English

Topi- Emiri i Katarit: Katari partner afatgjatë për investime

Tiranë, 18 tetor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi priti sot në takim Emirin e Katarit, Sheikun Hamad Bin Khalifa Al Thani, së bashku me delegacionin që e shoqëron në vizitën e parë shtetërore në vendin tonë me ftesë të Kreut të Shtetit shqiptar. Dy Krerët e Shteteve zhvilluan një takim kokëkokë dhe më pas kryesuan bisedimet zyrtare midis delegacioneve respektive, të cilat u përqendruan në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, kryesisht në atë ekonomike, turistike, infrastrukturore, shëndetësore, etj. Presidenti Topi, pasi vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve duke theksuar se me vizitën e Emirit të Katarit shënuan një kulmim thelbësor në nivelin më të lartë, vuri në dukje nevojën për të forcuar dhe zgjeruar edhe marrëdhëniet ekonomike dhe investimet në sektorë të rëndësishëm me interes reciprok. Më tej Topi i shprehu mirënjohjen Emirit të Katarit edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar nevojën e rritjes së numrit të vendeve që mund ta njohin së afërmi Kosovën, pikë në të cilën Shteti i Katarit mund të luajë një rol të rëndësishëm me influencën e vet. Emiri i Shtetit të Katarit, Sheiku Hamad Bin Kalifa Al nënvizoi interesimin për të investuar në Shqipëri në fusha si infrastruktura, arsimi, turizmi, industria e naftës, etj. Sheiku Al Thani vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes Shtetit të Katarit dhe Shqipërisë, të cilat do të thellohen edhe më tej me nënshkrimin e sotëm të tetë marrëveshjeve të ndryshme me interes reciprok mes dy vendeve tona, bashkëpunimin e frytshëm në kuadër të organizmave ndërkombëtare si OKB-ja dhe Konferenca e Vendeve Islamike si dhe vuri në pah faktin se Shteti i Katarit është një partner strategjik afatgjatë dhe serioz për sa u përket investimeve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm. Takimi vijoi më tej me ceremoninë e dekorimit të Emirit të Shtetit të Katarit me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Pas leximit të dekretit Kreu i Shtetit, Bamir Topi i dorëzoi Emirit të Shtetit të Katarit, Sheikut Al Thani, Urdhrin e lartë me motivacionin: “Për merita të shquara në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Katarit, si dhe për kontributin e vyer në shërbim të paqes e stabilitetit në arenën ndërkombëtare”. a.y/NOA

Në foto: Presidenti Bamir Topi gjatë takimit me Emirin e Katarit, Sheikun Hamad Bin Khalifa Al Thani

KOMENTE