English

Thaçi fajëson UNMIK për situatën në veri të Kosovës

Prishtinë, 27 tetor 201, NOA – I thirrur për interpelancë mbi situatën në veri të Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se situata në veri është trashëguar që prej luftës në Kosovë. “Të gjithë e dimë se situata në veri nuk është krijuar tani, por që nga lufta në Kosovë. Ne të gjithë e kemi të freskët gjenocidin serb ndaj popullsisë shqiptare”, deklaroi nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, kryeministri. Ai theksoi se kjo politikë e Serbisë për ndasi ekziston edhe në këtë moment, por tashmë është e sofistikuar, për shkak të thirrjeve të ndërkombëtarëve, dhe për më shumë, sepse Serbia kërkon të integrohet në BE. Kryeministri Thaçi fajësoi gjithashtu UNMIK-un për gjendjen në veri të Kosovës, pasi ka ndikuar në ndarjen e qytetarëve të saj nga pjesa tjetër e Kosovës, dhe në mënyrë direkte apo indirekte ka ndihmuar strategjinë e Beogradit për vendosjen e strukturave paralele dhe kriminale atje. Duke folur për masat e qeverisë së Kosovës në veri, kryeministri Thaçi tha se qytetarët e Kosovës në veri kanë ndierë tashmë për herë të parë ndihmën e shtetit të Kosovës. Shefi i qeverisë së Kosovës nënvizoi se Qeveria e tij do të rikthejë rendin dhe ligjin në veri të vendit. Në këtë suazë, kryeministri i Kosovës i paralajmëroi kriminelët serbë të veriut të Kosovës se do t’u vijë shumë shpejt. Kryeministri Thaçi bëri me dije se nuk do të ketë kthim prapa në rrugën e Kosovës drejt vendosjes së autoritetit të saj në të gjithë territorin e vendit, dhe kjo sipas tij, nuk do të arrihet me asnjë çmim ndaj vendit. Duke folur për dialogun me Serbinë, Thaçi e cilësoi atë si një obligim, dhe një përmbushje të vendimeve të marra në Kuvendin e Kosovës dhe aspiratave të Kosovës për integrimin drejt Europës. Ai theksoi se Serbia edhe pse ekziston marrëveshja e nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së, ka vendosur në mënyrë të njëanshme sanksione kundër Kosovës. Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kur do të vijnë si argumente tryeze çështjet e energjisë, telekomunikacionit, etj. Kryeministri i Kosovës u shpreh se autoritetet e Prishtinës janë të angazhuara për fqinjësi të mirë me Serbinë. mit/NOA

KOMENTE