English

Qeveria i jep ndihmë financiare, familjes së rreshterit Agim Mekollari

Tiranë, 28 shtator 2011, NOA- Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, u morr një vendim për dhënien e ndihmës financiare ndaj familjes së rreshterit Agim Mekollari, ish-efektiv i qendrës së asgjësimit të municioneve dhe eksplozivëve në fabrikën e demontimit të municioneve në Skrapar. Gjatë këtij shpërthimi të ndodhur në fund të muajit prill Mekollarit i plasi predha në dorë, nga shpërthimi i së cilës ia gjeti vdekjen e menjëhershme, kurse 3 punëtorët, Jetmir Dedja, Drini Tiko dhe Ilir Kurti që ndodheshin pranë tij u plagosën rëndë. Ndërkaq me këtë vendim familjes së të ndjerit i jepet një ndihmë financiare prej 4 milionë lekë.

V E N D I M PËRDHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJES TË SË NDJERIT, RRESHTER AGIM MEKOLLARI, ISH-EFEKTIV I QENDRËS SË ASGJËSIMIT TË MUNICIONEVE DHE EKSPLOZIVËVE, NË BRIGADËN LOGJISTIKE TË FORCAVE TË ARMATOSURA,I CILI KA HUMBUR JETËN NË KRYE TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 28, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 1. Dhënien e një ndihme financiare, prej 4 000 000 (katër milionë) lekësh, familjes të së ndjerit, rreshter Agim Mekollari, ish-efektiv i Qendrës së Asgjësimit të Municioneve dhe Eksplozivëve, në Brigadën Logjistike të Forcave të Armatosura, i cili ka humbur jetën në krye të detyrës, në poligonin e asgjësimit të municioneve në Bigaz, Skrapar. 2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes. 3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. a.y/NOA

KOMENTE