English

Veriu që na ngrinë

Nga Bardh Frangu Opinioni në Kosovë, më shumë nëpërmjet medieve, është futur në llogoret e dy pikave në Veri të Kosovës. Kjo mbase duket e natyrshme, sepse atje po ndodhin përpjekjet për territorin e vendit, përkatësisht për shtrirjen e sovranitetit, gjë për të cilën u vra edhe një polic i Kosovës, duke identifikuar kështu këtë përpjekje si luftë të njëmendët. Edhe interesimi dhe angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare është përqendruar në këto dy pika kufitare, të cilat për këto dymbëdhjetë vite u dëshmuan si udhët më funksionale për bartjen e krimit të organizuar nga Beogradi dhe të ndihmuar edhe nga strukturat tona kriminale, të cilat nuk ishin dhe nuk janë pa ndikim edhe në institucionet më të larta të vendit.

Është fat i mirë që strukturat ndërkombëtare në Kosovë mbështesin këto përpjekje. Për inkurajim dhe admirim është edhe vetë angazhimi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, i cili gjeti momentin më të mirë për ta vizituar Kosovën dhe për ta përhapur tek njerëzit e saj të shqetësuar mesazhin se NATO-ja nuk do te lejojë që përparimi 12 vjeçar i KFOR-it në stabilizimin e Kosovës të rrezikohet. Ky mesazh ka arritur edhe në Beograd dhe më gjerë.

Rasmunssen është shprehur qartë se NATO mbështet dialogun dhe marrëveshjet e arritura mes Beogradit dhe Prishtinës. Në këtë mënyrë ai është vënë në përkrahje të qeverisë sonë, përkatësisht në përkrahje të shefes së delegacionit tonë, Edita Tahirit, mbi të cilën Lëvizja “Vetëvendosje”, pos që ka hedhur gurë e dru, e ka ndjekur edhe me domate të kuqe! Këtë ditë të rëndësishme për fatin e Kosovës e ka zgjedhur edhe lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, për të shfaqur hapur barrierën e tij të brendshme rreth këtij procesi vital për shtrirjen e sovranitetit. Albin Kurti, nëpërmjet gjuhës së tij përplot ekuivoke, sofizma e konstruksione populliste, duket sikur është i bindur se të gjitha të këqijat në Kosovë mund të mbulohen me shaminë e gjyshes së tij, gjë të cilën nuk po e lejon politika aktuale, përkatësisht kjo qeveri të cilën, sipas tij duhet hequr qafe sa më parë! Në këtë problem kaq të ndërlikuar, siç është Veriu i Kosovës, Kurti kërkon që aktivitetet e qeverisë sonë, në raport me ndërkombëtarët, të koordinohen para së gjithash me Shqipërinë, një shtet ky i cili ende nuk po mund të vendosë rendin dhe ligjin as në një fshat siç është Lazarati!

E kam thënë dhe herëve tjera se çdo veprim në Kosovë së pari kundrohet nga forca dhe rëndësia e votës. Këtu nuk bëjnë përjashtim asnjë nga liderët politikë të vendit. Përjashtim nuk bëjnë as sa i përket perceptimit të pushtetit në dëm të shtetit. E gjithë kjo ka bërë që qytetarët e Republikës së Kosovës në dëshpërim dhe ankth të përcjellin zhvillimet politike. Kryeministri Thaçi sigurisht që nuk ka pasur të drejtë që këtë ngjarje kaq të rëndësishme për vendin ta shndërrojë në një ngjarje mediale, duke e fryrë si me pompë përpjekjen për vendosjen e rendit dhe ligjit në dy pikat kufitare. Por, nëse nga kjo Albin Kurti ka fituar një alibi për t’u shprehur me mllef kundër gjitha zhvillimeve pikërisht në ditën kur pritet të ndodhin ato, nuk i ka bërë shërbim të mirë vendit, përkundrazi. Kurti mund ta konceptojë politikën si art të dëshirueshmes, por ajo nuk është e tillë. Mund të ngrihet kundër dialogut, i bindur si edhe të gjithë ne të tjerët se ai nuk mund të zhvillohet ndryshe pos mbi bazën e kompromiseve, të cilat në këtë rast natyrshëm janë të dhembshme për të dyja palët, por në këtë mënyrë nuk i ndihmon as vetes as neve.

Vërtet nuk ka gjë më të lehtë se të manipulosh opinionin në Kosovë. Kjo shkaku i nivelit politik që karakterizon mjedisin tonë. Madje për këtë ilustrative është edhe anekdota e njohur për dervishin plak, i cili ka bashkuar miletin me një sorrë dhe e ka shpërndarë me një pordhë. Por ama nuk është e ndershme për një politikan që në një intervistë prej dy faqesh rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, me fokus të veçantë ngjarjet në Veri të Kosovës, të përgjigjet me një fjali të vetme në pyetjen se si duhet qasur strukturave kriminale dhe gjithë veriut, siç bën Kurti, i cili në kohën e krizës së thellë të identitetit kombëtar dhe territorial, merr guximin të kërkojë zgjedhje të parakohshme, madje duke kërkuar që në këto zgjedhje të kenë të drejtën e votës edhe adoleshentët!

E gjitha e thënë më sipër nuk është më shumë se vetëm një dëshmi e thjeshtë dhe e përsëritur se barrikadat që i krijomë vetes janë shumëfish më të forta se ato që po i bëjnë strukturat paralele dhe kriminale në Veri të Kosovës. Kjo mbase është gjëja që më së shumti u dhemb qytetarëve të Kosovës, të cilët kurrë më shumë nuk kanë qenë të dëshpëruar me liderët e tyre politikë, pa dallim partie a posti. Shih për këtë, dy pikat në Veri të Kosovës, në vend se të konsiderohen si një pikëpyetje që kërkon përgjigje shumë serioze, janë shndërruar në një pikëçuditëse të madhe që prodhon shumë pasiguri dhe frikë. Gazeta "Ekspres"

KOMENTE