English

Shuhet Sokrates, idhulli brazilian i futbollit

Sao Paolo, 4 dhjetor 2011, NOA – Një nga futbollistët më të mëdhenj të botës, ish-kapiteni i Brazilit, Socrates Brasileiro Sampaio de Sousa Vieira de Oliveira, i njohur thjesht me emrin Sokrates nuk ka mundur t’i bëjë ballë infeksionit të rëndë në organet e tretjes duke iu dorëzuar vdekjes sot, në moshën 57-vjeçare, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Sokrates, që ia kushtoi një jetë të tërë betejave në fushën e gjelbër, nuk ia doli dot në luftën me vdekjen duke u shuar mëngjesin e sotëm në spitalin “Albert Einstein” të Sao Paolos, ku ishte shtruar në terapi intensive kundër alkoolizimit, prej disa ditësh.

Ish-kapiteni i Brazilit në vitet ’80 ka hidhëruar tërë popullin e tij, që e adhuronte për gjenialitetin në futboll, por edhe karizmën e tij si një personazh i të gjitha kohërave.

Sokrates u lind në Belem në 19 shkurt të vitit 1954, dhe i përkiste gjeneratës së të mëdhenjve të futbollit brazilian, që nuk arritën dot të marrin Kupën e Botës.

Ai ishte kapiteni i Selecao-s në Botërorin e Spanjës në vitin 1982, kur skuadra e Brazilit u mund nga Italia, e cila fitoi edhe Kupën e Botës të atij viti.

Edhe katër vjet më vonë, do të ishte Franca e Platini-së që do të ndalte ëndrrën braziliane për një tjetër kupë bote.

Sokrates vjen nga një familje e thjeshtë, por e dhënë pas librave, ndërkohë që ai vetë u dha me shpirt pas topit dhe lojës me top.

Mandej si mesfushor i Brazilit do të thirrej nga të gjithë sportdashësit brazilianë si “Doktori”, pasi ishte lauruar për mjekësi, një profesion që nuk e ushtroi kurrë.

Sokrates e nisi karrierën e tij futbollistike në vitin 1974, për t’u bërë më pas nga viti 1978 -1984 idhulli i futbollit nën bluzën e Corinthias.

Ai luftoi në fushë si edhe në politikë, ndërkohë që karrierën në futboll e mbylli në vitin 1988.

Jeta e futbollistit të madh do të shënohej edhe nga pasioni për alkoolin dhe duhanin, që rënduan shëndetin e tij, duke e çuar deri në vdekje lojtarin e madh.

Bashkë me ish-kapitenin u shua sot edhe një pjesë e historisë së futbollit në Brazil.

mit/NOA

KOMENTE
  • Dhori Konomi23:03 - 04 Dhjetor 2011
    E mbaj mende si lojtare klasi qe nga Kampionati Boteror i 82.Lojtare si Sokrates jane te ralle dhe nuk dalin shpeshe.Eshte lojtare i nje brezi te arte qe nuk harohen kurre(ishte ekipi kombetare Brazilian me i mire i gjite koherave)Nderim per kete Futbollist.
  • Sazan Durojanis19:04 - 04 Dhjetor 2011
    kam patur fatin ta shoh kur loste per brazilin me 1982,, ishte kombetarja me fantastike e te gjitha kohrave por smundi te fitonte kupen e botes , sokrates falkao ziko tafarel me tranjerin e pa fat tele santana,,