Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rruga Tiranë-Elbasan, Berisha: Opozita përdori pushtetin për ta bllokuar
English

Rruga Tiranë-Elbasan, Berisha: Opozita përdori pushtetin për ta bllokuar

Elbasan, 19 nëntor 2011, NOA Update – Nga Elbasani ku inspektoi punimet në kilometrin e parë të hapur, të tunelit të Kërrabës, pjesë e korridorit rrugor Tiranë –Elbasan, kryeministri Sali Berisha sulmoi opozitën, e cila sipas tij, përdori pushtetin e saj për të bllokuar kalimin në Parlament të buxhetit të shtetit për këtë korridor të rëndësishëm, që do të shkurtojë në plot 18 minuta, distancën kohore mes kryeqytetit dhe Elbasanit, e anasjelltas.

“Në mënyrën më të pabesueshme, por edhe të papërgjegjshme, ata personalizuan korridorin me Sali Berishën dhe harruan, që ky është korridori i miliona shqiptarëve. Ky korridor është korridori i burrave dhe grave, fëmijëve, intelektualëve, mësuesve, studentëve të Elbasanit, të Korçës, të Librazhdit, të Gramshit, të Pogradecit, të Dumresë, është korridori i qindra dhe mijëra shqiptarëve nga Maqedonia dhe maqedonasve që vijnë në Shqipëri, që vijnë në Tiranë, që pushojnë në brigjet tona. Është segmenti kryesor i Korridorit 8. Në respekt, vërtet ne qëndruam atë natë, deri në 5 të mëngjesit duke debatuar, por natyrisht ne votuam, vendimin e morëm dhe ja ku është vepra e atij votimi, e atij buxheti”, deklaroi kryeministri.

Duke iu referuar krizës ekonomike, në të cilën po kalon Evropa dhe bota mbarë, shefi i qeverisë ritheksoi se “Shqipëria sot është e tëra në rindërtim dhe nuk mund të injorohet fakti se në një mënyrë apo një tjetër efektet e saj pasqyrohen dhe në Shqipëri, por asgjë nuk mund të lëkundë vullnetin tonë për të shndërruar paratë e taksapaguesve shqiptarë në rrugë, në autostrada, në shkolla, spitale, ujësjellësa, kanalizime, frutikulturë”.

Ai rishtas i bëri të qartë opozitës se përkundrejt makinerisë së shpifjeve, të trillimit dhe nihilizmit, qeveria do të vazhdojë ndërtimin çdo ditë, çdo javë, çdo muaj të veprave të Shqipërisë evropiane.

“Le tu përgjigjemi ne, shpifjeve, trillimeve, mashtrimeve, me vepra dhe vetëm me vepra”, tha kryeministri.

Punimet në tunelin Tiranë-Elbasan kapin në vlerë në rreth 101 milion dollarë dhe janë investim i Buxhetit të Shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim.

Tuneli do të jetë me dy tuba, me nga dy korsi secila, me gjerësi 8 metra dhe lartësi 5 metra për secilin.

Punimet e gërmimit kanë filluar në të dy tubat, nga të dy portalet.

Pas përfundimit të procesit të gërmimit, puna do të vazhdojë me betonimin dhe punimin e pajisjeve elektro-mekanike.

Tuneli së bashku me akset rrugore para dhe pas tij, respektivisht me gjatësi 13 kilometra dhe 11.5 kilometra do të formësojnë një rrugë të re, të rëndësishme, e cila shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta.

Rruga Tiranë-Elbasan është segment i rëndësishëm i Korridorit 8, dhe po ndërtohet me standardet më të larta të ndërtuara deri më sot, në vendin tonë, por edhe në Ballkan.

Rruga do të jetë e gjerë 28,2 metra, me 6 korsi, si dhe rreth 1,7 kilometra ura dhe vijadukte.

Gjithashtu rruga ka shumë mbikalime dhe nënkalime, si dhe parashikon sistemimin e shtratit të lumit Kushe, duke zgjidhur dhe një problem për tokat bujqësore të fermerëve të kësaj zone.

“Ky tunel së bashku me tunelin e Kalimashit dhe tunelin e Qafë Murrizit do të ndryshojë në mënyrë përfundimtare Shqipërinë. Korridori Tiranë-Elbasan, është segmenti më i vështirë dhe më i rëndësishëm i Korridorit 8”, u shpreh kryeministri Berisha pas inspektimit të punimeve në të dy kahet e tunelit, ku në mënyrë simbolike shtypi butonin e detonimit për shpërthimin e masës shkëmbore në tunel dhe vijimin e mëtejshëm të punimeve.

mit/NOA

KOMENTE