Lajme > Lajme Ditore > Tetor - Dhjetor 2011 > Lajmet e datës 15 Tetor 2011
 

Jahjaga: Me Serbinë do të kemi marrëdhënie fqinjësie

Prishtinë, 15 tetor 2011, NOA – Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga komenton raport-progresin e Komisionit Europian për Kosovën, duke deklaruar se raporti i progresit dëshmon se Republika e Kosovës është në axhendën europiane dhe e ka të qartë rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për Deutsche Wellen, Presidentja Jahjaga thekson se e ardhmja e të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit është integrimi në Bashkimin Evropian dhe kjo arrihet vetëm duke e ndihmuar dhe jo penguar njëri-tjetrin. Sipas zonjës Jahjaga nuk do të ketë asnjëherë marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë për ndarje të Kosovës, dhe sigurisht paskëtaj as të Serbisë, pasi siç tha ajo, nuk do të ketë as shkëmbim territoresh, as shpërngulje të popullsisë. Duke folur për idenë e zgjedhjes së Presidentit nga populli, Kryetarja e Shtetit të Kosovës tha se Presidenti i zgjedhur nga populli do të duhej të kishte edhe kompetenca të caktuar ekzekutive si në politikën e jashtme dhe të sigurisë ashtu edhe në raport me miratimin e ligjeve, por edhe në raport me vetë Kuvendin.

Intervista e plotë e Presidentes Jahjaga:

DW: Si e vlerësoni raportin e Komisionit Evropian, hapin që ndërmori për Serbinë dhe shansin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës në BE?

Jahjaga: Raporti i progresit i Komisionit Evropian për Kosovën dëshmon që Republika e Kosovës është në agjendën evropiane dhe e ka të qartë rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Raporti është real dhe konkret, është vlerësim i Komisionit Evropian dhe si i tillë i ndihmon institucionet e Kosovës që të bëjnë përmirësime në fushat, ku janë të konstatuara ngecjet. Hapja e dialogut po ashtu për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës është një vendim i pritur, i cili do të realizohet më shpejt se në vendet e tjera që e kaluan këtë rrugë sepse Kosova e ka për një kohë të gjatë prezencën ndërkombëtare dhe ka bërë parapërgatitjet e duhura, që të plotësohen të gjitha kushtet teknike por edhe ligjore për përjetësimin e vendimit. Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit duke përfshirë edhe Republikën e Serbisë në bazë të respektimit të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të secilit shtet. E ardhmja e të gjitha vendeve të rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian dhe kjo arrihet vetëm duke e ndihmuar dhe jo penguar njëri-tjetrin.

DW: Kosova si shtet i ri ka shumë sfida përpara deri në konsolidimin e saj. Bazë për këtë janë institucionet, në radhë të parë ato ligjore por edhe ato politike. Vetë rasti që Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dy presidentë tregon se ka shkelje dhe vend për korrigjime. A po punohet në këtë drejtim zonja Presidente?

Jahjaga: Rasti i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte shumë i qartë në atë kohë, pasi kishim të bënim atëherë me mosnjohjen e procedurave e jo me shkelje të qëllimshme të Kushtetutës. Tashmë Kosova i ka konsoliduar institucionet dhe kjo është vlerësuar në raportin e progresit dhe priten reforma ne gjyqësi që të vijë më shumë në shprehje pavarësia e tyre dhe të mënjanohet plotësisht ndikimi i politikës edhe tërthorazi. Ne po punojmë edhe mbi ndryshimet kushtetuese dhe në ndryshimet e sistemit zgjedhor duke synuar që të marrim përvojat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe duke bërë një qeverisje më efikase. Kosova sot në pjesën më të madhe është shtet i sundimit të ligjit.

DW: Tashmë me situatën e fundit në veri është ashpërsuar shumë konflikti ndërpartiak brenda vendit. Të gjithë mendojnë për teza të ndryshme lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ju si presidente çfarë mendoni: Si dhe kush do ta zgjidhë këtë ngërç?

Jahjaga: Zgjidhja është zbatimi i Planit Ahtisari që ka dhënë rezultate të mira në komunat e tjera të vendit dhe mbajtja e zgjedhjeve në komunat e Leposaviqit, të Zubinpatokut, të Zveçanit, konstituimi dhe mbajtja e zgjedhjeve edhe në komunën e Mitrovicës së Veriut do t\'u mundësonte qytetarëve të veriut të Kosovës, të nacionalitetit serb që të zgjedhin përfaqësuesit e vet, legalë dhe legjitim, që të zbatohet kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës që janë në pajtueshmëri me standardet më të larta evropiane në realizimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kolektive të nacionaliteteve. Kjo rrugë nuk ka alternativë, sepse nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndarje të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh, nuk ka shpërngulje të popullsisë dhe për këtë nuk dhe nuk do të ketë asnjëherë marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë. Këto ishin politikat e shekullit të kaluar, që unë nuk i përkrah. Ky asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është vizionin evropian. Rregullimi i brendshëm i Kosovës është çështje e sovranitetit dhe subjektivitetit shtetëror të Kosovës, është çështje e deklarimit plebishitar të popullit të Kosovës dhe në këtë drejtim nuk do të ketë Ahtisari plus e as administrim ndërkombëtar të tri komunave të Kosovës në veri, sepse kjo është në kundërshtim me kushtetutën e vendit dhe niveli I diferencuar i autonomive brenda territorit të Kosovës mbi nivelin komunal do të nxiste pabarazi dhe shpërngulje të popullsisë nga një komunë në një komunë tjetër. Me arsyen se në një komunë, në këtë rast të Leposaviqit sigurohen më shumë të drejta për serbët se sa në Graçanicë. Autonomia komunale dhe plani Ahtisari janë të mjaftueshme dhe gjithëpërfshirëse për realizimin e të drejtave kombëtare të serbëve, turqve, boshnjakëve dhe të tjerëve që jetojnë në Republikën e Kosovës.

DW: Korrupsioni është prezent gati në të gjitha nivelet në Kosovë. A e shihni ju këtë si një rrezik për Kosovën, që siç e quan gazeta Tagespiegel, Kosova është kthyer në një vend ku vetëm plaçkitet?

Jahjaga: Korrupsioni nuk është rrezik vetëm për Kosovën, por është për secilin shtet tjetër. Të gjitha shtetet në tranzicion kanë korrupsion sepse mekanizma të ndryshëm e shfrytëzojnë periudhën, kur institucionet e shtetit nuk janë konsoliduar ende, apo nuk janë bërë aq të fuqishme sa ta parandalojnë dhe ta luftojnë korrupsionin që gjithmonë është i lidhur me krimin e organizuar. Për ta luftuar me sukses korrupsionin duhet ndërtuar një politikë dhe mekanizma që para së gjithash kanë të bëjnë me masat për parandalimin e kësaj dukurie dhe pastaj edhe për masat për luftimin e saj. E gjitha kjo është e ndërlidhur edhe me edukimin e popullatës dhe me vlerat në shoqëri. Gjithashtu me punën e pavarur të organeve të hetuesisë dhe të gjyqësisë dhe shkallën e tyre profesionale si dhe me rregullore të mirë ligjore. Kosova është një vend i vogël dhe secili këtu e di se kush dhe me çka merret. Me rregulloren e mirë ligjore nuk është e vështirë të realizojmë maksimën: zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ligjet që janë në hartim e sipër për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme apo që janë burim i financimit të krimit të organizuar do të ndihmojnë në masë jashtëzakonisht të madhe.

DW: Ndryshe nga Shqipëria, ndaj jush nuk ka pasur konfrontime politike nga qeveria. Politika nuk ka reaguar me akuza ndaj institucionit tuaj ose të paktën nuk ka pasur ndonjë rast që ka qenë në përmasa të mëdha. A do të thotë kjo që gjërat në presidencë funksionojnë perfekt apo kemi të bëjmë me një presidente që nuk preferon të përplaset?

Jahjaga: Pak nga të gjitha këto. Unë jam zgjedhur presidente konsensuale, e votuar me dy të tretat e votave në kuvendin e Kosovës, e votuar nga të gjithë krahët politik si dhe nga partitë e minoriteteve. Mandati im kushtetues është të jem unifikuese dhe jashtë ndikimeve partiake. Kjo është në një farë mënyre edhe bindja ime për pozitën e presidentes. Unë do të respektoj kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Deri tani nuk kam kthyer asnjë ligj, por nëse kjo ndodh në të ardhmen, këtë nuk do ta bëj se një ligj është kundërshtuar nga një apo më shumë parti politike, por sepse kundërshtimet që bëhen në atë ligj do të jenë të argumentuara, e duan të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe do të bazohen në parimet kushtetuese.

DW: Ju keni krijuar gjatë mandatit tuaj shumë kontakte me homologët tuaj në rajon dhe në botë. Të gjitha vendet tashmë kanë aspiruar për në BE- edhe pse çdo vend ka ende probleme të pazgjidhura. Si e shihni ju të ardhmen e Ballkanit?

Jahjaga: Kam kontakte me shumë liderë të shteteve dhe në takimet me ata unë përçoj mesazhin e paqes dhe të stabilitetit, të respektit të ndërsjellë dhe të synimeve jo vetëm të Kosovës por të gjithë Ballkanit perëndimor që të kemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Me Serbinë jemi duke zhvilluar një dialog si palë të barabarta në Bruksel që po jep rezultate, sepse zgjidhjet, për të cilat po merremi janë zgjidhje evropiane. Por do të vija dita që edhe me Serbinë të kemi marrëdhënie normale si dy shtete fqinjë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të secilit vend. Pavarësia e Republikës së Kosovës është e pakthyeshme, sepse është rezultat i shprehjes së lirë të vullnetit të popullit të Kosovës dhe është përkushtim i fuqishëm i faktorit ndërkombëtar që në Ballkan të mos ketë më luftë, hegjemonizëm dhe shtypje.

DW: A do të pranonit të ishit kandidate e ndonjë grupi politik që do t\'iu propozonte për presidente edhe në një mandat të dytë vitin e ardhshëm?

Jahjaga: Mandati im kushtetues nuk më lejon që të deklarohem për këtë temë tani para se të caktohet data e zgjedhjeve dhe para se të nisë fushata zgjedhore. Unë i kam marrëdhëniet shumë të mira me të gjitha partitë dhe grupacionet politike, dhe këtë e shfrytëzoj që të jem më e suksesshme në ushtrimin e mandatit tim kushtetues, të cilin dua ta çoj deri në fund dhe t\'i realizoj të gjitha synimet, për të cilat e kam marrë gjithë votëbesimin.

DW: Nëse nuk do të jeni më presidente, a do të vazhdonit të merreshit me politikë?

Jahjaga: Nuk e di këtë tani, por do ta marr vendimin kur të vijë koha dhe varësisht prej sukseseve, rezultateve dhe përkrahjes që do të kem. Parimisht pas ushtrimit të një funksioni unifikues, nuk kam mendim se në politikë duhet të kem një pozitë tjetër.

DW: A mendoni se presidenti do të ishte më mirë të zgjidhej nga populli?

Jahjaga: Pyetja se a do të ishte më mirë të zgjidhej presidenti nga populli apo nga kuvendi si organi më i lartë përfaqësues i popullit, varet nga karakteri i sistemit politik dhe nga kompetencat që me kushtetutë dhe me ligj i ka presidenti ose presidentja e vendit. Presidenti i zgjedhur nga populli do të duhej të kishte edhe kompetenca të caktuar ekzekutive si në politikën e jashtme dhe të sigurisë ashtu edhe në raport me miratimin e ligjeve, por edhe në raport me vetë Kuvendin. Vendet zakonisht përcaktohen për sisteme të pastra parlamentare me rol të fuqishëm të kryeministrit ose për sisteme presidenciale ose gjysmë presidenciale me pushtet të koncentruar në duart e presidentit.

Shkruani KomentinKOMENTE
  • Nuk ka komente të paraqitur në këtë lajm. Jini i pari që shkruani këtë.