Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Zgjedhjet në SHBA, President Gingrich, variant më i keq për shqiptarët
English

Zgjedhjet në SHBA, President Gingrich, variant më i keq për shqiptarët

"Në vitin 2008, ai shkroi një numër artikujsh dhe doli në shumë emisione televizive ku kritikoi vendimin e Administratës Bush dhe personalisht Sekretaren Condoleezza Rice për vendimin e tyre për të përkrahur pavarësinë e Kosovës"

Nga Ruben Avxhiu

Është ende shpejt për të thënë se cili nga kandidatët për zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit 2012 është më i miri për interest e shqiptarëve, po mund të thuhet pa dyshim se cili prej tyre është më i keqi: Newt Gingrich (Njut Gingriç).

Për ironi të fatit, ky kandidat, që deri disa javë më parë ishte kaq i dobët saqë stafi i tij e braktisi dhe e denoncoi publikisht, është ngritur papritmas në krye të garës (sipas anketimeve), pasi një numër kandiatësh të preferuar të të djathtës së skajshme amerikane humbën shkëlqimin e rremë e u provuan në debate si të pazotë për të mundur Presidentin Obama.

Pak ditë më parë, Newt Gingrich premtoi se nëse bëhet President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të emërojë si Sekretar të Shtetit, ish-ambasadorin amerikan në OKB, John Bolton. Ky diplomat e opinionist është një zë i rrallë në politikën amerikane që flet me vendosmëri kundër pavarësisë së Kosovës.

Në vitin 2008, ai shkroi një numër artikujsh dhe doli në shumë emisione televizive ku kritikoi vendimin e Administratës Bush dhe personalisht Sekretaren Condoleezza Rice për vendimin e tyre për të përkrahur pavarësinë e Kosovës.

Bolton në atë kohë sapo kishte humbur vendin e tij si Ambasador në OKB, pasi Demokratët në Senat, madje edhe disa Republikanë e kishin gjykuar si të papërshtatshëm për të përfaqësuar Amerikën. Shumë kritikë të kohës e kanë parë Administratën Bush si tepër agresive e pro-ushtarake në politikën e saj të jashtme. Për ironi të fatit, diplomati Bolton e shihte këtë administratë si tepër të butë.

Bolton njihet si mik personal i Kryeministrit të djathtë të Izraelit, Benjamin Netanjahu dhe premtimi i kandidatit Gingrich është parë si një përpjekje për të tërhequr atë pjesë të lobit hebre në SHBA që është i pakënaqur me politikën e Presidentit Obama në Lindjen e Mesme. Mirëpo, ka mundësi që përpjekja të ketë qenë tepër e dukshme për të bërë përshtypje. “Me miq të tillë kush ka nevojë për armiq,” thotë një shprehje.

Nëse e gjykon ish-ambasadorin John Bolton nga opinionet e tij, ai del në pah më shumë si demagog sesa si diplomat. Ai shquhet për paaftësinë e tij për të arritur kompromise e për të krijuar aleanca. Emërimi i tij i përkohshëm në OKB ishte një gabim. Ai ishte njeriu që dikur kishte thënë (jo edhe aq pa të drejtë) se selisë qendrore të OKB-së “po t’i heqësh dhjetë kate nuk do ta vërë re njeri”. Mirëpo, ndërkohë që burokracia dhe paaftësia e OKB-së për të zgjidhur situata në botë duhet kritikuar, kjo nuk është puna e diplomatëve përfaqësues të shteteve. Do të ishte më e ndershme që Bolton të hynte vetë në politikë, sesa të vazhdonte t’i binte në qafë diplomacisë, e cila është qartazi profesioni i gabuar për të.

Problemi më themelor me Gingrich-in është se ai u njoh me ish-ambasadorin Bolton kur punonte për American Enterprise Institute. AEI ka promovuar një politikë të jashtme alternative për Shtetet e Bashkuara dhe druhem se Gingrich është ndikuar shumë në ato vite nga ky institut. Kështu edhe vetë Bolton, kur ishte Ambasador në OKB, mbante një qendrim pozitiv ndaj Kosovës. Pozicionet e tij ndërruan kur filloi të punonte për AEI.

Ky institut studimesh tërhoqi edhe një numër filoserbësh në radhët e tij, si i ndjeri po i pamunguari Lawrence Eagleburger. Nga AEI dolën disa shkrime e qendrime kundër pavarësisë së Kosovës. Si do të ndikojnë këto opinione në një administratë me Presidentin Gingrich? Edhe nëse nuk bëhet Bolton Sekretar i Jashtëm a do të priret Gingrich të hapë dyert e Departamentit të Shtetit për studjues të AEI-së? Dikush mund të thotë se këto janë thjesht premtime e lëvizje fushatash zgjedhore se kur vjen puna bëhet zgjidhja e duhur.

Në fakt, ashtu si në vitin 2007 edhe në vitin 2013 do të jetë vështirë që Senati të aprovojë një Sekretar të Jashtëm si John Bolton. Në fakt, vetë ky i fundit u tregua disi ironik kur u pyet nga media për premtimin e kandidatit Gingrich. “Ai duhet të përqendrohet te fitimi i garës e pastaj të fillojë të flasë për emërime”, tha Bolton, në një përgjigje që mund të tingëllojë dhe disi thumbuese për Gingrich-in.

Gingrich ka bërë edhe deklarata të tjera që kanë ngritur vetulla e kanë rrudhur buzë, mes analistëve. Për shembull, ai deklaroi që “palestinezët janë një popull i shpikur”. Nuk është hera e parë që përmendet kjo tezë në publik, sipas të cilës vetëm pasi u pa që Jordania nuk do të mundte dot Izraelin, pas luftës së vitit 1967, arabët e Gazës dhe Bregut të Fildishtë filluan të prezantoheshin si “palestinezë”. Kjo temë është debatuar ashpërsisht në media, e në rrethe akademike. Po kur vihet në gojën e një politikani që pretendon të bëhet President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tingëllon si një pakujdesi e madhe, madje një papërgjegjshmëri e pafalshme.

Me çfarë legjitimiteti do të përpiqet nesër Presidenti Gingrich të bindë palët në Lindjen e Mesme që të vazhdojnë procesin e paqes, nëse njërës prej këtyre palëve u ka mohuar autenticitetin? Çfarë interesi do të kishte Izraeli nga radikalizimi i politikës palestineze që me një President si Gingrich në SHBA do të humbte edhe shpresën e fundit te një zgjidhje e konfliktit në tavolinë.

Ka gjëra që debatohen në tryeza të medias dhe të akademisë apo edhe në kafene, e ka tema që diskutohen në tryezat politike. Problemi me Gingrich-in është se nuk është në gjendje nganjëherë që të dallojë ndryshimin.

“E si mund t’i lësh një personi kaq të papërgjegjshëm butonin e armëve bërthamore?” pyeti në mënyrë domethënëse, rivali i tij kryesor mes Republikanëve, Mitt Romney.

Sigurisht politika amerikane ndaj Kosovës dhe Ballkanit nuk përcaktohet nga një njeri i vetëm. Edhe me ish-ambasadorin Bolton në krye të Departamentit të Shtetit, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Të mos harrojmë që fillimisht, Presidenti Barack Obama caktoi si Shef të Kabinetit të tij, ish-kongresistin Rahm Emanuel. Që kishte qenë bashkëkryetar i Kaukusit Serb në Kongres, por kjo nuk e ndryshoi madje e theksoi politikën pro-Kosovës të Washington-it. E megjithatë, njerëzit kanë ndikimin e tyre domethënës. Ndikim që dallohet, për shembull, duke parë angazhimin e ndryshëm në Ballkan të administratave të para të Presidentëve Clinton dhe Bush dhe administratave të tyre të dyta. Në rastet e para pamë indiferencën fatale ndaj Ballkanit dhe Kosovës, në rastet e dyta çlirimin dhe pavarësimin.

Shqiptaro-amerikanët nuk kërkojnë në krye të Departamentit të Shtetit një mik që t’i mbajë me hatër. Ata kërkojnë një diplomat që di të kuptojë faktet në terren dhe të veprojë në bazë të interesave dhe mundësive reale e jo në bazë të paragjykimeve. Kosova është sot e pavarur, në radhë të pare, sepse është e vetmja zgjidhje që garanton paqe dhe stabilitet afatgjatë në Ballkan. Një diplomat që nuk e kupton këtë pikënisje nuk ka përgatitjen e duhur për një post aq të lartë. Po ashtu, si nuk e ka përgatitjen e duhur dikush që kërkon ta emërojë nëse fiton Shtëpinë e Bardhë.

Interesat e shqiptarëve edhe njëherë përputhen me ato të amerikanëve në përgjithësi. Jo vetëm për këto papërgjegjshmëri në politikën e jashtme por edhe për shumë arsye të tjera, që kanë të bëjnë me të kaluarën e tij, Newt Gingrich nuk është kandidati që i duhet Partisë Republikane në nëntor e mbi të gjitha nuk është Presidenti që i duhet Amerikës në janar 2013.

NOA

KOMENTE