English

Lufton me vdekjen ndërsa priste t’i lindte djali

Rezulton me sukses transplanti i zemrës, i bërë nga babai, gjashtë javë para se të vinte në jetë djali i tij Londër, 25 Shtator 2011 NOA/ Arlinda Koçi - I ndodhur në gjendje kritike në spital, së bashku me gruan e tij shtatzënë, ndjente frikë se nuk do të mund të tundte djepin e djalit të tij, i cili pritej të vinte në jetë së shpejti. Por, fatmirësisht ai jo vetëm që e përmbushi dëshirën, por është duke u munduar të bëjë detyrën e prindit model, në mënyrën më të mirë të mundshme. Z.Knight, 26 vjeç u diagnostikua me një sëmundje të rëndë në zemër. Sëmundja e dyfishoi madhësinë e zemrës dhe mjekët thanë se kishte nevojë për transplant, edhe pse lejohej të qëndronte në shtëpi. Një vit më parë, kur zbuloi për shtatzëninë e bashkëshortes së tij, gjendja shëndetësore iu përkeqësua së tepërmi dhe u rishtrua në spital. Doktorët thanë se transplanti ishte urgjent dhe duhej gjendur menjëherë organi i përshtatshëm i zemrës. Ai ndjehej shumë i dobët dhe nuk mund ta shoqëronte bashkëshorten e tij, në vizitat e përditshme të saj. Ajo regjistronte rrahjet e zemrës së foshnjës dhe ia dërgonte në spital, ku të dy së bashku luteshin për gjetjen e organit të duhur, për transplant. Ishin vetëm gjashtë javë para datës së ardhjes në jetë të fëmijës, kur doktori i tregoi z. Knight për gjetjen e zemrës së duhur, për transplant. Pak orë pas kësaj, ai iu nënshtrua menjëherë transplantit. “Unë u jam shumë mirënjohës të gjithë mjekëve, të cilët bënë të mundur operacionin tim, pasi ndjeja se koha po kalonte dhe se unë nuk do të mund të njihesha me djalin tim, i cili do të vinte së shpejti në jetë.”-u shpreh z.Knight. Ai u lejua të shkonte në shtëpi pas dy javësh, ndërsa pas katër javësh të tjera, Znj. Burtonwood solli në jetë vogëlushin, Oskar. Transplanti u realizua nga organizata e bamirësisë për transplante, New Start. “Ka qenë pothuajse i pabesueshëm momenti kur arrita të mbaj në krahët e mi vogëlushin tim. Ndjeja sikur m’u ofrua një shans i dytë në jetë, për të jetuar dhe për tu bërë baba.”-u shpreh z.Knight. a.k/NOA

KOMENTE