English

Babagjyshi i Vitit të Ri: 8 mijë dhurata për vogëlushët e Tiranës

Tiranë, 21 dhjetor 201, NOA – Në vigjilje të Krishtilindjes dhe Vitit të Ri, Bashkia e Tiranës, falë kontributit të bizneseve të kryeqytetit do t’u dhurojë vogëlushëve 8 mijë dhurata, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha mbërriti sot pranë vogëlushëve të kopshtit nr. 3 që i përket minibashkisë nr. 9 në Tiranë, ku në rolin e Babagjyshit të Vitit të ri shpërndau dhurata për të gjithë fëmijët duke i dhuruar atyre një ditë të lumtur dhe shumë hare.

“Sot kemi ardhur këtu në kopshtin nr.3, për të ndarë me vogëlushët dhe vogëlushet e mrekullueshme të këtij kopshti që kanë qenë shumë të mirë gjatë këtij viti që po mbaron, siç na kanë thënë edukatoret dhe prindërit dhuratat të cilat i ka sjellë Babagjyshi i vitit të Ri”, u tha fëmijëve Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha.

Kryebashkiaku Basha uroi fëmijët për festat e fundvitit dhe u premtoi të gjithë vogëlushëve, në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës se do të marrin dhurata simbolike nga Bashkia e Tiranës.

“Mbi 8 mijë dhurata të tilla shpërndahen sot, në ditët e ardhshme anembanë sistemit parashkollor të Tiranës në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës, ndërkohë që do të bëhet një përpjekje për të shpërndarë dhurata edhe në arsimin fillor, pra nga klasa e parë deri në të katërtën”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Sipas tij, sa më mirë të ndihen vogëlushët e Tiranës, aq më mirë do të ndihet qytet, sepse fëmijët reflektojnë shpirtin e festave dhe shpirtin e mirësisë në qytetin e Tiranës.

“Sëbashku me vogëlushët të urojmë edhe njëherë “Gëzuar Vitin e Ri”, u shpreh i pari i Bashkisë së kryeqytetit.

Ndërkohë drejtori i një banke në Shqipëri, e cila ka dhënë kontributin e saj për blerjen e këtyre dhuratave, do të shprehej se nuk ka gjë më të bukur në jetë, se sa të shikosh fëmijë të lumtur, që sjellin ngrohtësi në zemrat e njerëzve.

mit/NOA

KOMENTE