minoritetit grek të pretendoheshin deri tani konfirmohen prej një censusi etnik të organizuar nga vetë shteti shqiptar që i nxjerr në sasi të larta atëhere i hyjmë një rruge pa kthim. Konventat e shumta ndërkombëtare që kemi nënshkruar dhe presioni i perëndimorëve në mënyrë të pashmangshme do na detyrojë një shtim të stërmadh të diskriminimit pozitiv për minoritetin grek e nuk është çudi që të na çojë edhe në ndonjë detyrim për të aplikuar garantimin e një kuote me një numër të caktuar deputetësh grekë në parlamentin tonë siç bëhet 10 deputetët që ka 5 përqindshi serb në Kosovë. Gazeta “Shqip”

KOMENTE