Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Korrupsioni në rritje, Marschall: Institucionet janë të dobëta
English

Korrupsioni në rritje, Marschall: Institucionet janë të dobëta

E enjte, 1 dhjetor 2011, NOA - Pas publikimit sot të indeksit të korrupsionit për vitin 2011 nga Transparency International, Miklosh Marschall, drejtor i rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore komenton rezultatet e indeksit për rajonin juglindor, Shqipërinë dhe Kosovën.

Në një intervistë për Deutche Welle (seksioni shqip) ai shprehet se renditja është pasojë e punës së dobët të institucioneve.

Organizata Transparency International ka paralajmëruar në raportin e saj për perceptimin e korrupsionit në vitin 2011, se protestat qytetare përgjatë vitit 2011 janë një sinjal serioz për qeveritë se nuk janë transparente, dhe se qeveritë kanë dështuar në mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimi dhe korrupsioni. TI e ka theksuar këtë edhe më parë. Ndjeheni ju të konfirmuar sot?

Është e vërtetë që po të shohësh raportet e mëparshme, ka shumë pak ose aspak përmirësim në luftën kundër korrupsionit. Kjo i zemëron qytetarët. Në shumë pjesë të botës, por sidomos në jug të Evropës, qytetarët janë të zemëruar me elitën politike dhe të biznesit. Marrëveshjet e tyre nuk janë transparente. Sistemi partiak dhe financiar është shumë jo transparent. Raporti i TI është një sinjal alarmi për qeveritë për të ndryshuar. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për rajonin e Ballkanit, që do t'i bashkohet BE-së. TI ka paralajmëruar prej vitesh edhe për Greqinë, anëtare e BE-së që Greqia ka një problem shumë të rëndë me korrupsionin. Ka një lidhje direkte mes korrupsionit dhe stabilitetit.

Raportet e TI nxjerrin rezultatet se vendet nordike të Europës janë gjithmonë në vendet e para, ndërsa jugua, apo juglindja evropiane zë vende nga fundi. Shihet korrupsioni në këto shoqëri si diçka normale?

Ndryshimi është ky. Edhe në vendet nordike ka korrupsion, nuk ka dyshim, nuk ka vend pa korrupsion, por ai është më shumë devijim dhe jo një sistem. Për fat të keq në shumë vende të Evropës Juglindore dhe në Azinë Qendrore, korrupsioni gjendet në sistem, ai nuk është përjashtimi por rregulli...Duhet thënë se korrupsioni është gjithmonë përgjigja ndaj institucioneve të dobëta.

Kosova nuk ze një vend të lakmueshëm në renditjen e vendeve të korruptuara. Ajo zë vendin e 112-të, jo shumë larg Etiopisë. A nuk është kjo një çertifikatë negative për qeverisjen?

Sigurisht nuk është çertifikatë e mirë për qeverinë. Por ajo që duhet veçuar është se Kosova është një shtet i ri, në fillimet e qenies si shtet, por pikërisht tani qeveria duhet të japë një dëshmi se di ta drejtojë vendin, prandaj korrupsioni është një çështje shumë më tepër serioze për një shtet të ri. Qeveria kosovare ka një rol historik në këtë kontekst, të bindë komunitetin ndërkombëtar e vetë qytetarët e vendit se është e aftë të krijojë kornizat e duhura për një tranzicion të suksesshëm social dhe ekonomik. Është ajo që duhet të mbrojë qytetarët e saj nuk abuzimi. Dhe me sa duket ajo nuk qenë shumë e suksesshme. Por Kosova si shtet i ri është përfshirë për herë të dytë në indeksin e korrupsionit nuk gabohem, pra nuk kemi shumë vlera krahasuese. Por nëse shohim vendet e tjera ka një lloj përmirësimi që të mos jemi shumë pesimistë. Por ato janë shumë të ngadalta.

Por qeveria kosovare e ka vënë një ndër prioritetet luftimin e korrupsionit...

Unë nuk njoh ndonjë qeveri në rajon që të mos e ketë vënë prioritet kryesor luftimin e korrupsionit. Këtu ka shumë premtime. Është vetë njëra anë ta bësh ligjin, por më shumë e vështirë është ta zbatosh atë. Shohim se në Kosovë institucionet më të rëndësishme nuk janë forcuar ende. Njerëzit dhe bizneset gjejnë zgjidhje alternative për zgjidhjen e halleve të tyre, prandaj edhe ekonomia informale është tepër e përhapur. Natyrisht Kosova ka startuar nga një pozicion i vështirë, duhet të jemi realistë, por është e drejtë të presim përmirësime më të shpejta.

Shqipëria ka rënë nga vendi i 87 në 2010 në vendin e 95 në 2011. Çfarë nuk ka funksionuar këtë vit?

Do të isha i kujdesshëm me vëmendjen kushtuar ndryshimeve nga viti në vit në këtë renditje. Kjo rënie mund të ketë shumë arsye, jo vetëm sepse patjetër ka pasur korrupsion më të madh. Duhet thënë se Shqipëria ka bërë disa reforma të rëndësishme, por ka vuajtur shumë për shkak të luftës politike në vend. Kjo ka qenë pengesë e madhe në vend, vitin që shkoi. Tani situata politike është përmirësuar. Qeveria mund të fokusohet më shumë në vazhdimin e reformave. Por tek Shqipëria ashtu si shumë vende në rajon shohim se një shtysë shumë e madhe për reforma, është aspirata e integrimit në BE. Por përmirësimet janë shumë të ngadalta. Duhet thënë se cilësia e administratës publike në Shqipëri le shumë për të dëshiruar. As sistemi juridik nuk i ka përmbushur pritshmëritë, po ashtu edhe ekonomia informale ka ende shkallë të lartë lulëzimi. Sektori pra jashtë juridiksionit, siç e quajmë ne, është tepër i fuqishëm në Shqipëri, pra qeveria ende nuk e ka vënë nën kontroll këtë sektor.

a.q/NOA/DW

KOMENTE