Lajme > Lajme Ditore > Tetor - Dhjetor 2011 > Lajmet e datës 1 Nëntor 2011
 

KLSH, mazhoranca rrëzon propozimin e Presidentit

Tiranë, 1 nëntor 2011, NOA – Një ditë pasi kryeministri Sali Berisha e cilësoi të gabuar propozimin e Presidentit të Republikës, për emrin e Sali Shehut në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deputetët e mazhorancës kanë rrëzuar dekretin e Kreut të Shtetit për këtë emërim. Në seancën dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, ku ishte thirrur edhe ish-deputeti i PD-së, Sali Shehu dhe një nga eksponentët e kësaj partie, mazhoranca e cilësoi atë, si një kandidaturë, që nuk plotëson kriteret profesionale për postin e kryekontrollorit të Shtetit. 11 deputetë të mazhorancës votuan kundër dekretit të Presidentit, ndërkohë që deputeti demokrat Sherefenin Shehu abstenoi. Ndërsa deputetët e PS-së braktisën votimin. Vetë, ish-deputeti Sali Shehu deklaroi gjatë seancës se Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të jetë i pavaruar nga qeveria, dhe ai duhet të rrisë rolin auditues dhe të dërgojë shkelësit para drejtësisë. Shehu akuzoi ekzekutivin se ka eklipsuar KLSH-në. Gjatë fjalës së tij, ish-deputeti demokrat bëri të qartë edhe arsyet pse mazhoranva e rrëzoi emrin e tij, duke theksuar se shkak për këtë është miqësia e tij me Presidentin Topi. Ish-deputeti demokrat tha se i plotëson kushtet për postin e propozuar, pasi përveç se ka qenë polic ka ushtruar profesionin e juristit për 13 vjet. Kryetari i Shtetit dekretoi pak ditë më parë emrin e Sali Shehut në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por, reagimi i djeshëm i kryeministrit paralajmëroi edhe rrëzimin e këtij dekreti të Presidentit, i cilësuar si i propozim i papërgjegjshëm nga kryeministri. Ai i bëri me dije Presidentit se institucionet kushtetuese nuk janë të tijat, duke i thënë se u ka paraqitur për këtë post një anti-alternativë. Kryeministri e akuzoi Kreun e shtetit se ka shkelur Kushtetutën duke mos e konsultuar më parë emrin e propozuar. “Zgjedhja është e tij, është e gabuar. Çfarë është zotëria që është propozuar për Kryetar të Kontrollit të Shtetit. Ka një përcaktim kushtetuta, Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimet e saj, është normë kushtetuese, thotë se Kreu i Shtetit duhet të konsultohet me Parlamentit për kandidaturat që i sjell. Presidenti nuk do ta zbatojë këtë përcaktim, është zgjedhja e tij, por një gjë është e sigurtë, po ta marrë në këtë formë, sa herë që të mos i përmbahet do të shumëzojnë veten më zero, cilido qoftë, kaq është efekti”, theksoi dje gjatë mbledhjes së grupit kuvendor demokrat kryeministri Berisha. Ai theksoi se kandidatura e Sali Shehut nuk plotëson kriteret për postin që i propozohet. “Mund të kesh qenë polic i shkëlqyer, oficer policie i talentuar dhe askush në Shqipëri më shumë se unë, nuk i respekton, ju garantoj, njerëzit e uniformës dhe oficerët e policisë në mënyrë të veçantë, jua dimë të gjithë hallin, por kjo nuk do të thotë se, është kontroll policesk ajo që do të bësh, është kontroll tjetër”, tha Berisha. Por, ashtu siç tha edhe sot Sali Shehu, kryeministri kishte paralajmëruar këtë rrëzim dekreti edhe për një arsye tjetër: “Ka një tagër tjetër. Unë prisja nga i kandiduari të jepte dorëheqjen, si një akt përgjegjësie para ligjit dhe kushtetutës së vendit, nuk ndodhi, por natyrisht ne i qëndrojmë kushtetutës, ne i qëndrojmë ligjeve të vendit. Ne nuk e bëjmë këtë absolutisht si një akt karshillëku ndaj askujt. Jo, jo. Zonja apo zotëria, burri apo gruaja, që do të zgjidhet në atë postë të nderuar do të ketë tagrin kushtetues, për të kontrolluar gjithçka, shpenzimet, veprimtarinë buxhetore të qeverisë, të parlamentit dhe mbarë shtetit dhe i tillë do të jetë dhe për të tillë do ta respektojmë”, nënvizoi dje kryeministri Berisha. mit/NOA

Shkruani KomentinKOMENTE
  • Nuk ka komente të paraqitur në këtë lajm. Jini i pari që shkruani këtë.