Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kodheli: Privatizimi i Albpetrolit pa transparencë
English

Kodheli: Privatizimi i Albpetrolit pa transparencë

Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA – Nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, deputetja socialiste Mimi Kodheli deklaroi se privatizimi i shoqërisë Albpetrol po bëhet pa transparencë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Duke folur nga foltorja e Kuvendit, i cili është ngërthyer në debate mes opozitës dhe mazhorancës për shitjen e Albpetrolit, deputetja Kodheli shprehu shqetësimin për privatizimin e kësaj pasurie të rëndësishme të Shqipërisë, duke nënvizuar se në formulën e privatizimit nuk janë bërë transparente kriteret e vlerësimit të investitorit strategjik që do të blejë Albpetrol-in.

“Në këtë projektligj kuptohet thjeshtë se mungon transparenca për kriteret e vlerësimit të investitorit strategjik. Në rastet e mëparshme, po në këtë industri, qeveria juaj, është akuzuar se kriteret për vlerësimin e partnerëve strategjikë nuk kanë qenë të sakta, madje kanë qenë thjesht kopertura”, u shpreh zonja Kodheli.

Sipas saj, në privatizimin e Albpetrolit, i pari dhe i vetmi duhet të jetë interesi i vendit dhe i popullit.

“Interesi i vendit dhe i shqiptarëve të jetë i pari dhe i vetmi. Vetëm ky interes nuk po merret parasysh me këtë projektligj që pala tjetër kërkon ta bëjë sot ligj”, theksoi deputetja socialiste.

Ajo u ndal edhe në faktin se privatizimi i Albpetrolit do të sjellë papunësi.

Në këtë suazë ajo solli në vëmendje nenin 4 të projektligjit, duke nënvizuar se nga neni kuptohet se njerëzit do të dalin të papunë që përpara privatizimit.

“Projektligji nuk thotë se sa do të dalin të papunë, kur do të fillojnë të dalin dhe ku do të gjenden fondet për trajtimin e tyre, derisa të sigurohen të ardhurat nga privatizimi. Në buxhetin e sapomiratuar të vitit 2012, nuk ka asnjë qindarkë të parashikuar për një skemë mbështetje. Nëse dalin të papunë rreth 2 mijë punonjës, kosto mujore e trajtimit të tyre me pagat ekzistuese është rreth 1 milionë dollarë”, deklaroi deputetja Kodheli.

Ajo nënvizoi se formula për privatizimin 100% të kësaj pasurie të rrallë natyrore nuk është më mira.

“Nuk mund të themi se formula për privatizimin 100% të kësaj pasurie të rrallë natyrore, është më e mira, pasi pikësëpari, si ekonomia ashtu edhe tregu botëror i hidrokarbureve ose është në krizë, ose është i paqartë ose në vështirësi. Ndërsa, kur janë privatizuar sektorë të tjerë strategjikë dhe këta jo në kohë “kolere” si kjo e sotmja, një pjesë e caktuar është mbajtur në pronësi të shtetit”, argumentoi deputetja e PS-së Mimi Kodheli.

mit/NOA

Fjala e plotë e deputetes së PS-së, njëherësh nënkryetare e komisionit parlamentar të ekonomisë, Mimi Kodheli:

një studim të thelluar të Universitetit prestigjioz amerikan Stanford, të titulluar: Kompanitë Shtetërore të Naftës - Strategjitë, Performanca dhe Implikimi i tyre në Tregun Global të Energjisë, thuhet: “Ndërsa roli i shtetit po zbehet pothuajse në të gjithë sektorët e aktivitetit ekonomik botëror, shembulli i hidrokarbureve është komplet i ndryshëm”. E ndërsa studimi jep arsyet pse i ashtuquajturi “ari i zi” mbetet produkti më strategjik që lidhet, më shumë se çdo produkt tjetër, me pavarësinë ekonomikenjë vendi, liston të gjitha vendet, me nëntokë të pasur, që nxjerrjen e naftës e kanë akoma pronë shtetërore. Lista është e gjatë dhe fillon me Arabinë Saudite (si vendi më i pasur me rezerva naftë në botë) e përfundon me Norvegjinë.

Këtë hyrje e bëj për të sensibilizuar jo vetëm kolegët në sallë, por mbarë opinionin publik, rreth rëndësisë që ka për çdo vend, e aq më shumë për një si vendi si i yni, strategjia që duhet ndjekur për të menaxhuar këtë pasuri të përbashkët. Prona publike është njësoj e shenjtë si prona private. Shteti është administrator i pronës publike dhe vetëm populli pronar, nëpërmjet ligjit ose referendumit, mund të vendosë për tjetërsimin e saj. Ne duhet të kishim krijuar me kohë rregulla dhe standarde të sjelljes publike të cilat të mund të çonin në ruajtjen dhe mirë-administrimin e këtyre pasurive dhe jo në shpërfytyrimin dhe degradimin e tyre për t’i shitur pastaj me një faqe letër ligj dhe gjysmë faqe relacion bashkëngjitur. Kjo është më shumë se turp.

Na u tha në mbledhjen e komisionit se ky projektligj flet vetëm për formulën e privatizimit, e cila nuk kishte pse të vihej në diskutim pasi ishte konkluzion i ekspertëve të huaj për të cilët ne dimë vetëm që kanë bërë edhe një ekspertizë tjetër, atë të ARMO-s. Me privatizimin e ARMO-s deri tani kemi patur më shumë evazion fiskal, më shumë ndotje të mjedisit, më shumë dëmtim të pronës private. Të gjitha këto, me tregtimin e paligjshëm të produktit të ndërmjetëm “virgine”. Evazioni që është bërë me naftën vergine është tashmë në sytë e të gjithëve. Privatizimi i ARMO-s është shoqëruar me përkeqësim të gjendjes financiare të Albpetrol-it. Sipas raportit të fundit të nxjerrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ARMO i ka një detyrim që rrjedh nga moslikuidimi, prej 3,6 miliardë lekësh, kompanisë deri më sot shtetërore Albpetrol, ndërsa kjo e fundit merr kredi në bankë për të paguar rrogat e punonjësve.

Shikoni çfarë ndodhi me privatizimin e një tjetër sektori strategjik, atë të energjisë elektrike. Veç të tjerash, privatizimi i CEZ ka sjellë përkeqësim të gjendjes financiare të KESH-it. Situata e rëndë në tregun energjitik ka detyruar qeverinë të përgatisë një akt normativ për të ndryshuar përsëri ligjin e buxhetit 2011. Ky ndryshim sjell që borxhi publik, në fund të vitit 2011, të jetë 60,7 % të GDP duke shkelur kështu detyrimin ligjor. Por përtej gjithë pretendimeve tuaja totalisht të pabaza se ne qenkemi kundër privatizimeve, ne debatin e bëjmë pikërisht për shkak të mungesës së transparencës. Për ju, diskutimet në komision dhe në seancë janë thjesht një rutinë, madje bezdisëse, e ku nuk ka nevojë fare për diskutim, pasi formula që sillni këtu është më e mira.

Në fakt nuk është aspak kështu. Nuk mund të themi se formula për privatizimin 100% të kësaj pasurie të rrallë natyrore, është më e mira, pasi pikësëpari, si ekonomia ashtu edhe tregu botëror i hidrokarbureve ose është në krizë, ose është i paqartë ose në vështirësi. Ndërsa, kur janë privatizuar sektorë të tjerë strategjikë dhe këta jo në kohë “kolere” si kjo e sotmja, një pjesë e caktuar është mbajtur në pronësi të shtetit.

Kjo jo vetëm me qëllimin e mirë që shteti të mund ta kontrollonte nga afër e të ishte pjesë e bizneseve strategjike të vendit, por që nëpërmjet formulës së privatizimit, të merrnin zgjidhje edhe problemet e pronarëve të vjetër, të cilin as në këtë rast nuk mund t’i injorojmë, siç bëhet me këtë projektligj.

Na lind e drejta t’ju pyesim: A duhet të lëmë një përqindje për ta?

Na lind e drejta t’ju pyesim: A duhet një trajtim më i plotë i punonjësve apo një përqindje për ta?

Asnjë reformë nuk mund të ketë sukses nëse burimet njerëzore nënvlerësohen, trajtohen politikisht apo keqmenaxhohen. Mijëra njerëz do të hidhen në rrugë me këtë formë privatizimi. Nuk dihet as si do të trajtohen këta punonjës, as çfarë fati do të kenë ekspertët e fundit të kësaj fushe. Në nenin 4 të projektligjit nuk përcaktohet trajtimi i punonjësve që dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit. Ajo që kuptohet është vetëm se njerëzit do të dalin të papunë që përpara privatizimit.

Projektligji nuk thotë se sa do të dalin të papunë, kur do të fillojnë të dalin dhe ku do të gjenden fondet për trajtimin e tyre, derisa të sigurohen të ardhurat nga privatizimi. Në buxhetin e sapomiratuar të vitit 2012, nuk ka asnjë qindarkë të parashikuar për një skemë mbështetje. Nëse dalin të papunë rreth 2 mijë punonjës, kosto mujore e trajtimit të tyre me pagat ekzistuese është rreth 1 milionë dollarë. Gjithashtu, në këtë projektligj kuptohet thjeshtë se mungon transparenca për kriteret e vlerësimit të investitorit strategjik. Në rastet e mëparshme, po në këtë industri, qeveria juaj, është akuzuar se kriteret për vlerësimin e partnerëve strategjikë nuk kanë qenë të sakta, madje kanë qenë thjesht kopertura. Një kompani nuk e fiton dot kredibilitetin, për të cilin duhet t’i besohen pasuritë natyrore të vendit, vetëm pse përfaqësuesit e saj flasin anglisht dhe thuhet se janë nga Teksasi.

Privatizimi nuk është një kalim i thjeshtë nga kompani publike në kompani private, por duhet të jetë një proces transparent, ku interesi i vendit dhe i shqiptarëve të jetë i pari dhe i vetmi.

Diskutimi i projektligjit të privatizimit të Albpetrol-it duhet të rrisë vëmendjen dhe shqetësimin tonë qytetar. Ne nuk jemi e nuk do te jemi në asnjë rast kundër sipërmarrjes private, por do të kërkojmë pa u lodhur, zbatimin rigoroz të çdo marrëveshje të ligjshme, të lidhur në Shqipëri, sepse interesi ynë i parë është interesi publik.

KOMENTE