English

Berisha: Shqipëria superfuqi e energjisë së rinovueshme

Tiranë, 3 nëntor 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi se Shqipëria i ka të gjitha potencialet që të shndërrohet në një superfuqi të vogël rajonale në prodhimin e energjisë së rinovueshme.

“Ne kemi potenciale për të ecur në rrugën jeshile. Shqipëria mund të bëhet një vend me 100 % prodhim të energjisë së rinovueshme. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të ecur në këtë rrugë. Rezervat ujore të vendit janë shfrytëzuar 1/3 % dhe mbeten ende për t’u shfrytëzuar edhe 2/3 % e këtyre potencialeve. Ne mund të bëhemi superfuqi energjetike”, deklaroi kryeministri në konferencën “Energjia Hidrike, mundësitë në Shqipëri”, e organizuar nën kujdesin e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në këtë suazë, kryeministri i ftoi investitorët dhe bankat e nivelit të dytë të mbështesin me financime investitorët e energjisë, duke dhënë kredi të buta për ndërtimin e HEC-eve të rinj, për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Duke falenderuar BERZH-in për investimet e shumta në vend, shefi i ekzekutivit mbështeti rishtas ligjin për energjinë e rinovueshme, duke ftuar koncesione të reja për shfrytëzimin për prodhim energjie të burimeve hidrike të vendit.

“Koncesionet në hidrocentrale janë një ndër arritjet më të suksesshme. Falë këtij ligji shpërtheu një garë e paparë në historinë e tregut të vendit. Rezultati i garës është se qeveria ka nënshkruar 110 kontrata për ndërtimin 300 HEC-ve. Ligji nuk lejon qeverinë të negociojë me investitorët dhe parandalon edhe dështimin”, tha kryeministri Berisha.

mit/NOA

KOMENTE