English

Berisha: Rrugët e reja, themeli i ëndrrës “Shqipëria vend i zhvilluar”

Lezhë, 11 qershor 2011, NOA – Në vijim të turit të inaugurimit të rrugëve të reja në mbarë vendin, Kryeministri Sali Berisha udhëtoi sot drejt Lezhës, ku inauguroi rrugën Lezhë – Rrilë – Shënkoll, një investim i qeverisë me vlerë 2 milionë euro.

Rruga, e ndërtuar sipas standardeve evropiane i shërben një komuniteti prej 20 mijë banorësh, nga bashkia e Lezhës dhe komunat përreth.

Gjatë inaugurimit shefi i qeverisë e vlerësoi ndërtimin e rrugës së re si dëshmi të përpjekjes së qeverisë për të ndërtuar në çdo skaj të vendit Evropën që ëndërrojmë.

“Rruga dhe sistemi i ri rrugor që ne ndërtojmë përbën elementin më themelor në përpjekjen tonë për të realizuar një ëndërr fisnike, një ëndërr të merituar plotësisht: Shqipëria vend i zhvilluar”, u shpreh kryeministri Berisha.

Sipas tij Shqipëria vend i zhvilluar është ëndrra më e bukur për çdo shqiptar.

Kryeministri shprehu bindjen se kjo ëndërr do të bëhet realitet deri në vitin 2017.

Shefi i ekzekutivit premtoi se pas projektit të rrugëve, projekti i dytë i madh kombëtar do të jetë vaditja dhe subvencionimi masiv për çdo dru frutor që fermerët do të mbjellin.

“Ne do ta bëjmë Shqipërinë të njohur në Evropë dhe në mbarë botën për prodhimet e saj, si një dëshmi kjo e potencialeve të mëdha që ka ky vend, si një vendosmëri e jona për tu ndarë një herë e përgjithmonë nga varfëria e skamja, si një vendosmëri e jona për të ndërtuar për vete dhe fëmijët tanë Shqipërinë vend i zhvilluar”, tha kryeministri.

Më tej kryeministri Berisha u ndal dhe në zhvillimin e turizmit në vend që, sipas tij, brenda një periudhë të shkurtër është shndërruar në një degë kryesore të ekonomisë.

Zoti Berisha tha se potenciali turistik është potenciali më i madh që mund të ketë një vend.

“Janë rreth 400 kilometra bregdet, nga më të bukurat në Mesdhe, për tu zhvilluar. Janë masivet malorë, ndër më mahnitësit në Europë, me potencial të jashtëzakonshëm turistik. Por mbi të gjitha është mikpritja, shpirti juaj i bardhë, shpirti i bardhë i shqiptarëve që ka bërë që në një kohë rekord, prej 6 vjetësh, në këtë vend turizmi të shndërrohet në degë kryesore të ekonomisë; që numri i turistëve të rritet nga 300 mijë në 2004 në 3.5 milionë në vitin e kaluar dhe këtë vit të shpallemi destinacioni kryesor turistik i planetit”, ripërsëriti kryeministri.

Ai evidentoi se përtej potencialeve të jashtëzakonshme turistike, Shqipëria ka pasuri të pafundme natyrore, ku ai evidentoi burimet ujore në të katër anët e vendit, që sikundër premtoi do të shndërrohen në hidrocentrale, duke e bërë sipas tij, Shqipërinë vendin e parë me energji 100 përqind të rinovueshme.

mit/NOA

KOMENTE
  • sotir Labi18:00 - 11 Qershor 2011
    HITLERI SHQIPTAR TREGON PERRALLA.