English

Berisha: Fondi shqiptaro- amerikan, katalizator për reformat

Tiranë, 25 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeministri i vendit Sali Berisha në fjalën e mbajtur gjatë një pritje me Michael Granof, Presidentin e Fondit shqiptaro-amerikan dhe anëtarët e tij vlerësoi bashkëpunimin e bërë me Shqipërinë këto vite. “Në një udhëtim 15 vjeçar ia dolëm të realizonin në Shqipëri një nga historitë më të shkëlqyera që u krijuan nga mesi i viteve ‘90 nga Presidenti Clinton me vendet që sapo dolën nga diktatura komuniste. Shqipëria që ju gjetët 15 vjet më parë nuk është më, çdo njeri që s’do kishte fjetur këto vite do e kuptonte këtë, ju të dashur miq keni dhënë një rol parësor. Ju nisët punën me një fondacion shqiptaro- amerikan modest por më i madh akoma ishte dashuria juaj dhe përkushtimi për këtë vend ndaj dhe ju guxuat dhe hapët në Shqipëri bankën e parë private, ju e shtritë bashkëpunimin tuaj me qeverinë në të gjitha fushat”, u shpreh Berisha duke thënë se fondi shqiptaro- amerikan është bërë katalizator i reformave të mëdha në këtë vend, ku me qindra projekte frymëzuan dhe bënë që sektori privat dhe biznesi privat të merrte shembull. Kreu i qeverisë shqiptare përmendi disa projekte të tjera, si për ndërtimin e aeroportit, për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit projektet në fushën e arsimit në të gjitha fushat, duke thënë se këto projekte shënojnë një histori të vërtetë suksesi. Kryeministri Berisha theksoi se ekziston dhe një kontribut i paçmuar i cili nuk mund të matet me banka apo aeroport, dhe ato janë këshillat e çmuara për qeveritë shqiptare për të ndërtuar këtu tregun e lirë. “Gjatë kohëve të fundit kemi firmosur marrëveshje me ju dhe sektorin privat. Shqipëria mezi pret të bëhet Shqipëri dixhitale dhe Shqipëri jeshile, ajo ka nevojë jetike për zhvillim të qëndrueshëm. Ju falënderoj për mbështetjen e kombit tonë, ne po diskutonim bashkë pak më parë dhe po thonim që kohërat nuk janë më të mira për ekonominë botërore dhe për Shqipërinë është një rrugë e sigurt, që të bëjë gjithçka për të mbështetur dhe zhvilluar ekonominë e vendit”, përmbylli fjalën e tij Berisha. Më herët në fjalën e tij Michael Granof, Presidentin e Fondit shqiptaro-amerikan përmendi disa projekte duke theksuar se thelbi i tyre është punësimi. a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Sali Berisha

KOMENTE