Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
M’preve, t’preva, brisku i Cooperit
English

M’preve, t’preva, brisku i Cooperit

Edhe herën e dytë kur disa studentë i dorëzuan një “ mirënjohje “ me të cilën laureohej në Doctor Honoris Corruptiva i njëjti ditën e parë ishte i qetë dhe me humor. Mirëpo...

Nga Behxhet Sh. Shala

Lehtësues apo shtrëngues

Bisedimet “ teknike “ midis Borko Stefanoviqit dhe ( S ) Edita Tahirit po vazhdojnë në Bruksel. Republika e Kosovës nga këto bisedime ka fituar shumë sikur që Serbia ka humbur shumë. Është lodhur fare. Evropa po i vardiset Kosovës shumë në mënyrë që ajo të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Kosova po qëndron e palëkundur për të mos lëshuar pozicionet e forta në mbrojtje të nacionalizmit. Kosova ka krijuar struktura ilegale dhe po ngre barrikada duke bllokuar autostradën në drejtim të Leshkoqiqit, Muqibabës dhe Muqivercit. Së paku dy herë brenda 24 orëve sulmon ushtarët e KFOR-it duke plagosur dhjetëra e dhjetëra ushtarë që po kujdesen për lirinë e lëvizjes. Sa më shumë që Kosova po bëhet e dhunshme, vardisja e Evropës për t’i dhënë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE po bëhet më e fuqishme. Madje më pasionante. Evropa ka krijuar një raport mazohist. Po përjeton dhe duron dhimbje vetëm që mos t’i prishet qejfi Kosovës. Serbia është një shtet krejt paqësor. Dëshmi për këtë e ka historinë e saj. Plotë vuajtje dhe sakrifica. Tash po ia kufizojnë edhe lirinë e lëvizjes duke e futur në geto dhe duke e konsideruar se leprozin e fundit në Evropë. Madje, as nuk e kanë futur në procesin e hapjes së bisedimeve për liberalizimin e vizave. E gjora Serbi.

Robert Cooper është caktuar si lehtësues i randevusë dhe matineve midis Borkos dhe Editës. Romancë e përkryer. Ua cakton takimet, kohën dhe vendin ku mbahen ato. I bënë bashkë duke i detyruar të mbahen për duar. Si dy zogj. I detyron të qeshin para kamerave duke i reklamuar dhëmbët e zbardhur dhunshëm dhe me zmalt të dëmtuar. Ua cakton vendin ku do të ulen. I qerasë me biskota. Pas takimit përsëri i bashkon. Për të mos ua kompromituar takimin flet në emër të tyre. I përcjell deri te dera duke u thënë: “ Hasta la vista zogjt e mi të dashur…”, deri në vazhdimin e episodës të serialit: “ Tjerrja e leshit në proceset integruese “.

Robert Cooper nuk është lehtësues fort i lehtë. Për Borkon po, për ( S ) Editën jo. Madje ndaj saj përdor masa shtrënguese duke e detyruar t’i bartë valixhet e Borkos deri në Bruksel. Për aq kohë deri sa Borkoja ta gjejë një akomodim në selinë e BE. ( S ) Edita është e durueshme dhe me kondicion të mjaftueshëm. Po komplimentohet se është e moderuar. Se është bashkëpunuese. Se nuk kundërshton asgjë. Prandaj kërkon të shpërblehet. E ka merituar të shpërblehet për sfilatën e saj në Bruksel. Me çka, vërtet nuk e di. Të tjerët e vendosin dhe unë nuk do të kundërshtoj. Në fund të fundit ajo po duket mirë duke mos i ricikluar fare kostumet. Gjithmonë sjell diçka të re. Në aspektin e dukjes. Si të ishte aktore në teatrin “ Dodona “. Pse, a nuk është a ?

Bastore, bastore, bastoreeee:

Rita Pavone, një këngëtare e njohur e kanzonës italiane e kohës kur disa këshilltarë të kryeministrit Thaçi, këshilltarë të presidentes Jahjaga apo ambasadorë të ardhshëm të Kosovës nuk ishin fare këndejpari e kishte kënduar një këngë që pastaj u bë hit: “ Parolle, parolle, parooollleee “. Me demek; “ fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë “. T’i lëmë fjalët dhe të merremi me gjëra konkrete. Me prognozim apo baste nëse Serbia pas gjithë kësaj gjurulldie që e bëri në veri do ta fitojë statusin e kandidatit për integrim në BE?. Pas zhvillimeve në veri të Kosovës po mbizotëron një bindje se Serbia e pati dhe se nuk do të ketë asgjë nga kjo punë. Deklaratat e politikanëve të nivelit shumë të lartë të disa shteteve me ndikim se Serbia mund të dështojë vetëm sa i përforcon pritjet e atyre që vëjnë bast kundër fitimit të statusit të kandidatit. Në një ambient normal kështu edhe pritet të ndodhë. Mirëpo, në rastin konkret do të ndoshë ndryshe. Jam shumë i sigurt se Serbia do ta fitojë statusin e kandidatit. Madje as që më shkon mendja se mund të ndodhë e kundërta. Kur e shkruaj këtë kam parasysh faktin se nuk ishte dhe nuk është Serbia ajo që po i vardiset Evropës por është e kundërta; Evropa po i vardiset Serbisë. Duke i bërë lëshime të paimagjinueshme. Pastaj, Evropa po bënë përpjekje që ta forcojë dhe mbajë në pushtet Boris Tadiqin para zgjedhjeve prandaj është e gatshme ta bëjnë lëshimin e radhës. Mendoj gjithashtu se forcimi i Tadiqit në këtë mënyrë është në fakt forcim i radikalëve serbë. Evropa e bën një gabim strategjik kur përballet me elementët kriminalë dhe të dhunshëm. Në vend se ta luftojë atë ajo kënaqet me menaxhimin e saj për realizimin e projekteve të caktuara politike. Këtë e kanë kuptuar ekstremistët serbë përmes presidentit Tadiq. Pastaj sa më i madh të jetë numri i barrikadave të ngritura dhe sa më e sforcuar të jetë dhuna ndaj ndërkombëtarëve ( KFOR –it ) rriten edhe gjasat për fitimin e statusit të kandidatit për BE. Këtë e kanë kuptuar shumë mire ekstremistët serbë dhe vet Tadiq. Si progres ndërkombëtarët do të konsideronin edhe largimin e disa barrikadave dhe zbutjen e tensionit të dhunës ndaj ushtarëve të KFOR-it. Në këtë kartë po luan Boris Tadiq dhe rojet e barrikadave. Këtë karrem do ta gëlltisin edhe vendimmarrësit në Bruksel. Kërkesa e vetme e ndërkombëtarëve është mosndryshimi i kufijve të Kosovës. E kam fjalën për kufijtë e jashtëm. Brenda nuk u intereson çka do të bëhet. Kufijtë e jashtëm nuk ka mundësi të ndryshojnë dhe nuk do të ndryshojnë por brenda Kosovës serbët e veriut për fillim e pastaj edhe në pjesët e tjera të Kosovës ( ku jeton edhe një serb i vetëm ) do të kërkojnë legalizimin e një statusi të veçantë. Emërtimi i këtij entiteti nuk është i rëndësishëm por përmbajtja. Sepse, askush nga ndërkombëtarët nuk do të jetë aq i marrë që këtë gjendje të re ta emërtojë me një emër që do të provokonte situatën. Punët e mëdha dhe punët e pista bëhen në heshtje. Sikur që po bëhen në veri. E çka do të fitojë Kosova në këtë rast ? Fillimin e bisedimeve për procesin e liberalizimit të vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes kontraktuale…me Hajkobillën.

A të bisedohet me eskimezët apo me serbët e veriut të Kosovës:

Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se ka vullnet të bisedojë me serbët e veriut për të ndihmuar në integrimin e tyre. U sulmua nga opozita dhe analistë krejt të” pavarur “ se në këtë mënyrë po i legalizon strukturat paralele. Politikisht krejt e paqëndrueshme. Ku është fati që të gjindet dikush i cili ka mundësi dhe aftësi që strukturat paralele t’i integrojë në strukturat institucionale të Republikës së Kosovës. Qoftë nga pozita apo opozita. Edhe ashtu dihet se strukturat paralele serbe në Kosovë janë bërë pjesë e strukturave institucionale. Është pyetje më vete se kujt i shërbejnë ato. Propozimi i Hashim Thaçit është shumë më i pranueshëm se propozimi i Carl Bildit. Në aspektin taktik dhe strategjik. Nëse Hashim Thaçi është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës ai duhet të bisedojë me të gjithë ata. Jo në mënyrë selektive. Por mvaret shumë se çka do të bisedojë ?. do të bisedohet edhe me strukturat paralele. Pa asnjë dyshim. KFOR-i, EULEX dh endërkombëtarët e tjerë po bisedojnë me ta. UNMIK-u i ka partnerë strategjik. Thaçi do të detyrohet të bisedojë me ta sikur që do të detyrohej të bisedojë çdo politikan i Kosovës, qoftë i pozitës apo i opozitës. Ndryshe, do t’i binte kavallit si i ndjeri Sahit Fyelli. Thaçi e ka shumë të qartë këtë fakt. Mirëpo, ka deklaruar se nuk do të bisedojë me strukturat kriminale apo krimenelë. Këtu le të ndalet pak se nëse mban këtë qëndrim vështirë do të gjejë bashkëbisedues. Veriu i Kosovës është problem i krijuar nga ndërkombëtarët pikërisht për këto bisedime, për këtë kohë si mjet shantazhimi dhe ky lëmsh është vështirë të zgjidhet si duam ne dhe me shpejtësi që ne duam. Kush ka ndonjë ide tjetër le ta bëjë publike. Apo le të ndërmerr veprime konkrete.

Jemi një:

Vite më parë pati filluar një fushatë kuqezi me moton: “ Jemi një”. Me fjalë të tjera se të gjithë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, Kosovë apo viset e tjera janë një. Të bashkuar. Atë që nuk e bëri Aleanca Kuqezi dhe Vetëvendosja e bëri Transparency International. Bashkoi Shqipërinë dhe Kosovën duke i bërë një. Në renditjen për korrupsion.

Biri i kaçakut dhe biri i pisit:

Alibaba i 8000 Eurove në Muaj është personazh sikur Janusi apo doktor Xhekili. I ka dy personalitete të integruara në veten e tij të cilat vështirë po arrinë t’i menaxhojë. Kur herën e parë disa studentë e bojatisën me ngjyrë si pikturat e Ticianit ( e kuqe e përflakur ) ai mbajti një qëndrim stoik. Nuk e foli asnjë fjalë duke deklaruar se edhe kjo ishte demokraci. Mirëpo ky stoicizëm nuk zgjati as 24 orë të plota. Të nesërmen tha se këta ishin bastardë me gjak sllavi në dejt e tyre. Ditën e pare shkëlqeu, ditën e dytë e bëri m… Edhe herën e dytë kur disa studentë i dorëzuan një “ mirënjohje “ me të cilën laureohej në Doctor Honoris Corruptiva i njëjti ditën e parë ishte i qetë dhe me humor. Mirëpo, sipas një automatizmi ditën e dytë përsëri e bëri m.. duke deklaruar se:” ata që më ndanë mirënjohje kanë qenë të ndërsyer ( qeni ndërsehet ) dhe se ai nuk brengoset sepse është bir kaçaku ndërsa i ndërsyeri qenka bir pisi. Nuk e di gjenealogjinë familjare të tij se a është bir kaçaku apo jo por jam i sigurt se studenti / studentja që i ndau mirënjohjen e merituar nuk është as bir e as bijë pisi. Përkundrazi, vetëm na dëshmoi se ky është vërtet një kaçak që ia kalon përkrah kaçakllëkut edhe vet Ali Pashë Tepelenës.

KOMENTE