English

Ermelinda Meksi pranon propozimin e PS, pritet dorëzimi i mandatit

Tiranë, 3 nëntor 2011, NOA – Pas mosmarrëveshjeve të një dite më parë me lidershipin e opozitës Edi Rama, deputetja e Partisë Socialiste Ermelinda Meksi ka pranuar më në fund propozimin e PS-së për ta kandiduar atë, si anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, kandidim, për të cilin ajo deri mbrëmë vonë nuk kishte dhënë pëlqim.

Vendimi i Ermelinda Meksit u bë i ditur sot gjatë mbledhjes së grupit kuvendor socialist, i thirrur pak minuta para nisjes së seancës së sotme plenare, ku do të shqyrtohen dhe hidhen në votë, emrat për vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Deputetja e njohur socialiste Ermelinda Meksi pritet që, pas pranimit të këtij propozimi të dorëzojë sot në Kuvend mandatin e deputetit, duke i lënë vendin e saj në sallë, një deputeti të ri, dhe pikërisht të birit të deputetit të vrarë socialist Fatmir Xhindi, 24-vjeçarit Anduen Xhindi.

Deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi kishte ngurruar të pranonte dorëzimin e mandatit, në këmbim të kandidimit si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ish-ministrja e Integrimit është njëra nga anëtaret e propozuara nga Kuvendi, për Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së.

Sot do të votohen në Kuvend edhe kandidaturat e tjera për këtë këshill, Dhori Kule i kandiduar nga PD dhe Ela Golemi nga LSI.

mit/NOA

KOMENTE