English

Java XI e Gjuhës Italiane në botë, varg aktivitetesh edhe në Shqipëri

Tiranë, 19 tetor, NOA - Nisja e Javës XI së Gjuhës Italiane në botë, përkon me bashkërendimin e mjaft aktiviteteve që do të zhvillohen në Shqipëri. Të organizuara nga Instituti Italian i Kulturës, si edhe konsullatat italiane të Vlorës dhe Shkodrës, këto aktivitete do të zgjasin deri më 12 nëntor në qytetet Tiranë, Gjirokastër, Berat, Elbasan, Korçë, Shkodër dhe Vlorë.

Kjo Javë është hapur me një ceremoni të veçantë, ku merrnin pjesë autoritete të larta të arsimit italian dhe atij shqiptar dhe janë dorëzuar katër bursa ndaj studentëve shqiptarë për studime universitare në Itali.

Tiranë, programi i ngjeshur i Javës do të vijojë deri në datën 12 nëntor me veprimtari muzikore e teatrore, shfaqje kinematografike, ekspozita, prezantime librash e seminare formimi.

Renditja e disa prej ngjarjeve kryesore muzikore:

18 tetor, artisti ticinez Marco Zappa dha koncertin me titull “Kitarrë & Këngë Poezi &Miq”.

22 tetor, pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, David Tukiçi do t’i kushtojë Italisë operën “Dhuratë për Ditëlindje”, e kompozuar prej tij në kujtim të të atit.

24 tetor, Larry Franco Quartet do të paraqesë këngët më të famshme italiane të jazz-it në një koncert me titull “Homazh Gorni Kramer”-it. Ndërkaq, duke nisur prej datës 17 tetor për studentët do të organizohen gjithashtu shfaqje të shumta kinematografike, si gjatë paradites ashtu dhe pasdites, pranë Institutit e pranë Departamentit të Italianistikës, me një cikël filmash të siguruar nga Ministria e Punëve të Jashtme i përbërë nga filma me tituj si “Rroftë Italia” i Roberto Rossellini-t, “Allonsanfan” i vëllezërve Taviani, “Po ç’histori është kjo?” i Gianfranco Pannone-s.

Gjatë Javës së Gjuhës do të realizohen dy ekspozita: artit të të ushqyerit mirë i kushtohet ekspozita e Qarkut të Emilia –Romagna: Pellegrino Artusi dhe bashkimi italian në kuzhinë, e cila do të qëndrojë e hapur për një javë.

Titulli i referohet Bashkimit të Italisë, njëqind vjetorit të vdekjes së Artusi-t dhe 120 vjetorit të botimit të librit të famshëm “Shkenca në kuzhinë dhe arti i të ngrënit mirë”.

Arkeologjia do të jetë objekti i ekspozitës tjetër me titull “Adrianopolis: një qytet romak në Epirin e lashtë.

Veprimtari gërmimesh e vlerësimesh, e cila do të përurohet pranë Institutit të Kulturës ditën e shtunë datë 5 nëntor. Ekspozita, realizuar nën kujdesin e Professor Roberto Perna, promovohet nga Universitetit i Maceratës me synim dokumentimin, përmes një sërë panelesh fotografikë, e veprimtarive të kryera nga misioni arkeologjik në zonën e Adrianopolisit prej 2005.

27 tetor, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, pranë Bibliotekës Kombëtare do të zhvillohet prezantimi i librit “Rikthim në Vendin e Shqiponjave”, botuar nga Aldo Renato Terrusi me shtëpinë botuese “Besa”.

Në praninë e botuesit Livio Muci, autori do t’i rrëfejë publikut udhën e ndjekur në Shqipëri në kërkim të origjinës e të historisë së tij: Aldo Terrosi ishte ende fëmijë kur regjimi i Hoxhës i mbylli të atin në burgun e tmerrshëm të Burrelit, ku dhe vdiq pa mundur t’i jepte përshëndetjen e fundit gruas dhe djalit.

Shumë prej veprimtarive të organizuara në Tiranë do të zhvillohen dhe në qytete të tjera: krahas takimit me Raffaele Nigro-n me studentët e Korçës dhe Shkodrës, Marco Zappa do të japë koncert dhe në Shkodër në datën 17 tetor, Larry Franco Quartet do të interpretojë në Vlorë në datë 23 tetor, ku Aldo Renato Terrosi do të paraqesë Rikthim në Vendin e Shqiponjave, në datë 26 tetor; Sinestesia, do të shfaqet në Elbasan në datë 20 tetor.

n.e/NOA

KOMENTE