English

Berisha: Sot nis viti i 100 vjetorit të Pavarësisë

Tiranë, 28 nëntor 2011, NOA- Me rastin e festës së Pavarësisë dhe në vijim të axhendës së tij të ngjeshur në këtë ditë Kryeministri Berisha ka përshëndetur koncertin festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës, në sheshin “Nënë Tereza”. Nën shoqërinë e kryebashkiakut Basha, Berisha shprehu edhe njëherë nderimin më të thellë për gjithë ata që sakrifikuan ëndrrën e tyre në themel të Shqipërisë së lirë e të pavarur. “Shqipëria hyn në 100 vjetorin e Pavarësisë së saj, më e mençur, më e zgjuar, më e fuqishme, më e re, më e bukur se kurrë në historinë e saj. Shqipëria sot ka fytyrën tuaj, shpirtin tuaj, zemrën tuaj, vizitonin tuaj”, iu drejtua Kryeministri Berisha të rinjve të pranishëm në sheshin “Nënë Tereza”. Duke u uruar festën e Pavarësisë ai u shpreh se, sot niset vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Berisha tha se janë 100 vite udhë dhe shtigje të vështira, 100 vite rrebeshe të mëdha historike, por 100 vite në të cilat rinia e këtij vendi, në çdo rrethanë dhe çdo kohë, u bë shpëtimtare e saj.

“Sot ne kremtojmë ditën e të gjitha ditëve të mëdha, aktin më madhor të historisë sonë kombëtare, aktin që bëri të mundur që shqiptarët të jenë sot të lirë në Tiranë, në Prishtinë dhe kudo që janë. Shqipëria hyn në 100 vjetorin e Pavarësisë së saj, më e mençur, më e zgjuar, më e fuqishme, më e re, më e bukur se kurrë në historinë e saj”, mbylli fjalën e tij Kryeministri Berisha duke uruar edhe njëherë Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë.

a.y/NOA

KOMENTE