English

Berisha: Ne komb i vogël, por besimi është pasurimi ynë shpirtëror

Tiranë, 29 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Me rastin e mbledhjes së Konferencës Ipveshknore Katolike të Europës, përshëndeti edhe Kryeministri i vendit Sali Berisha. Në fjalën e tij ai shprehu mirënjohjen për përzgjedhjen e Tiranës për të mbajtur këtë konferencë jashtëzakonisht të rëndësishme për Shqipërinë dhe mbarë Europën. “Falënderoj Monsinjor Rrok Mirditën që me punën dhe përkushtimin e tij ka bërë të mundur që ju të përzgjidhni Tiranën dhe Shqipërinë për mbajtjen e këtij takimi.Në historinë e Shqipërisë me kishën, ngjarja e sotme pas vizitës së Papës në vitin '93 është ngjarja më e rëndësishme dhe na bën shumë mirënjohës dhe krenar me praninë tuaj në kryeqytetin tonë. Duke përzgjedhur Tiranën dhe Shqipërinë për forumin tuaj të lartë, Ju të nderuar udhëheqës shpirtëror, keni nderuar kontributin e këtij kombi të vogël në historinë e krishtërimit, me mbrojtjen që u bëri për çerek shekulli vlerave, deri te shenjtorja e mbarë njerëzimit Nënë Tereza e Kalkutës”, u shpreh Berisha. Ai kujtoi edhe takimin e zhvilluar në vitin 1993 me Papa Gjon Palin e II-të, ku ai e cilësoi si një vizitë të veçantë pasi atë ditë Papa konsakroi katedralen e Shkodrës, një nga katedralet më të bukura dhe më të mëdha të Ballkanit, ku regjimi e transformoi, por sërish ajo u shndërrua në katedrale dhe pati fatin të konsakrohej nga Papa Gjon Pali. Berisha kujtoi se po atë ditë u shuguruan 4 Ipeshkvët shqiptar që kishin bërë së bashku mbi 1 shekull burg, në burgjet e tmerrshme të diktaturës Sipas kreut të Qeverisë shqiptare, kjo konferencë është një nderim për Klerin e Kishës Katolike shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për Monsinjor Rrok Mirditën i cili erdhi nga New Yorku dhe së bashku me ndihmën e shqiptarëve rindërtoi këtu infrastrukturën shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve, e shndërroi kishën në një institucion ndër më të respektuar, që krahas veprimtarive kishtare, ndërmori veprimtari nga më të shumëllojta për të lehtësuar dhimbjet e një kombi që vinte nga mjerimin më ekstrem. Berisha e mbylli fjalën e tij duke thënë se, “Ne jemi një komb i vogël, por thellë- thellë në shpirtin tonë ajo që kemi më të çmuar është respekti absolut te besimi për njeri tjetrin, pasi kemi gëzuar dhe festuar së bashku besimet dhe festat tona fetare, pasi i kemi konsideruar si pasurimin tonë shpirtëror”. Konferenca Ipeshkvnore Katolike e gjithë Europës për tre ditë rresht zhvillon punimet e saj. Gjithashtu gjatë këtyre ditëve do të paraqiten rezultatet e takimit të 11-të të Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Juglindore dhe të takimit të 13-të të Ipeshkvijve të Kishave katolike të ritit Oriental. Gjatë takimit do të propozohet e do të diskutohet kalendari i aktiviteteve të Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (ÇEE) për vitin 2012, mes të cilave do të nënvizohen: Simpoziumi i ardhshëm i ipeshkvijve të Afrikës e të Evropës (Romë, 13-17 shkurt 2012) dhe Kongresi mbi katekezën (Romë, 7-10 maj 2012). a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Sali Berisha

KOMENTE