English

Basha: Fondi shqiptaro-amerikan do bashkëfinancojë projektet për Tiranën

Tiranë, 24 tetor 2011, NOA – Pasi janë njohur me projektet e zhvillimit të Tiranës, drejtuesit e Fondacionit shqiptaro-amerikan kanë shprehur gatishmërinë të financojnë dhe bashkëfinancojnë me Bashkinë e Tiranës, projekte për rritjen dhe zhvillimin ekonomik, punësimin, stazhet e punësimit për të rinjtë, zhvillimin e infrastrukturës së brendshme të lagjeve të qytetit, projekte të mëdha të infrastrukturës së jashtme, zhvillimin social-kulturor etj. Këtë e deklaroi vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha pas takimit me Drejtorin Ekzekutiv të fondit shqiptaro-amerikan dhe fondacionit të ndërmarrjeve, Michael Granooff, si dhe anëtarët e bordeve drejtuese, me të cilët ndau vizionin dhe projektet e tij për Tiranën. Kryebashkiaku Basha i njohu drejtuesit e fondit me planet e zhvillimit të qytetit, me projektet strategjike si dhe me prioritetet për përmirësimin e cilësisë së jetës. “Sot Fondacioni i Zhvillimit shqiptaro-amerikan ka edhe një nga Fondet më të mëdha që operojnë në Shqipëri, por jo vetëm kjo, edhe vizioni që Bashkia e Tiranës ka për zhvillimin e qytetit është një bazë e mirë dhe një nxitje e fuqishme për bashkëpunimin mes Bashkisë së Tiranës, Fondit shqiptaro-amerikan të Ndërmarrjeve dhe Fondacionit të Zhvillimit shqiptaro-amerikan. Si fillim, mund të them se ishte një takim shumë i mirë. Të gjithë biem dakord se vlerat, objektivat, vizioni i Bashkisë së Tiranës dhe Fondacionit ka një hapësirë shumë të madhe përputhjeje me njëra tjetrën dhe kjo përbën një bazë të shkëlqyer, për të bashkëpunuar në të gjithë fushat që përmenda”, u shpreh kryebashkiaku Basha. Kryebashkiaku i Tiranës u ndal në veçanti në projektet e infrastrukturës, si zgjatimi i Bulevardit, ndërtimi i Parkut të ri të Tiranës, Tramvai, ndërtimi i Stacionit të ri të Trenit etj, si dhe në planet e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit, të cilat janë prioritete të Bashkisë së Tiranës. Drejtuesit e fondit shqiptaro-amerikan e vlerësuan këtë axhendë projektesh të Bashkisë së Tiranës dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në funksion të zhvillimit të qytetit dhe të përmirësimit të cilësisë së jetës. Drejtori Granoff vlerësoi se Bashkia e Tiranës ka një axhendë vërtet të fortë për të zhvilluar qytetin, projekte të cilat janë mjaft të ngjashme me ato që përbëjnë vizionin e Fondit të Zhvillimit shqiptaro-Amerikan. “Një nga çështjet për të cilat diskutuam gjatë, ishte se si të kalonim nga qëllimet e mira që kemi, tek gjërat konkrete që duhen bërë dhe një nga fushat ku sot vihet theksi më i madh, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë, është zhvillimi i partneritetit publik-privat. Një nga gjërat që njerëzit duhet të kuptojnë është se qeveria e vetme apo biznesi i vetëm nuk mund t’i bëjnë konkrete gjërat, ndaj kërkohet bashkëpunim, në mënyrë që këto para të marra apo këto fonde, të cilat nga njëra anë janë të taksapaguesve, nga ana tjetër të Fondit, të jenë vërtet vepra konkrete dhe të matshme në të ardhmen”, theksoi Granoff. mit/NOA

KOMENTE