English

Frika nga Fukushima

Qëllimi i qeverisë është ta kthejë Shqipërinë në një prodhues dhe eksportues të madh të energjisë së gjelbër të rinovueshme në rajon. Po shpresoja edhe për energjinë nukleare, por pas asaj çfarë ndodhi në Fukushima, mendoj se duhet ta mbajmë në pritje atë ide dhe të vazhdojmë me energjinë e gjelbër, sa më shumë që të mundemi

Nga Sali Berisha

Shqipëria është një vend i vogël që ka pasur një të kaluar të vështirë dhe të veçantë, por, gjithashtu, ka shënuar progres vërtetë të madh gjatë këtyre viteve. Vendi ynë ishte një nga më të varfëritë në botë. Në vitin 1992 të ardhurat për frymë ishin 204 dollarë, ndërsa sot janë rreth 8000 dollarë. Nga një vend ku investimet e huaja direkte ishin të ndaluara me kushtetutë, vitin e kaluar ishim vendi i vetëm që ka shënuar rritje të investimeve të huaja direkte. Vendi ka sektor publik shumë të vogël, renditet në dhjetëshen e parë të vendeve me qeverinë më të vogël dhe me ndërhyrje më të vogël të qeverisë. Në tërësi, ne përdorëm liritë për të përshpejtuar zhvillimin e vendit tonë. Për të inkurajuar investimet ne u zotuam të vendosim barrën me të ulet fiskale në Evropë. Shqipëria është vendi i taksës së sheshtë prej 10 përqind dhe taksa e kontributeve të Sigurimeve Shoqërore për sipërmarrësit prej 15 përqind. Ne hoqëm shumë lloje taksash. Kontraktorët mund ta marrin tokën, përdorimi i të cilës do të jetë për qëllime bujqësore, industriale ose turistike, për 1 euro për 99 vite. Ne jemi përpjekur të heqim pengesat burokratike. Kështu jemi vendi i one stop shop- ve. Hoqëm 2/3 e lejeve dhe licencave, të tjerat i kemi mbledhur në një one stop shop të lejeve dhe licencave. Ne renditemi lartë në mbrojtjen e investimeve të huaja direkte. Vendi im aprovoi vitin e kaluar një ligj shumë të rëndësishëm mbi çështjet e tokës, në të cilin thuhet se nëse investitorët blejnë tokën bazuar në dokumente origjinale shtetërore nuk do të përballen më me pretendimet e të tretëve. Çdo pretendim mbi pronësinë mund t’i drejtohet qeverisë shqiptare, e cila do të mbajë të gjitha përgjegjësitë. Ky ligj është posaçërisht për investitorët e huaj, jo për ata shqiptarë, sepse nuk ka pasur asnjë investitor shqiptar që është ankuar për këtë çështje. Mund të ketë pasur dy ose tre investitorë të huaj që janë ankuar. Kur përgatitëm draftin e ligjit më pyetën pse nuk përfshihen investitorët shqiptarë dhe unë u thash që ata nuk kanë pasur probleme të tilla. Ndaj, besoj se i dhamë përgjigjën e duhur çështjes së titujve të pronësisë. Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por është një vend me potenciale të jashtëzakonshëm. Një nga potencialet e saj të mëdha është prodhimi hidro-energjetik. Ne jemi të pasur në burime ujore, nuk kemi lumenj të mëdhenj në vlerë, por ujërat tanë së bashku krijojnë vlerë. Kështu që duhet të ndërtojmë dhe qeveria ime është e vendosur për të bërë më të mirën, për të inkurajuar përdorimin e të gjitha kapaciteteve ujore për prodhimin e energjisë.

***

Ne jemi përballur me një trashëgimi të vështirë, por unë besoj se ne meritojmë një të ardhme të gjelbër. Prandaj, ambicia ime është që vendi të bëhet i gjelbër, “Go Green”. Kështu në vitin 2007 nxorëm një ligj të ri për koncesionet mbi ndërtimin e hidrocentraleve. Ky ligj i ri ndezi gara shumë aktive mbi këto çështje. Ligji nuk e lejon qeverinë të negociojë direkt me investitorët, por ligji parandalon dështimin. Kjo do të thotë se kur të ketë një projekt mbi hidrocentralet që do të depozitohet në ministri, një grup ekspertësh do ta rishikojnë për dy qëllime madhore: së pari, shfrytëzim optimal i ujërave dhe së dyti, respektimi dhe mbrojtja e mjedisit. Kur projekti i plotëson këto dy kushte, merr një bonus nga Këshilli i Ministrave, 1 – 10 përqind, kur ky bonus është i pranishëm në treg. Në rast se vijnë kompani të tjera do të vlerësohen dhe më e mira fiton. Në rast se askush nuk vjen, atëherë e para që vjen është fituese. Kështu nuk ka dështim. Ky ligj i hap dyert një gare shumë aktive. Në pothuajse dy vjet kemi arritur të nënshkruajmë 110 kontrata për rreth 300 hidrocentrale. Ju siguroj se më shumë se 99 përqind e të gjithë këtyre tenderëve kanë patur më shumë se dy ose tre pjesëmarrës. Kjo ka qenë një garë e paprecedent. Shqipëria, në total, ka për të ndërtuar 443 hidrocentrale në të gjithë vendin. Në këto 300 hidrocentrale, në 36 pre tyre ka patur progres të shumtë në punime, 18 i kanë përfunduar punimet dhe në 24 kanë filluar punimet. Pjesa tjetër po ju pret juve, po pret investitorë të tjerë. Kjo është arsyeja pse jam këtu. Jam këtu për t’ju ftuar, për t’ju inkurajuar të vini të investoni në vendin tim.Ne po ofrojmë marrëveshje afatgjatë të procesimit të për investitorët. Pa dyshim, problemet e tyre me shpronësimin nuk janë të mëdha, sepse shumica e hidrocentraleve janë në zona të pa banuara. Edhe në këtë kontekst, puna mund të bëhet më shpejt. Para disa muajsh kam qenë me një kompani austriake në inaugurimin e fazës së parë të investimit të tyre, në hidrocentralin e Ashtës dhe Zëvendëspresidenti i kompanisë austriake Verbund, tha se në Austri i është dashur të presë për investime në hidrocentrale të vogla për 6 vjet, ndërsa këtu iu desh një kohë shumë e shkurtër. Unë kujdesem shumë që burokracia të mos ju shqetësojë dhe të mos jetë një barrë e rëndë për ju. Shqipëria është një vend me lartësinë mesatare mbi nivelin e detit më të madhe në Evropë. Nuk kemi majën më të lartë, por majat më të shumta në numër. Lartësia mesatare është 7008 metra. Kemi një bregdet shumë të gjatë dhe platforma natyrale ere. Kështu që jemi duke punuar mbi parqet e energjisë së erës. Kemi licencuar 1600 megavat dhe së shpejti do të licencojmë 3200 megavat të tjerë. Dy kabllo do të lidhin Shqipërinë me Italinë, është një koneksion i ri me Malin e Zi, ndërkohë që do të nisim së shpejti një koneksion të ri me Kosovën dhe Maqedoninë. Po rinovojmë të gjithë rrjetin elektrik. Shqipëria është vendi me diellor në rajon. Kështu, unë besoj se investitorët tuaj në energjinë diellore do të gjejnë vërtetë një vend për sukses të madh. Ne jemi të hapur për gjeotermikën, po punojmë me disa kompani të mëdha mbi prodhimin e energjisë nga gjeotermika. Shpresojmë që së shpejti të fillojmë. Qëllimi i qeverisë është ta kthejë Shqipërinë në një prodhues dhe eksportues të madh të energjisë së gjelbër të rinovueshme në rajon. Po shpresoja edhe për energjinë nukleare, por pas asaj çfarë ndodhi në Fukushima, mendoj se duhet ta mbajmë në pritje atë ide dhe të vazhdojmë me energjinë e gjelbër, sa më shumë që të mundemi.

***

Një çështje tjetër që do të doja t’ju ftoja është ICT, Shqipëria në moshën dixhitale. Në vitin 2006, kemi pasur indeksin më të ulët të penetrimit të ICT në botë prej 4.8 %. Ishte shumë i ulët. Por ne punuam për të dixhitalizuar shërbimet dhe procedurat. Tashmë jemi vendi i taksave elektronike, prokurimeve elektronike, doganave elektronike, Regjistrit të Gjendjes Civile elektronik. Ne jemi vendi i e-biznes, licencave elektronike. Unë e di që ju pa dyshim qëndroni më lartë se ne, por ambicia jonë është të shkojmë lartë e më lartë. Para katër viteve zhvillova një vizitë në Estoni. Doja të mësoja si vepronin dhe ata më shpjeguan shumë mbi arritjet e tyre. Por ne kemi një përqasje që vjen më shumë nga rinia. Jemi një vend i ri, të rinjtë janë shumë të lumtur që lundrojnë në internet dhe mendoj se ata janë shtytësit kryesorë të një zhvillimi të tillë. Një projekt i madh është kurrizorja kombëtare. Kështu Tirana së shpejti do të nise punën për një qasje të re të ICT-së, ku investitorët tuaj janë më se të mirëpritur. Ata do të gjejnë në Shqipëri një vend shumë të rehatshëm për të investuar. Ne kemi infrastrukturë, regjim fiskal shumë të ulët, një treg të fuqisë punëtore të ri dhe dinamik. Kurrë mos e harroni që Shqipëria ka për momentin tregun e fuqisë punëtore më të mirë në Evropë, më të riun, të edukuar mirë, punëtorë. Kështu që, kushdo që do të investojë në vendin tim, do të ketë një histori suksesi.

***

Shqipëria gjatë këtyre viteve, ka arritur, nga viti 2006 në 2010 një rritje prej 316 % në investimeve të huaja direkte. Ndërkohë që në botë, vitin e kaluar, liritë ekonomike pësuan një frenim, në Shqipëri janë rritur me 16%. Ne bëjmë më të mirën për të rritur liritë në vendin tim. Sërish ju ftoj të konsideroni seriozisht investimet në vendin tim. Ju siguroj se do të keni një histori të suksesshme dhe do të gjeni përkrah burimeve të mëdha, potencialeve, klimës shumë të favorshme fiskale, një mik shumë të madh, qeverinë shqiptare që do t’ju mbështesë në çdo hap, bazuar në një kuadër ligjor shumë të mirë.

* Fjala e mbajtur sot në punimet e Forumit Ekonomik Shqipëri-Norvegji

KOMENTE