English

Berisha: Rama fle me ëndrra; Ruçi: Nuk do të ndalemi

Tiranë, 3 nëntor 2011, NOA/Albana Qehajaj – Prej disa orësh Kuvendi vazhdon të jetë i përfshirë nga debatet për ligjin e kthyet nga presidenti për mbetjet urbane.

Kryeministri Berisha tha edhe sot se arsyeja e vërtetë e debatit është krijimi i partisë së re nga presidenti Topi i mbështetur nga kryetari i PS-së.

“Kjo ditë shënon “de facto” themelimin në këtë sallë të partisë së plehut. Pas themelimit të Aleancës së Plehut, shpërtheu epidemia: O burra të gjejmë vota në plehra. Po bëhët gjithçka, që në plehra të mbijnë partiçka”, iu drejtua kryeministri deputetëve socialistë.

Më tej ai ka argumentuar pse duhet votuar ligji.

“Ligji është për mbrojtjen e Shqipërisë nga mbetjet toksike. Ai i imponon qeverisë të përjashtojë më vendim të Kuvendit të gjitha plehrat toksike, si edhe të importohen edhe mbetjet jotoksike. Jo ashtu si e bënë socialistët në vitin 2003.

Sipas kësaj liste, në Shqipëri duhet të hyjnë 400 mbetje, por ligji që Qeveria ka miratuar lejon që të hyjnë 50 në tërësi, sipas kushteve që do të përcaktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave. Anjë prej tyre nuk është toksike.

Nga këto mbetje, janë 37 mijë ton mbetje plastike dhe pjesa tjetër, alumin, plumb, tekstil,druri dhe magneziumi”, tha Berisha.

Më tej ai akuzoi Ramën se, pas kalimit nga disfata në disfatë ka urdhëruar krijimin e një partie tjetër.

“Gjeti faqezinjtë e u kërkoi të dilnin kundër regjistrimit për te shpëtuar pasuritë e fshehura. Por, shqiptarët u treguan vendi: Shkoni të partia e plehut! Në vend ka 1 milion e 70 mijë krah pune sipas statistikave zyrtare. Por shqiptarët nuk mund t’i gënjeni dot. Ju vetë krijoni një realitet që nuk ekziston dhe i besoni vetë atij. Kryetari juaj, bie në gjumë si Edi Rama dhe zgjohet njëherë si Obama, njëherë si Merkel apo si Sarkozy. Ju vetë keni firmosur ligjin për plehrat dhe tani silleni ndryshe si ju urdhëron Kryetari. Por zgjedhja juaj, është bllokimi. Viti 2013 po vjen dhe ju garantoj se do të dilni minus 500 mijë vota në raport me këtë koalicion”, e mbylli fjalën e tij kryeministri Berisha.

Ruçi: Berisha sulmon njeriun e familjes së tij politike

Kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi reagoi menjëherë pas fjalës së kryeministrit dhe akuzave të tij për Topin dhe Ramën.

“Ti shan presidentit që ka dalë nga familja jote politike. Ky është vendimi yt, por ne nuk lejojmë importin e plehrave në Shqipëri. Dhe bashkë ndahemi në dy pika: ligji nuk zgjidh menaxhimin dhe ti s’mund të na imponosh dot alternativen tendë.

Ligji i parë, në seancën e parë që ti do të miratosh është ligji që ti bashkë me plehrat e tjera të zhdukesh nga Shqipëria. Hiq nenin 22 dhe pastaj hajde të ulemi të diskutojmë”, deklaroi Ruçi.

a.q/NOA

KOMENTE