Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ura e Zotit
English

Ura e Zotit

"Mos e prishni atë urë, mos ndërhyni në projektet e Zotit. Ministra, deputetë e zengjinë, atyre anëve as kanë kaluar e as do kalojnë ndonjëherë, ndaj ata nuk rrezikojnë të bien e të humbin gëzimet e jetës"...

Nga Artan Lame

Një vajzë 12-vjeçare ra nga një urë dërrasash në Babrru dhe u mbyt. Nuk është ndonjë humbje e madhe dhe kjo vihej re edhe nga vendi që zuri lajmi nëpër gazeta. Humbje po, që është operacioni i gjoksit të këngëtares apo celuliti i artistes. Humbje që meriton faqen e parë, është edhe thyerja e thonjve të dashnores së ministrit, por jo mbytja e një copë gabeleje.

E kini vënë re që edhe gama e aksidenteve të të varfërve ndryshon nga ajo e të pasurve. Të varfrit i zë galeria poshtë dhe ju dalin sytë nga pesha e gurëve; i dredh korrenti kur shkojnë për skrap dhe i gjejnë duke ju dalë tym nga veshët dhe hunda; ju shembet soleta sipër kur nxjerrin tulla; ju plasin ndër duar predhat duke i çmontuar për t’u marrë metalin; i shtyp fadroma që shtyn plehrat në fushën e mbeturinave e të tjera lodra të tjera të këtij kallëpi. Ashtu si zogjtë që i shtyp makina ndërsa përpiqen të marrin ndonjë thërrime të rënë në rrugë.

Ndërsa bijtë e të pasurve, më e shumta vriten në aksident me makinën e shtrenjtë që sapo ju ka blerë babai. Baba i cili pastaj, nuk ndjen ndonjë pendesë pse ka shpenzuar 80 mijë euro për një tekë të fëmijës së llastuar, por harxhon edhe një herë aq për të bërë një varr të shtrenjtë që zë vend sa tre varre bashkë. Në ndonjë rast të rrallë, mund të ndodhë që të dy ta pësojnë nga aksidenti i makinës, por sërish me një dallim të kuptueshëm, djali i biznesmenit është gjithmonë prapa timonit, ndërsa djali i të varfrit është gjithmonë ndën rrota.

Edhe në këtë rast vajza që humbi jetën, Enkelejda e quanin, ishte vajzë fukarenjsh buzëplasur. Madje edhe më keq akoma, fukarenjsh buzëplasur romë. Kishte edhe 6 motra të tjera dhe një vëlla, pra 8 fëmijë. Ka një arsye shumë të thjeshtë pse të varfrit në mesjetë bënin shumë fëmijë. Madje jo vetëm në mesjetë, por edhe në antikitet, edhe në prehistori. Jeta e vështirë, aksidentet, sëmundjet, merrnin një pjesë të tyre dhe, vetëm duke bërë shumë fëmijë, sigurohej mbijetesa e disave. Në Europën e sotme të zhvilluar me standarde e përkujdesje, ky truk gjenetik nuk ka më vend, ndaj vazhdon të mbijetojë vetëm në skutat e saj prehistorike, si Babrruja për shembull. Le pastaj që ishte thjesht një vajzë rome.

Romët, populli shqiptar as i ka dashur e as i do, madje i përbuz. Është mekanizmi i përjetshëm i të varfërve që ndjehen mirë kur gjejnë dikë që mund ta trajtojnë si më të varfër sesa vetë ata dhe në këtë mënyrë të mos ndjehen si fundërrina të shoqërisë. Ne kemi gjetur romët për të luajtur këtë rol dhe ata, me vuajtjen e tyre, na përkëdhelin egon neve, popullit të lashtë dhe krenar. Vitet e fundit ka një mori programesh europiane që po investojnë për t’i nxjerrë këta të mjerë nga pozicioni i fundit të pusit ku i kemi futur ne. Ndër të tjera po përpiqen t’i regjistrojnë, t’i vaksinojnë, t’u hapin shkolla, e kështu me radhë.

Edhe kjo vajza që u mbyt, po kthehej nga një shkollë e tillë, e hapur nga europianët bardhoshë të Brukselit në Babrrunë e nxirosur të Tiranës. Nëse Europa nuk do kish hapur shkollë për romët në Babrru, Enkelejda sot do të ishte gjallë. Dëshmi e njëmiiiiijtë kjo, e faktit që reformat nuk fillohen nga bishti, por nga koka. Duhet të kenë bërë e kuptuar shkollën e Europës ministrat, deputetët dhe zengjinët në radhë të parë, e pastaj i vjen radha vetë mjeranëve të Babrrusë. Përndryshe, edhe gjesti i mirë përfundon keq. Derrat mbeten sërish derra në Tiranë, ndërsa fukarenjtë o mbyten, o thjesht bëhen fukarenj me shkollë.

Pas tragjedisë, doli kryetari i komunës dhe deklaroi se ura ishte pa leje, madje tha se ata e kanë hequr disa herë, por banorët e kanë vënë prapë. Halli i tij ishte se mos hapej ndonjë çështje penale, dhe ndaj donte të lante duart. Ndër absurditetet e Shqipërisë duhej ta dëgjonim edhe këtë. Në një vend ku gjithçka ndërtohet pa leje, në një vend që duhet të ndërtojë ura pa fund se nuk i ka, qenka dikush që prish ura se qenkan pa leje! Deri tani kishim dëgjuar për ura që i bën qeveria dhe i prishin hallexhinjtë për t’u marrë hekurin për skrap, ndërsa kësaj radhe u përmbys edhe ky rregull, urën e paska bërë mileti dhe e prish shteti. Urë e paligjshme – tha kryetari. Jo kryetar, nuk mund të ketë urë të paligjshme, sepse ajo urë ishte e vetmja mundësi lidhjeje me botën për ata njerëz dhe, çdo gjë që ndihmon jetën e njerëzve është e ligjshme. Detyra jote është që nevojën e ligjshme ta bësh edhe të sigurt, por për këtë duhet të jesh njeri, jo kryetar.

Sa herë vdes një fëmijë, të gjithë mbetemi pa fjalë dhe thjesht përpiqemi t’i japim një sens kësaj jete të ndërprerë pikërisht kur duhet të futet në jetë. Por stërhollime të tilla filozofike kanë kuptim vetëm midis ne të bardhëve fatlumë, ndërsa për krijesat e nënshoqërisë ky arsyetim nuk vlen. I kini parë leckamanët e vegjël që lypin nëpër Tiranë? Lozin e qeshin pa kuptuar gjë nga jeta që, në vegjëlinë e tyre u duket e bukur qoftë edhe mes tymit, zhurmave dhe pështymave. Por posaqë lënë fëmijërinë për t’u futur në adoleshencë, buzëqeshja zhduket nga fytyrat e tyre për të mos u kthyer më deri në fund të jetës. Enkelejda e Babrrusë ishte pikërisht në këtë pikë të jetës. Ende luante me shoqet, shkonte në shkollë, por po i vinte mosha kur duhej t’i nënshtrohej jetës së zymtë e të zezë të një gabeleje që mbledh kanaçe, që pjell pa prerë, që e rrahin dhe e pështyjnë, që i bien dhëmbët që 30 vjeç, që rron në baltë mes sëmundjeve në një kasolle teneqeje. Duhet të ketë qenë vërtet vajzë e mirë Enkelejda, që Zoti pati aq mëshirë sa ta marrë pranë vetes pikërisht kur pjesa qeshur e jetës po i mbaronte.

Mos e prishni atë urë, mos ndërhyni në projektet e Zotit. Ministra, deputetë e zengjinë, atyre anëve as kanë kaluar e as do kalojnë ndonjëherë, ndaj ata nuk rrezikojnë të bien e të humbin gëzimet e jetës.

"Shqip"

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi15:50 - 15 Dhjetor 2011
    ASNJE QINDARKE ME KOTESI Zoti Artan Lame, nuk eshte shqiptar i zakonte,e njoh permes emisioneve televizive,kur debaton.Vecan ne emisionin per arkitekturen e qendres se Tiranes apo te sheshit te Tiranes,ai shqiptar gati u ngjir,u sterloth sikur kish luftuar jo biseduar, prej te folurit midis debatonjesish qe s'kane regulla polilogu, apo qe z.B.Fevziu e di veten perfekt,apo qe nuk eshte ne gjendje me emisionet e tij te shperndaje me shume drite dhe kulture reth temes:Si duhet organizuar nje debat.Sa here ndjek emisionet e tij aq here nuk shoh ndryshime si duhen drejtuar ato emisione.C'do debatonjes duhet te kete para tij nje tavoline te vogel per te mbajtur nje shenim te castit dhe mos ngacmoje tjetrin kur ai flet.Ky eshte sekreti i debatit te kulturuar,qe me nderkombetaret e zbatoni me shqiptaret jo,pse keshtu?Si mund te flasin ne te njejten sekonde me shume se dy debatonjes,me c'te drejte ja mer fjalen tjetrit,kur ke nje dirigjent qe drejton o komandon.Do te thote qe edhe B.Feziu qenka kot,vecse nje figure,i cili edhe ai s'ka te drejte ti mare fjalen te tjereve sa here do.Ca me keq kur ne mes te debatit,apo te mendimit qe jep dikush B.Fevziu i ben tjetrit pyetje, qe kerkojne disa minuta logjike per tu pergjigjur.Te gjitha emisionet e B.Fevziut kane dashur me shume kohe te dalin te sakta.I tille ishte edhe ai i divorcit,mos dalim nga tema. Z.Lame diskuton me shume pasion, ashtu sikunder ka realizuar kete shkrim,per fatkeaqesine e vajzes qe ra nga ura.Nje shkrim sa real aq edhe kritik me sensin konstruktif per ndryshimet tona galopante gati tej te nxituara, sa vijme ne mekati: bej e prish, i cili ala po na ndjek,sikur te ishim aq shtet i superpasur.Nuk eshte justifikim ai qe kapitalizmin e ndertojne nje pakice njerzish te cilet qenkan medemek te afte te zoterojne shume pasuri,aq shume pasuri sa me fakiret e vatanit te tij, keta pasanike jetojne ne qiell kurse mjeranet mbi plera apo mbi toke qe ju reshqasin shtepite.Vertet Rokefelleret,Morganet,etj, u pasuruan por ata nuk shfrytezuan poziten per pasurim.E filluan nga zeroja si njeres te zakonte,me tej aftesite e tyre, pa pozite i cuan ne superbegatim.Kapitalistet e Shqiperise pa lidhjet me poltiken,jane zero,ndaj jane pseudokapitaliste.Keta edhe te investojne atje ku reshqasin shtepite e fshatit nuk i le politika,se ajo ka menduar te tjera shpenzime.Eshte tmer te te shembet ashtu shtepija dhe mos kesh ku te futesh koken.Orgjentisht duhet te beje qeveria dicka,ndryshe na del qe komunizmi i riparonte shtepite e termetit me mire se demokracia. Z.A.Lame me ju jane shume shqiptare,ju ndjekim ne TV-ion vazhdimisht sepse nga lark atdheu eshte me i dhemshur,dhe merzitemi shume qe qesja e kombit nuk eshte administruar me nikoqirllek me te sakte,me te math,sepse parate nga mekati bej e prish,po ti mbledhesh te gjitha,arijne shuma maremendese dhe populli yne fukara nuk i perballon dot keto harxhime per rush e kumblla,sot nderto neser shkatero.Jo zoterinj politikane,asnje qindarke nuk duhet arxhuar pa qene i sigurt ku do shkoje ajo qindarke,kush pergjigjet per te ose ca me keq te shkoje ne kotesi.S'ka begati atdheu, pa politikane qe administrojne parate me shume saktesi,korektesi,ndershmeri, dhe nikoqirllek.