English

Të gjithë krenarë

Nga Ardian Vehbiu Përplasja e fundit – meqë s’e quaj dot debat – mes Presidentit Topi dhe Kryetares së Kuvendit Topalli, në lidhje me shqipen publike, qytetarinë dhe Shkodrën, është ndjekur me interes nga komentatorët në mediat. Mes reagimeve të shumta më tërhoqi vëmendjen edhe një opinion i Artur Zhejit në MAPO, ku lexova ndër të tjera këtë pohim: Jozefina është gege. Dhe është krenare për këtë. Dhe e manifeston me mendjemadhësi legjitime krenarinë e saj për këtë dialekt hyjnor, të persekutuar përdhunisht për 50 vjet. Kjo gjuhë e Skënderbeut, e Nënë Terezës, e Buzukut apo Marin Barletit. Gjuhë e segreguar e at Zef Pllumit, e Koliqit dhe e legjendës së Gjergj Fishtës. Gjuha e Kosovës mistike dhe e Dibrës së Moisi Golemit, gjuha e Mirditës së Kapedanëve, gjuha e Kelmendit të heronjve, gjuha e një patriotizmi dhe shqiptarizmi pa kufij, në besnikëri dhe vetëflijim.

Meqë jam gjuhëtar me profesion, shprehja “dialekt hyjnor” m’i vrau menjëherë veshët; sikurse “gjuha e Skënderbeut”, pa folur për “Kosovën mistike” (pse vallë?) dhe të tjera fluturime retorike të autorit. Nëse frymëzime të tilla kanë vend në një opinion që rreket të arsyetojë me lexuesin, për këtë mund të diskutohet; gjë që nuk kam ndërmend ta bëj këtu. Përkundrazi, dua të ndalem pak në pjesën e parë të këtij paragrafi, dhe pikërisht aty ku Zheji thotë se “Jozefina është gege” dhe “është krenare për këtë” dhe “e manifeston me mendjemadhësi legjitime krenarinë e saj [...]”

Shprehje të tilla si “jam krenar që jam nga Zadrima”, ose “jam krenar që jam nga Zagoria” i dëgjon sot rëndom, nga të katër anët; edhe pse njerëzit, logjikisht, duhet të jenë krenarë me çfarë kanë arritur vetë, jo me rrethanat në të cilat kanë ardhur në botë. Mes shprehjeve të tilla të shumabuzuara, më elokuentja është ajo “jam krenar që jam shqiptar”, të cilën e gjen në çdo libër këndimi të shkollës fillore, e pastaj kudo gjetiu, në tribunat kombëtariste.

Për fat të keq, po të thuash “Jozefina është krenare që është gege”, nuk u shpëton dot disa implikimeve të pakëndshme, të cilat i bart shprehja vetë.

Para së gjithash, vjen në vështrim implikimi se, nëse Kryetarja e Kuvendit është krenare që është gege, mund të ketë disa të tjerë që nuk janë krenarë se janë gegë; ose më keq akoma, disa të tjerë që u ndiekan të poshtëruar si gegë, meqë – për shembull – kultura sunduese ose zyrtare ua ka mohuar të drejtën për të përdorur dialektin e tyre në institucionet, ose fundja edhe thjesht për të qenë krenarë.

Implikimi tjetër, është se të tjerët, ata që kanë qëlluar jogegë, bie fjala toskët, ose nuk kanë arsye për të qenë aq krenarë sa ç’qenkan gegët me veten dhe heronjtë “e tyre” (p.sh. Kapidanët e Mirditës), ose duhet të jenë krenarë edhe ata, por për arsye të tjera, p.sh. ngaqë janë toskë; madje të deklarojnë, edhe ata, pleqtë, çupat dhe fantet që u kanë ardhur në dorë kur i ka ndarë letrat historia.

Po të besojmë këtë të fundit, që duket se shkon edhe me mendimin e përgjithshëm të Zhejit, i bie që të gjithë të jemi krenarë, për çfarëdo lloj tipari që kemi: gega sepse është gegë, toska sepse është toskë, tepelenasi sepse është tepelenas, matjani sepse është matjan, i gjati sepse është i gjatë, i shëndoshi sepse është i shëndoshë, malësori pse është malësor, fusharaku pse është fusharak e kështu me radhë; ose ta përdorim krenarinë si një lloj instrumenti terapeutik kombëtar.

Dhe kështu arrijmë në absurditet – në kuptimin që, ose Zheji kërkon të thotë se, mes shqiptarëve gegët kanë të drejtë të jenë më shumë krenarë se të tjerët (“gjuha e Skënderbeut” përballë... gjuhës së “Ali Pashës”? Apo gjuhës së “Gjin Bua Shpatës?”), ose Zheji thotë se të gjithë ne duhet të jemi krenarë për diçka; me ç’rast edhe të qenit krenar nuk do të thotë më absolutisht asgjë, kthehet në një flluskë sapuni, për të gënjyer bebet.

Përndryshe, kjo retorikë e krenarisë nuk mund të durohet më, sepse fyen inteligjencën e kujtdo që kërkon të mendojë me mendjen e vet. Duke filluar që nga shprehja e dëgjuar nga të katër anët “jam krenar që jam shqiptar.”

Sado të rrudhin buzët kombëtaristët dhe të tjerë dashnorë të retorikës dylekëshe, mua kjo shprehje më dëgjohet kështu: “jam krenar, megjithëse jam shqiptar;” meqë është e vështirë të përfytyrosh ndonjë kontekst ku duhet ta përdorësh një shprehje të tillë, përveçse se atje ku të qenët shqiptar shoqërohet me dështimin, humbjen, nëpërkëmbjen dhe fyerjen. Për shembull: ne shqiptarët mbetëm edhe një herë jashtë Europës së Bashkuar, por ne jemi krenarë që jemi shqiptarë etj.

Asgjë patriotike dhe të lavdërueshme nuk ka në këtë shprehje, përtej një dëshire për t’u mburrur dhe për t’u ngushëlluar, sa herë që krahasimi me të tjerët të nxjerr në fund të listës. Tek e fundit, ka mbetur akoma ndonjë budalla që beson se patriotët janë ata që deklarohen të tillë publikisht?

Edhe “Jozefina” e Zhejit, që qenka krenare sepse është gege, i referohet kontekstit ku dikush – në rastin konkret Presidenti i Republikës, Bamir Topi – i paska nëpërkëmbur gegët, dhe pikërisht shkodranët, duke ua qortuar përdorimin publik të së folmes. Qesharake që një akuzë e tillë t’i bëhet Presidentit Topi, i cili vetë nuk i ka fshehur ndonjëherë rrënjët në popullsinë qytetare të vjetër të Tiranës!

Mirëpo ka edhe një lexim tjetër të akuzës: Topi vihet në shënjestër pikërisht ngaqë, duke qenë vetë me prejardhje gege, e konsideron megjithatë qytetarinë dhe respektin për institucionet shtetërore si më të rëndësishme sesa gjenealogjinë e vet.

Çfarë nuk po ia falin dot lokalistët Topit, është shembulli i tij i lavdërueshëm prej shqiptari që është dhe e prezanton veten, para së gjithash, qytetar i Republikës, para se t’i bjerë gjoksit për katundin e tij; ose të mburret me “gjuhën e Skënderbeut.”

Penë e njohur në publicistikën shqipe, Zheji nuk bën pjesë, natyrisht, në lokalistët, as në separatistët, as në ata që, për arsyet e tyre, duan ta shndërrojnë ligjërimin publik dhe institucional në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. E megjithatë, retorika e tij atje të shpie; sidomos vullneti i çuditshëm për ta themeluar dinjitetin qytetar të shqiptarit, të çdo shqiptari, në prejardhjen e tij gjeografike, fisnore dhe dialektore.

Është një retorikë që përçan, në vend që të bashkojë; që hedh një krahinë kundër një tjetre; që i delegjitimon individët dhe arritjet e tyre vetjake, për t’i bërë këta të identifikohen me arritjet e të parëve dhe muzeun lokal.

Republikës shqiptare, si bashkësi e vullnetshme qytetarësh, nuk i intereson prejardhja e funksionarëve që ka në krye të institucioneve të saj. Janë të tjera tipare dhe atribute që u kërkohen këtyre njerëzve; dhe këta duhet të kujdesen t’i manifestojnë këto me përparësi, në vend që të shpalosin, vend e pa vend, se nga e kanë prejardhjen e ç’dialekt flasin në mëhallët e tyre.

Me Shkodrën po luhet kështu një lojë shumë e keqe, shumë regresive, madje reaksionare, e cila nuk i ka rrënjët në kulturë, por në politikë. Përndryshe, është vendi për të kujtuar, madje me forcë dhe krenari, se Skënderbeu, Barleti, Nënë Tereza, Buzuku, Fishta dhe Zef Pllumi nuk janë prona “të xanuna” prej “gegëve”, por u përkasin të gjithë atyre shqiptarëve që i kanë admiruar dhe përvetësuar, si personazhe të kulturës së tyre dhe të imagjinatës së tyre patriotike; dhe se është haptazi anti-kombëtare të përdoret historia, ose më keq akoma, biografia e individëve dhe e bajrakëve e oxhaqeve, për ta përçarë Shqipërinë sipas vijave krahinore. Gazeta "Mapo"

KOMENTE
  • A Dane Parizi koburja13:28 - 23 Tetor 2011
    qe ka shkur per lesh drejtori i radio tvsh kete e dinim po qe te flase brockulla tani u siguruam po une prindrit nje e kam toske e tjetrin gege cfare mund te jem o i divturi zei servil i gjithe qeverive te majta e te djathta.