English

Çifti Berisha feston me fëmijët e fshatit SOS

Tiranë, 28 dhjetor 2011, NOA – Pas paradites festive të së martës, kur godina e kryeministrisë kishte të ftuar fëmijët e komunitetit rom, sot kryeministri Sali Berisha vizitoi për festat e fundvitit fëmijët e fshatit SOS në Tiranë, ku u ofrohet kujdes prindëror 139 fëmijëve jetimë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Festimi i ditëve të fundit të vitit me fëmijët e shtresave të ndryshme shoqërore dhe më së shumti ata që janë jetimë apo në nevojë, është kthyer në një traditë të përvitshme për kryeministrin dhe bashkëshorten e tij, Liri Berisha, të cilët për këtë ditë nuk i kursejnë dhuratat e përveçme për çdonjërin.

Shefi i qeverisë u takua me mësuesit dhe drejtuesit e këtij fshati duke i vlerësuar ata për punën e përkushtuar dhe kujdesin që u japin fëmijëve të mbetur pa prindër.

"Juve fëmijë, gjithashtu, dua t’ju shpreh dashurinë time, dëshirën për t’ju përqafuar të gjithëve, t’ju uroj një Vit të Ri me plotë shëndet, gëzime e lumturi, t’ju uroj një vit të mbarë, ashtu siç e dëshironi ju, siç e keni ju zemrën dhe shpirtin", iu drejtua kryeministri Berisha fëmijëve.

Kryeministri u premtoi fëmijëve dhe mësuesve të tyre se qeveria do t’u japë çdo mbështetje që të ecin përpara në këtë mision të rëndësishëm për mirërritjen e fëmijëve jetimë.

"Ju garantoj, gjithashtu, se qeveria është e gatshme që, në çdo rast dhe në çdo nevojë, t’ju japë ju të gjithë mbështetjen që ju nevojitet, për të përmbushur me dinjitet dhe fisnikëri këtë mision kaq njerëzor dhe kaq përfaqësues për njerëzinë e mbarë shoqërisë shqiptare", u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë falenderoi edhe bizneset që kanë ndihmuar fshatin SOS duke ndarë mirësi me fëmijët që jetojnë aty.

Një nderim i veçantë nuk mungoi për nënat dhe tezet e fshatit SOS.

“Pak javë më parë ju festuat 15 vjetorin e Fshatit SOS dhe na ftuat. Me koncertin tuaj dhe organizimin e shkëlqyer që kishit bërë, ju na dhatë një kënaqësi shumë të madhe. Por këtë herë ne vendosëm të vijmë vetë këtu dhe të festojmë me ju Vitin e Ri, t’ju urojmë Vitin e Ri, të shprehim nderimin tonë më të madh për mësueset tuaja, për nënat dhe tezet e fshatit SOS, misionin shumë human dhe fisnik që ato përmbushin, duke u kujdesur për vogëlushët e këtij fshati, duke u kujdesur për ju dhe duke ju plotësuar juve gjithçka që një familje i plotëson fëmijës së tij të dashur", tha kryeministri.

Më pas aktiviteti vijoi me këngë dhe vjersha, të cilat fëmijët e fshatit SOS me ndihmën e mësuesve i kishin përgatitur si dhuratë për kryeministrin.

Shefi i qeverisë dhe bashkëshortja e tij në fund të aktivitetit shpërndanë dhuratat, që kishin përgatitur për të gjithë fëmijët, duke u sjellë gëzim në këto ditë të fundvitit dhe duke u uruar më shumë hare e gëzime për Vitin e Ri që po vjen.

mit/NOA

KOMENTE