English

Rama kritikon kreun e OSBE: Jo bojkoti, por vjedhja e zgjedhjeve i kushtoi vendit 2 vjet

Tiranë, 7 Dhjetor 2011 NOA – Kritika vijnë ndaj kryetarit të Prezencës së OSBE në Shqipëri, Eugon Wollfarth, nga kryesocialisti Edi Rama.

“21 janari nuk mbyllet kurrë pa ndëshkimin e vrasësve dhe vendin e ka bllokuar vjedhja e zgjedhjeve dhe keqqeverisja i dashur ambasador i OSBE!”, - i drejtohet z.Rama drejtpërdrejt me një prononcim, kreut të Prezencës.

Reagimi erdhi pasi më herët sot, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, teksa foli para disa studentëve të Juridikut për korrupsionin, tha se bojkoti i Parlamentit nga ana e opozitës, i ka kushtuar vendit 2 vjet.

“Bojkoti i opozitës i kushtoi 2 vjet vendit. Tashmë jemi në kushtet ku parlamenti po funksionon. Parlamenti duhet të punojë për ligjet me 3/5 dhe për reformën zgjedhore”, ka thënë Volfarth,

Ai ka folur edhe për 21 janarin, duke thënë se tashmë kjo ngjarje ka kaluar. Z. Wollfarth ka thënë se kanë qenë pikërisht ata që kanë normalizuar situatën. “21 janari tashmë ka kaluar. U desh ndërhyrja jonë për të normalizuar situatën”, - tha z.Wollfarth.

Në fjalën e tij, kreu i OSBE tha se “korrupsioni shkatërron ekonominë, cenon stabilitetin social dhe shkatërron besimin e publikut”.

Kurse përforcoi se “korrupsioni ul të ardhurat nga tatimet, krijon inflacion për shërbimet vendore, deformon konkurrencën private dhe mund të dënojë grupet e dobëta me varfëri”, dhe arriti në përfundimin se “përfundimisht, korrupsioni mund të çojë në një mungesë të konsiderueshme stabiliteti dhe madje edhe në konflikte të dhunshme”.

e.t/NOA

Lexoni gjithashtu: Shpërthen kryetari i PPE: Edi Rama ndoshta është pak i sëmurë

KOMENTE