Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi vendimmarrjen e politikës monetare
English

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi vendimmarrjen e politikës monetare

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e financiare në vend si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas këtij vendimi, interesi i marrëveshjeve të riblerjes me afat njëjavor, zbret në nivelin 4.50%. Ulja e normës bazë të interesit ndërmerret në kushtet e presioneve të kontrolluara inflacioniste përgjatë horizontit kohor të politikës monetare si dhe në mbështetje të pritjeve për një politikë fiskale më të përmbajtur gjatë periudhës së ardhshme. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, një vendim i tillë ofron kushtet e përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit afatmesëm të inflacionit. Kjo lëvizje rrit njëkohësisht stimulin monetar dhe nxit aktivitetin ekonomik në vend.
***
Ekonomia shqiptare është përballur me një ambient sfidues gjatë vitit 2011, si në drejtim të rritjes ekonomike ashtu edhe në drejtim të ruajtjes së balancave makroekonomike. Rritja e vëmendjes ndaj qëndrueshmërisë së financave publike në vendet e eurozonës është reflektuar në prime të shtuara rreziku, në tregjet financiare ndërkombëtare dhe në një ulje të gatishmërisë së tyre për të investuar në vendet në zhvillim. Masat e marra për adresimin e shqetësimeve të tregjeve financiare kanë shkaktuar një frenim të aktivitetit ekonomik në partnerët tanë tregtarë dhe janë pasqyruar në ngadalësimin progresiv të ritmit të rritjes së eksporteve tona.

Nga ana tjetër, çmimet e rritura të ushqimeve, të karburanteve dhe të produkteve të tjera bazë janë përkthyer në forcim të presioneve të huaja inflacioniste, në zgjerim të deficitit tregtar dhe, potencialisht, në një reduktim të kërkesës së brendshme si pasojë e efekteve negative mbi bilancet financiare të familjeve shqiptare.

Gjithashtu, zhvillimet negative në kontekstin botëror, janë reflektuar në rritje të pasigurisë në ekonominë shqiptare dhe kanë ndikuar negativisht konsumin dhe investimet vendase. Pavarësisht këtyre goditjeve dhe megjithëse me ritme të reduktuara, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë vitit 2011.

Kjo rritje ka reflektuar përmirësimet strukturore të ekonomisë shqiptare, bilancet përgjithësisht të shëndosha të agjentëve ekonomikë, përdorimin e hapësirave të disponuara për stimul makroekonomik dhe suksesin e tyre në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë.

Inflacioni mesatar vjetor, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011 rezultoi 2.9%, duke rënë me 1.1 pikë përqindje, në krahasim me vlerën e shënuar në gjashtëmujorin e parë. Tendenca rënëse e inflacionit u shfaq gjatë tremujorit të dytë dhe u forcua më tej në gjysmën e dytë të vitit. Ajo erdhi si pasojë e reduktimit të kontributeve të çmimeve të ushqimeve të përpunuara, të ushqimeve të papërpunuara, si dhe të mallrave me çmime të rregulluara. Në veçanti, çmimet e mallrave ushqimorë devijuan nga sjellja e tyre sezonale në muajin dhjetor, duke shkaktuar rënien e shpejtë të inflacionit vjetor në nivelin 1.7%.

Nga këndvështrimi makroekonomik, ecuria rënëse e inflacionit është ndikuar në mënyrë të njëkohshme nga faktorë të kërkesës dhe të ofertës. Nga ana e ofertës, ngadalësimi i inflacionit të çmimeve të mallrave kryesorë në tregjet botërore dhe qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit, u materializuan në rënie të inflacionit të importuar.

Nga ana kërkesës, rritja nën potencial e ekonomisë shqiptare ka vijuar të mbajë kapacitete të lira në faktorët e prodhimit të punës dhe kapitalit, duke u materializuar në presione të kahut rënës në paga, në kostot e prodhimit dhe në inflacion. Pritjet e agjentëve ekonomikë mbeten të ankoruara rreth objektivit, të ndikuara edhe nga politika monetare e besueshme e Bankës së Shqipërisë. Pritjet e ankoruara në ekonomi kanë reduktuar të ashtuquajturat efekte të raundit të dytë, ose me fjalë të tjera përcjelljen e qëndrueshme të goditjeve të përkohshme, të shkaktuara nga rritja e çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore, në kostot e prodhimit dhe në rritjen e çmimeve të konsumit në vend. Ato kanë mundësuar gjithashtu një fleksibilitet më të madh në ndjekjen e një politike monetare stimuluese nga Banka e Shqipërisë. Në vija të përgjithshme, këto tendenca pritet të vijojnë edhe në periudhën e ardhshme.

Zvogëlimi i presioneve inflacioniste gjatë vitit 2011 dhe pritjet për nivele të ulëta të inflacionit gjatë vitit 2012, motivuan lehtësimin e mëtejshëm të politikës monetare në tremujorin e katërt të vitit 2011. Banka e Shqipërisë kreu dy ulje të normës bazë të interesit në muajt shtator dhe nëntor, duke e zbritur këtë normë në nivelin më të ulët historik prej 4.75%.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e stimulit monetar do të ofrojë kushte më të përshtatshme financiare për respektimin e objektivit të inflacionit në horizontin afatmesëm.

Në të njëjtën kohë, lehtësimi i kushteve monetare i shërben nxitjes së kërkesës së brendshme të ekonomisë, e cila mbetet ende e brishtë në prani të pasigurisë së rritur në ekonomi. Gjithashtu, ai faktorizon një politikë fiskale të kujdesshme gjatë vitit 2012 dhe reduktimin e pritur të kontributit të shpenzimeve publike në rritjen ekonomike.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT-it, ekonomia shqiptare shënoi një rritje vjetore prej 0.5% në tremujorin e dytë të vitit, duke shënuar një ngadalësim të dukshëm kundrejt ritmit të rritjes së tremujorit të parë.

Në aspektin sektorial, rritja e aktivitetit ekonomik në këtë periudhë është mbështetur kryesisht nga ecuria pozitive e sektorit të bujqësisë dhe e degëve të veçanta të sektorit të industrisë dhe të sektorit të shërbimeve. Rritja e vlerës së shtuar në bujqësi rezultoi 3.4%, duke përbërë në një kontribut të rëndësishëm të këtij sektori në rritjen ekonomike të tremujorit të dytë. Nga ana tjetër, sektori i shërbimeve regjistroi një rritje vjetore të vlerës së shtuar prej 1.8%, duke u ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me ritmin e shënuar në tremujorët paraardhës.

Nxitësit e aktivitetit në këtë sektor ishin dega e transportit dhe ajo e ndërmjetësimit financiar, ndërkohë që pjesa më e madhe e degëve të tjera të sektorit të shërbimeve rezultuan të tkurrura në terma vjetorë. Në të njëjtën linjë, aktiviteti në sektorin e industrisë u tkurr me 8.5% në tremujorin e dytë të vitit, pas një ecurie pozitive gjatë 6 tremujorëve të fundit. Ngadalësimi i sektorit të industrisë gjatë këtij tremujori është ndikuar në një masë të madhe nga reduktimi i fortë i prodhimit në degën e “Energjisë elektrike, të ujit dhe të gazit”, ndërkohë që degët e industrisë nxjerrëse dhe të asaj përpunuese vijuan të shënojnë rritje të vlerës së shtuar. Ndërsa, pas rritjes së vërejtur në tremujorin e parë të vitit 2011, aktiviteti ekonomik në sektorin e ndërtimit u tkurr sërish në tremujorin e dytë, duke shënuar një rënie vjetore prej 1.7%.

Në aspektin e përbërësve të kërkesës agregate, rritja ekonomike e gjashtëmujorit të parë është mbështetur kryesisht nga kontributi i sektorit publik dhe i kërkesës së huaj, ndërkohë që kërkesa e brendshme e sektorit privat vlerësohet të ketë qenë e dobët. Të dhënat e disponuara sugjerojnë se konsumi dhe investimet private kanë patur një ecuri të ngadaltë gjatë gjysmës së parë të vitit, duke kushtëzuar edhe rritjen nën potencial të ekonomisë në këtë periudhë.

Konsumi privat vazhdon të reflektojë një sjellje hezituese të konsumatorëve në kryerjen e shpenzimeve dhe orientimin e rritur të tyre drejt kursimit. Ecuria e konsumit në vend nuk ka reflektuar plotësisht rritjen e të ardhurave të disponueshme, të gjeneruar nga rritja e pagës dhe e punësimit, apo zgjerimin e burimeve të financimit, në formën e rritjes së kredisë konsumatore gjatë vitit 2011. Në veçanti, ngadalësimi i remitancave gjatë nëntë muajve të parë të vitit mund të ketë reduktuar konsumin e një pjesë të familjeve shqiptare. Gjithashtu, një ndikim negativ në konsum mund të ketë dhënë edhe fatura relativisht e lartë e çmimeve mallrave të importit, e cila ka rënduar buxhetin e familjeve shqiptare gjatë gjysmës së parë të vitit. Përkundrejt ecurisë së konsumit në gjashtëmujorin e parë, rritja e balancave për blerjet e mëdha - e sugjeruar nga vrojtimi i besimit konsumator - dhe rritja e kredisë konsumatore në gjysmën e dytë të vitit, sugjerojnë për konsum të shtuar në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2011.

Ecuria e dobët shpenzimeve konsumatore dhe prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonomi ka frenuar kërkesën e bizneseve për të kryer investime të reja. Paralelisht me të, rritja e kujdesit të bankave në kredidhënie mund të kenë dekurajuar një pjesë të kërkesës për kredi për investime.

Investimet e huaja direkte (IHD) kanë shënuar rënie gjatë tre tremujorëve të parë të vitit. Rritja e shpenzimeve kapitale në tremujorin e fundit të vitit pritet të gjenerojë kontribut të rritur të këtij komponenti në kërkesën agregate të fundit të vitit. Ndërkohë, përmirësimi i kushteve të financimit gjatë vitit 2012 pritet të reflektohet në një mbështetje më të madhe të sistemit me kredi për investime dhe në një kontribut të shtuar të këtij komponenti të kërkesës në rritjen ekonomike.

Politika fiskale ka patur një natyrë stimuluese gjatë vitit 2011, e materializuar në kontribut pozitiv të shpenzimeve publike në kërkesën agregate. Ritmet e rritjes së shpenzimeve publike dhe të deficitit buxhetor u moderuan pas tremujorit të parë, duke mbetur në nivele të ulëta gjatë tremujorit të dytë e të tretë, por duke shënuar një përshpejtim të dukshëm në tremujorin e fundit të vitit. Në fund të muajit nëntor, deficiti buxhetor rezultoi 38 miliardë lekë, duke pasqyruar rritjen me 5.4% të shpenzimeve publike dhe rritjen me 0.7% të të ardhurave buxhetore gjatë kësaj periudhe. Përshpejtimi i rritjes vjetore të shpenzimeve buxhetore në dy muajt e fundit të vitit, i dedikohet kryesisht rritjes së shpenzimeve kapitale gjatë kësaj periudhe.

Rritja e vëmendjes ndaj qëndrueshmërisë fiskale, një frymë kjo e cila karakterizon buxhetin e vitit 2012, pritet të reflektohet në një kontribut më të ulët të sektorit publik në rritjen ekonomike të vitit 2012. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon se ky është një hap i duhur, në drejtim të ruajtjes së qëndrueshmërisë makroekonomike dhe të reduktimit të primeve të rrezikut në ekonomi. Ulja e deficitit buxhetor përgjatë vitit 2012 dhe e financimit të brendshëm të tij, do të krijojë më shumë hapësirë për rritjen e kreditimit të sektorit privat në këtë periudhë.

Ekonomia shqiptare ka vijuar të përfitojë nga kërkesa e huaj në vitin 2011, por në një masë më të moderuar krahasuar me vitin 2010. Rritja vjetore në vlerë e eksporteve shqiptare për 11 muajt e parë të vitit shënoi 19.9%, duke u ngadalësuar në krahasim me ritmet e rritjes të vërejtura në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, importet përshpejtuan rritjen vjetore të tyre në 12.2%. Deficiti tregtar u rrit 8.1% në terma vjetorë, duke ilustruar në një masë të madhe efektet negative të rritjes së çmimeve në tregjet botërore. Një analizë më e detajuar e deficitit tregtar, tregon se rreth 50% e rritjes së tij është krijuar nga bilanci i shkëmbimeve të energjisë elektrike.

Gjithashtu, në terma realë, nga të dhënat e tremujorit të tretë vlerësohet një ngushtim vjetor i deficitit të eksporteve neto dhe një kontribut pozitiv i tij në kërkesën agregate.
Ngushtimi vjetor i deficitit të eksporteve neto vlerësohet të ketë ardhur si pasojë e rënies me rreth 4.2% e importit të mallrave e shërbimeve në terma realë dhe rritjes së eksporteve me rreth 8.6%.

Ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet në sektorin real të ekonomisë. Analizat dhe vlerësimet tona sugjerojnë se rritja e ofertës monetare është në përputhje me kërkesën e agjentëve ekonomikë për para reale dhe presionet inflacioniste me natyrë monetare në ekonomi janë të përmbajtura. Rritja e agregatit M3 u shfaq më e ngadaltë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011, e ndikuar nga krijimi më i ulët i parasë në monedhë të huaj. Për periudhën korrik-tetor, rritja mesatare vjetore e mjeteve monetare në ekonomi rezultoi 10.4%. Kontributi i kërkesës së sektorit privat për financim ka ruajtur nivele të qëndrueshme. Në fund të muajit nëntor, rritja vjetore e saj shënoi 10.9%. Ecuria e kreditimit mbetet nën ndikimin e një kërkese të ulët për kredi dhe të politikave më të kujdesshme të bankave drejt kreditimit. Sjellja e agjentëve ekonomikë vijon të kushtëzohet nga pasiguria për të ardhmen, e cila kufizon kryerjen e shpenzimeve dhe investimeve në ekonomi.

Nga ana tjetër, edhe oferta e kredisë paraqitet e shtrënguar, sikurse tregohet nga ecuria e standardeve të kreditimit.

Zhvillimet në tregjet financiare, në gjysmën e dytë të vitit 2011 kanë qenë të qeta dhe kanë reflektuar prime relativisht në rënie të rrezikut të likuiditetit dhe të inflacionit. Uljet e njëpasnjëshme të normës bazë janë reflektuar shpejt në tregun ndërbankar. Në tregun primar, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë ndjekur prirje rënëse, në reflektim të uljes së normës bazë dhe njëkohësisht të kërkesës së ulët të sektorit publik për financim. Ndërkohë, përcjellja e sinjaleve të politikës monetare pritet të shfaqet më e plotë në tregjet e depozitave dhe të kredive, në përputhje me kohëvonesat në mekanizmin e transmisionit.

Banka e Shqipërisë gjykon se një pjesë e mirë e tendencave të analizuara më sipër do të jenë të pranishme edhe gjatë vitit 2012. Në projeksionet tona bazë, ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit në vazhdim, ndonëse duke mbetur poshtë nivelit të saj potencial. Aktiviteti ekonomik në vend do të ndikohet nga kushtet që imponon zgjidhja e krizës në vendet e Eurozonës, rritja ekonomike e vendeve partnere dhe nga qëndrimi ndaj rrezikut i investitorëve të huaj.

Nga ana tjetër, problemet ekonomike në vendet tona partnere mund të shndërrohen në një premisë pozitive për ekonominë shqiptare.


Atraktiviteti i ekonomisë shqiptare, për sa i përket kostos së ulët të punës për njësi, stabilitetit makroekonomik dhe shëndetit financiar të bizneseve, të familjeve dhe të sistemit bankar, mund të pasqyrohet në rritjen e IHD-ve. Ndonëse projeksionet tona bazë faktorizojnë një kontribut më të ulët të kërkesës së huaj në skenarët bazë, rritja e tregut të eksporteve shqiptare mbetet gjithashtu një skenar i mundshëm. Projeksionet e rritjes ekonomike supozojnë një ecuri më pozitive të konsumit dhe investimeve në vend, në përgjigje edhe të përmirësimit të kushteve të financimit. Këto të fundit pritet të reflektojnë politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe uljen e primeve të rrezikut në sistemin financiar. Nga ana tjetër, reduktimi i hapësirave për stimul fiskal dhe ruajtja e parametrave të qëndrueshmërisë fiskale do të ndihmojnë sektorin privat në drejtim të krijimit të fondeve të lira dhe të uljes së primit të rrezikut për ekonominë.

Duke faktorizuar pritjet tona për një rritje ekonomike nën potencial dhe për reduktimin të presioneve inflacioniste me origjinë nga jashtë, si dhe në prani të pritjeve të ekonomisë për një inflacion pranë objektivit, projeksionet tona sugjerojnë se, me një probabilitet ndodhjeje 90%, inflacioni i çmimeve të konsumit do të luhatet në bandën 1–3% gjatë vitit 2012.
***
Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste janë në rënie dhe mbeten të kontrolluara përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Po ashtu, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin mbeten të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në nivelin 4.50%. Ky vendim i shërben përmbushjes së objektivit afatmesëm për inflacionin dhe njëkohësisht ofron kushtet e nevojshme monetare për mbështetjen e aktivitetit ekonomik në vend.

Duke monitoruar gjithnjë përshtatshmërinë e kushteve monetare me objektivin e saj të inflacionit, në këtë skenar zhvillimi, politika monetare e Bankës së Shqipërisë pritet të ruajë natyrën e saj stimuluese përgjatë vitit 2012.

KOMENTE