Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Idealistët e katapultuar në materialistë
English

Idealistët e katapultuar në materialistë

Nga Albin Kurti

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në mënyrë krejtësisht të natyrshme janë rritur ambiciet e shqiptarëve nga Kosova dhe jo vetëm të atyre. Të ndarë dhunshëm para gati një shekulli nga të tjerët, shqiptarët gjithnjë ishin të shtypur, të diskriminuar e të persekutuar, ku(r) më shumë e ku(r) më pak. Shqipëria ishte e rrethuar me shtete të huaja, të cilave nuk iu pushuan apetitet asnjëherë kundër saj, por njëkohësisht, Shqipëria ishte e rrethuar gjithandej edhe me shqiptarë autoktonë që kishin mbetur jashtë atdheut e rrotull saj. Çfarëdo avancimi i pozitës politike, juridike, ekonomike, sociale a kulturore të shqiptarëve, pra çfarëdo faktorizimi i shqiptarëve ku(r)do, shihej si hap e mundësi shtesë drejt bashkimit të tyre. Sepse, përgjithësisht, shqiptarët me të drejtë vlerësonin që janë të dobët sepse janë të ndarë dhe se janë të ndarë sepse janë të dobët. Ashtu qysh dobësia e ndarja u bënë sinonime, njësoj, forcimi dhe bashkimi u shndërruan në fjalë që ngjallnin përfytyrim identik dhe kishin domethënie të njëjtë. Shpalljen e pavarësisë së Kosovës, shqiptarët e shihnin si një ecje përpara në rrugën drejt forcimit e bashkimit të tyre në një shtet. Me pavarësinë e Kosovës ishim më pak të dobët dhe më pak të ndarë, me një shans të ri për të qenë më të fortë drejt bashkimit.

Në kundërshtim me pritjet dhe ambiciet e shtuara të shqiptarëve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duket qartë që tash ndodhemi në fazën e përpjekjeve qeveritare për t’i zvogëluar ato ambicie dhe pritje të shqiptarëve. Qeveria e Kosovës bën çmos që shqiptarët të presin dhe të synojnë sa më pak në mënyrë që të kënaqen me aspak. Ata e portretizojnë gjendjen aktuale si realitetin më të mirë të mundshëm dhe intensivisht i menaxhojnë aspiratat e shqiptarëve përmes orvatjeve për zvogëlimin e tyre.

Pak javë më parë, gjersa isha në një tubim në fshatin Korishë të Prizrenit, në debatin që pasoi fjalën e mori një bashkatdhetar yni që tash e tri dekada jetonte në Perëndim. Ai evokoi një tubim në vitet e ’80, kur atëbotë, njëri nga veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare shqiptare, para mërgimtarëve tanë kishte deklaruar që populli shqiptar do ta shkatërrojë Jugosllavinë që me politikat e saj shtetërore po i shfrytëzonte e shtypte shqiptarët teksa synonte t’i dëbonte ose asimilonte ata. Ky veprimtar i mirënjohur ishte inkuadruar edhe në UÇK, kurse më pastaj ishte bërë zyrtar i lartë në institucionet e Kosovës në të gjitha mandatet e tyre të pasluftës dhe vazhdonte të ishte i tillë edhe sot e kësaj dite. Në vjeshtën e këtij viti, pas shumë viteve, bashkatdhetari nga Korisha e kishte takuar sërish këtë veprimtar të dikurshëm të shndërruar në zyrtar të lartë. Pasi që kishin kujtuar kohërat e dikurshme dhe aktivitetet e përbashkëta ilegale e gjysmëlegale, bashkatdhetari në fjalë e kishte pyetur zyrtarin për situatën politike në Kosovë e posaçërisht për gjendjen në veri të Kosovës me ç’rast kishte marrë një përgjigje befasuese nga shoku i tij i dikurshëm. Ai i kishte thënë qysh në veri të Kosovës nuk mund të depërtojnë dhe nuk mund të ndërhyjnë, sepse atje janë bandat nga Serbia që nuk e lejojnë këtë gjë! Qytetari nga Korisha nuk po mund t’iu besonte veshëve të tij: i njëjti njeri që dikur thoshte që populli shqiptar do ta shkatërrojë Jugosllavinë, tash po i thoshte që s’është e mundur të bëhet asgjë më shumë në veri të Kosovës, pasi që atje bandat e Serbisë e kanë bërë të pamundshëm ndryshimin!

Shembuj të këso veprimtarëve të zyrtarizuar lart në Kosovë, sigurisht që ka shumë. Ata ndodhen kudo: prej pushtetit lokal e deri te Qeveria, prej kulturës e arsimit e deri te ekonomia dhe financat. Mirëpo, si bëhet që këta njerëz ndryshuan kaq shumë, kaq shpejt dhe kaq kollaj? Si është e mundur që dikur ata besonin aq shumë në ndryshimet që mund t’i shkaktojë populli e sot janë pengesë për çfarëdo ndryshimi?

Ajo që është menjëherë e dukshme te këta njerëz që ndryshuan kaq drastikisht qëndrimet dhe bindjet e tyre është ndryshimi që këta kanë përjetuar sa i përket gjendjes së tyre materiale. Në vitet e veprimtarisë ilegale dhe të luftës çlirimtare ata kishin qenë përgjithësisht të varfër, ndërkaq në vitin e parë të pasluftës, e ndoshta edhe në javët apo madje ditët e para të pasluftës, ishin bërë super të pasur duke e vazhduar zanatin e pasurimit edhe në vitet në vazhdim. Pra, që të gjithë ata ishin pasuruar me katapult: prej bodrumit të ndërtesës ishin ngjitur përnjëherë, me katapult e pa shkallë ose lift, drejt e në katin e dhjetë. Tash mundohen të mbesin aty me çdo kusht, edhe për shkak se nuk dinë që ka kat të tetë, të pestë apo kat të tretë. Për ta ekzistojnë vetëm bodrumi dhe kati i dhjetë. Duke qenë se u ngjitën me katapult, ata besojnë që mund të zbresin vetëm me gravitacion. U pasuruan brenda pak muajve në mënyrë të pandershme dhe të paligjshme, prandaj, nëse nuk vijojnë të jenë super të pasur, mendojnë që do të bëhen sërish të varfër. Nga kati i dhjetë do të mund të kthehen vetëm në bodrum ku ishin dikur dhe askund tjetër, për shkak se asnjëherë nuk kishin qenë askund tjetër.

Këta ish-veprimtarë të dikurshëm, gjithsesi janë shumë të rrezikshëm për shkak se ndjehen shumë të rrezikuar. Ata dikur njëmend ishin idealistë, por tash janë bërë materialistët më brutalë të mundshëm. Idealin e papërmbushur që dikur e kanë pasur për kombin, popullin e shoqërinë e kanë zëvendësuar me ideal të realizuar për veten e tyre. Ambiciet e tyre për kombin e shtetin tonë janë kurrëfare, ndërsa ambiciet e tyre për vetveten janë të pafundme. Ata duan që edhe të tjerët t’i bëjnë si vetja e tyre: pa ambicie për diçka tjetër prej vetes së tyre. Sot, ata janë menaxherët kryesorë të zvogëlimit të pritjeve dhe ambicieve të shqiptarëve.

Njerëzit të cilët i kanë braktisur idealet e tyre janë shumë më të rrezikshëm sesa ata të cilët vazhdojnë të jenë idealistë. Realiteti kosovar po na e tregon se ata që i kanë braktisur idealet e tyre janë bërë njerëzit më të paskrupullt: materializmi vulgar, individualizmi i skajshëm, oportunizmi mizor dhe konformizmi i përhershëm tashmë përshkruajnë gjendjen e normalizuar të tyre.

NOA

KOMENTE