English

Berisha në Dibër: Infrastruktura e zonës si fshatrat e Europës

Dibër, 23 tetor 2011, NOA – Nga qarku i Dibrës ku inauguroi gjashtë investime publike me vlerë totale prej 500 milionë lekë, kryeministri Sali Berisha tha se me përfundimin e rrugës së Arbërit, kjo zonë do të gjallërohet dhe do të arrihet më lehtësisht nga të gjithë. “Zotimi ynë solemn para jush është se, aty ku jetoni ju, të keni një infrastrukturë të njëjtë me të qyteteve të vendit, të keni infrastrukturë rrugore, ujë, drita, njëlloj si fshatrat, që janë në zonat e tjera rurale në Europën e zhvilluar”, deklaroi kryeministri. Sipas kryeministrit infrastruktura moderne, për të cilën është zotuar qeveria hap Peshkopinë drejt Tiranës, Kosovës, Dibrës së Madhe, Shkupit. Shefi i ekzekutivit theksoi se në vitet e fundit janë ndërtuar 395 km rrugë, e 104 sisteme ujësjellësash e kanalizimesh, janë ndërtuar 58 shkolla, 75 ambulanca dhe 5 tregje agro-industriale. Ndërsa në bujqësi dhe agro-industri, janë investuar 500 milion lekë, e me subvencion janë mbjellë mbi 700 ha pemëtore, arrorë e vreshta, duke u sjellë përfitim plot 1510 bujqve. Vizitën e tij kryeministri e nisi me inaugurimin e rrugës Ura e Qytetit - Zerqan, 6.5 km e gjatë dhe 4.5 m e gjerë, një investim me vlerë 137 milion lekë, nga ndërtimi i të cilës përftojnë 6000 banorë, si dhe të gjitha fshatrat e Komunës Zerqan. “Ne ndërtojmë rrugët me bindjen më të thellë se, rruga, pas shkollave dhe energjisë, është faktori më kryesor i zhvillimit, të çdo fshati, të çdo qyteti, të çdo zone, të çdo qarku në Shqipëri. Ne ndërtojmë rrugët, sepse ato hapin potenciale të mëdha zhvillimi të reja dhe të pa imagjinuara më parë”, u shpreh shefi i qeverisë gjatë fjalës së tij përshëndetëse. Ky segment rrugor nis nga rruga nacionale PeshkopiTiranë dhe përfundon në qendër të komunës Zerqan dhe shërben për transportin e produkteve bujqësore dhe blegtorale drejt tregjeve të zonës edhe për transportin e materialeve inerte dhe lëndës drusore drejt qytetit të Bulqizës. Gjatë takimit me banorët e zonës shefi i qeverisë i përgëzoi ata për rrugën e re. Një tjetër investim i inauguruar nga zoti Berisha ishte loti i parë Maqellarë- Grezhdan i rrugës MaqellarëPeshkopi. Ky aks rrugor 4.3 km i gjatë dhe 9 m i gjerë ka kushtuar 60 milionë lekë dhe do të shërbejë për lidhjen e banorëve të rrethit Dibër me rrugën e Arbërit, e konsiderohet pjesë integrale e kësaj vepre të rëndësishme. Mandej kryeministri mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të segmentit Rrugë Nacionale - Kovashicë, një investim me vlerë 18.5 milion lekë. Fshati Kovashicë është fshati i 6-të i kësaj komune, që lidhet me rrugë të asfaltuar me rrugën nacionale. Po kështu kryeministri inauguroi përfundimin e punimeve për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës së fshatit Kandërr, një investim me vlerë 26 milion lekë dhe të rrugës së fshatit Sohodoll me vlerë 23 milion lekë. Vepra e fundit publike e inauguruar nga kryeministri në Dibër ishte loti i parë i rrugës PeshkopiKukës, përkatësisht aksi Grykë e Gobenit – Përroi Kapsit. Nga ky aks me gjatësi rreth 10 km dhe gjerësi 7 m i cili u realizua me një investim prej 231 milion lekësh do të përfitojnë rreth 15 mijë banorë. Aksi në fjalë është pjesë integrale e korridorit të verilindjes dhe asfaltimi i rrugës ka shkurtuar kohën e lëvizjes së banorëve. Nga mbi një orë udhëtim që ishte më parë, tani qyteti i Peshkopisë arrihet në rreth 20 minuta. Rruga PeshkopiKukës, ka një gjatësi rreth 64 km. Ajo u shërben në mënyrë të drejtpërdrejtë komunave Kastriot dhe Fushë Çidhen, si dhe fshatrave të komunave Zall Dardhë, Arras, Sllovë dhe Kalaja e Dodës. Zona që i shërben kjo rrugë njihet për nivelin e lartë të prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe frutore dhe është një zonë që ka shumë fermerë. Duke folur për potencialet e mëdha bujqësore të zonës së Peshkopisë, Berisha tha se Peshkopia është një zonë ideale për arrën, lajthinë, gështenjat. Këtu kryeministri u premtoi banorëve se “Qeveria do të financojë rrënjë për rrënjë çdo gjë që ju do të mbillni, por jam i bindur se nëse ju vendosni, brenda një kohe shumë të shkurtër, do të gjeni të gjithë mundësinë për të shumëfishuar bahçet tuaja, drurët frutorë në tokat tuaja”. Ai i ftoi fermerët e Peshkopisë ta shndërrojnë qytetin e tyre në zonën kryesor të mbjelljes së frutave në Shqipëri. mit/NOA

KOMENTE