English

Ditëlindja e PS, Rama: Ora e një udhëkryqi të vështirë

Tiranë, 12 qershor 2011, NOA – Në përvjetorin 20-të të ditëlindjes së Partisë Socialiste, Kryetari i saj Edi Rama deklaroi se ky përvjetor shënohet në një moment kur Shqipëria po shkon drejt të tatëpjetës.

Mes afro 800 të ftuarve, shefi i selisë rozë në fjalën e shkurtër përshëndetëse theksoi se është ora e një udhëkryqi të vështirë ku do të ndahet e sotmja nga e ardhmja e vendit.

E duke iu referuar faktit se PS, e mbi të gjithë lideri i saj Edi Rama ndodhet në pritje të vendimit të nesërm të Kolegjit Zgjedhor për Tiranën, shefi i PS-së nënvizoi se “Të tilla orë ku nuk maten thjesht palët, por e shkuara me të ardhmen vendi ynë ka patur shumë në kthesat e panumërta nga diktatura në demokraci”.

Këtu Rama theksoi se Partia Socialiste në këtë 20-vjetor të themelimit të saj ka të gjitha arsyet të ndihet krenare.

“Ne jemi parti që bëjmë gjënë e duhur për interesin kombëtar, që respektojmë të drejtat dhe liritë e shqiptarëve, që përpiqemi të ndërtojmë Shqipërinë evropiane”, tha Rama.

Sipas Ramës dritëhijet që kanë shoqëruar ngjitjen e PS-së dëshmojnë se në PS nuk ka munguar asnjëherë liria.

“Është pikërisht kjo përmasë që e bën të madhe edhe forcën tonë për t’i rezistuar sot sulmit ndaj lirisë”, nënvizoi ai.

Rama përshëndeti në mënyrë të veçantë njërin prej themeluesve të PS-së Dritëro Agollin, mikun e shtrenjtë të PS-së duke theksuar se në momentin e themelimit ai mbajti një fjalim shembull.

Mospërmendja e emrave të tjerë, ndoshta ishte një mënyrë për të mos atakuar aty emrin e liderit historik, Fatos Nano.

Rama në fjalën e tij të shkurtër shprehu mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata burra e gra që i kanë dhënë kontribut kësaj partie.

“Lejomëni që në fund të kësaj fjale të përshëndes të gjithë anëtarët, aleatët e PS-së, zgjedhësit, të cilët u shprehim sot mirënjohje e respekt për gjithë mbështetjen e dhënë”, tha Rama.

Mes afro 800 të ftuarve të Kryesocialistit Edi Rama për të festuar ditëlindjen e 20-të të PS-së, merrnin pjesë emra të njohur të kësaj partie, deputetë, përfaqësues të partive aleate, ambasadorë të akredituar në Tiranë, analistë.

Por, mungoi lideri historik i Partisë Socialiste Fatos Nano, dhe Ilir Meta, njëri prej themeluesve të saj.

mit/NOA

KOMENTE