English

Malaj: Është shpejt për Presidencën, Nano ka kontribute pozitive‏

Tiranë, 14 dhjetor 2011, NOA/ Ariola Ymeraj –Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj deklaron se vëmendja e politikës shqiptare dhe debatit publik nuk duhet të fokusohet para kohe në çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Mendoj se është akoma shpejt që politika shqiptare të devijoje fokusin për reformat ekonomike dhe integruese, në debatin për kandidatet për presidentin e ardhshëm të vendit. Është e qartë që ky moment ka një rëndësi të veçantë për të zbutur ambientin politik apo për ta rikthyer atë në qëndrime bllokuese apo radikale”, - shprehet Malaj në lidhje me kandidimin e ish-kreut të PS-së për postin e kreut të shtetit.

Malaj thekson se mesazhi i dhënë nga sh-kreu u PS-së nuk synonte nisjen debateve në selinë rozë dhe politikën shqiptare raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

“Në vlerësimin tim, intervista e Nanos nuk synonte të hapte apo nxiste një grindje të re në politiken shqiptare dhe aq më pak në PS. Në këtë këndvështrim, si dhe duke marrë parasysh kohën tejet të mjaftueshme në dispozicion, do të jetë jo efektive politikisht që të përfshihemi në debate publike të motivuara nga parapëlqimet apo hatërmbetjet e së shkuarës për diçka që pret”, deklaron Malaj.

Ai shtron se nga mënyra se si maxhoranca dhe opozita do të zgjidhin çështjen e Presidentit do të përcaktohet maturia e klasës politike në tërësi, gjë që do të ndikojë edhe zgjedhjet e 2013-ës.

Duke komentuar kontributet e ish-kryeministrit Fatos Nano në politikë, Malaj shprehet se “kontributet pozitive të Nanos në këtë tranzicion të vështirë janë evidente”.

a.ye.t//NOA

KOMENTE