English

Berisha: AIDA, agjenci e standardeve evropiane, do të shndërrojë në zbatim vizionin për ekonominë

Tiranë, 3 janar, NOA – Sot nisi nga puna për herë të parë Agjencia Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA) një agjenci e ndërtuar mbi bazën e simotrave të saj në Europë dhe në mbarë botën. Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha u mblodh po sot për herë të parë bordi i kësaj agjencie, ku u emërua si drejtore ekzekutive Eneida Gura, që më parë drejtonte Qendrën Kombëtare të Licencimeve. Gjatë mbledhjes u prezantua edhe Statuti i Agjencisë dhe Struktura.

Duke i uruar të gjithë biznesmenëve shqiptarë, një vit sa më të mbarë kryeministri Berisha përmendi rishtas zhvillimet pozitive të ekonomisë shqiptare, e cila sikundër tha ai i rezistoi me sukses të plotë krizës ekonomike botërore.

“Për Shqipërinë, zhvillimi i shpejtë ekonomik është vendimtar në ndërtimet e së ardhmes dhe mendoj se ekonomia e këtij vendi, kaloi me sukses të madh, provën më të rëndë, me të cilën u përball ekonomia botërore dhe ajo evropiane, krizën e thelle financiare dhe ekonomike, krizë e cila u ndie sigurisht në ekonominë shqiptarë, por kjo mbeti dhe ruajti rritjen më të madhe në Europë. Ky sukses i saj, është para së gjithash rezultat i reformave të thella, për të zgjeruar liritë e këtij sektori, është rezultat i përmirësimit të djeshëm të rregullave të tregut dhe kjo, që Shqipëria sot, është qartësisht tjetër, është një përpjekje e madhe për zhvillim të shpejtë ekonomik, por Shqipëria duhet të bëhet një vend i zhvilluar”, tha shefi i qeverisë në këtë mbledhje të fillimvitit.

Shefi i ekzekutivit theksoi se kjo Agjenci, nuk merr pushtetin e agjencive të tjera, por ajo e ka fuqinë ekzekutive të bazuar në një ligj.

“AIDA”, u shpreh kryeministri, duhet të bëjë çdo gjë për të pasur, zbatuar dhe shndërruar në realitet një vizion më të qartë për zhvillimin e vendit, që ka jetike investimet në ekonominë shqiptare”.

Sipas kryeministrit është jashtëzakonisht e rëndësishme që të shqyrtohen aspektet burokratike, në mënyrë që të përmirësohet dhe më tej kuadri ligjor si dhe të aplikohen me guxim, të gjitha praktikat që kanë patur sukses në Europë e më gjerë.

Kryeministri Berisha nënvizoi se “Objektivi më kryesor i qeverisë, i shtetit, i shoqërisë në tërësi, është Shqipëria një vend i zhvilluar. Objektiv ambicioz, i vështirë, por plotësisht i arritshëm, po të kemi parasysh potencialet e jashtëzakonshme, që ky vend ka për tu shndërruar në vlera”.

Më tej shefi i qeverisë bën rishtas një bilanc të arritjeve të ekonomisë shqiptare të vitit që u mbyll duke theksuar faktin se viti 2010 u mbyll me një defiçit buxhetor prej 3.1 përqind , nga 4.5 përqind që ishte në fund të vitit 2009.

“Zhvillime pozitive janë në fushën e energjisë ku janë mbi 30 hidrocentrale që ndërtohen tërësisht mbi bazën e investimeve private, detyra jonë është jashtëzakonisht e rëndësishme, që ta shndërrojmë këtë institucion që themelojmë sot mbi bazën e ligjit që miratuam në parlament në një “One Stop Shop” në kuptimin figurativ për investitorët.

Të bëjnë studime dhe të përcaktojnë të gjitha ndërhyrjet favorizuese, lehtësuese që qeveria duhet të ndërmarrë. Të gjitha stimujt dhe inkurajimet që qeveria duhet tu bëjë sektorëve në përputhje me tregun dhe kërkesat e tij”, vlerësoi kryeministri.

mit/NOA

KOMENTE