English

Rozafati i demokracisë

Kundër vlerësimeve përgjithësisht negative, unë dua ta afirmoj një pikëpamje afirmative - vala e fundit e zgjedhjeve ndër shqiptarët ka qenë më e avancuar se kurdoherë më parë

Nga Shkëlzen Maliqi

Performanca demokratike e shqiptarëve në zgjedhjet vlerësohet përgjithësisht me nota të dobëta. Pas zgjedhjeve në Kosovë dhe Shqipëri (së fundit edhe në Maqedoni), dëgjohen kryesisht mendimet defetiste për zhvillimin e standardeve demokratike. Ndonëse për votuesit dhe vetë procesin e zgjedhjeve nuk ka vërejtje direkte - madje kjo pjesë e zgjedhjeve lavdohet - të gjitha fazat tjera, si puna e komisionerëve të partive, manipulimet me fletëvotimet dhe kutitë, procesi i numërimit, shpallja e rezultateve preliminare, ankesat, puna e autoriteteve zgjedhore, arbitrimi i instancave gjyqësore etj. vlerësohen si tejet problematike. Këto vlerësime negative shfrytëzohen nga opozita që të kontestojë hapur (në Shqipëri) ose me gjysmë goje (në Kosovë), legjitimitetin e zgjedhjeve. Kuptohet, mazhorancat e kanë mendimin e kundërt, se me zgjedhjet në Kosovë dhe Shqipëri gjithçka ka qenë në rregull dhe nëse ka pasur probleme, ato janë përmirësuar me mjete ligjore.

Këto perceptime të kundërta, ku zakonisht pritet që vlerësimin e fundit për performansën në përgjithësi ta japin faktorët ndërkombëtarë (e ato zakonisht nuk janë të prera dhe të padyshimta, por të balancuara), krijojnë atë ambient mjegullues që lë përshtypjen e parregullsive dhe jostabilitetit permanent, të një disfate si në mitin e Rozafatit, që demokracinë shqiptare e sheh të paaftë ta ndërtojë fortesën e saj, sepse “atë çka populli po e ndërton ditën, politikanët dhe mafia ekonomike po e rrënojnë gjatë natës”.

Demokracia shqiptare - është gjykimi më dominues, është një projekt që gjithnjë ngec, nuk po kryhet, nuk po i përmbush standardet… Dhe këto ngecje, dështime etj. ilustrohen me atë çka ndodhi në Kosovë: vjedhja e votës në disa komuna, zgjedhja dhe anulimi i Behgjet Pacollit për President etj. dhe me atë çka ka ndodhur dhe ende nuk e ka gjetur epilogun, në Tiranë.

Pa marrë parasysh se si do të vlerësohen nga të huajt, është nevojë legjitime që vlerësimi të bëhet edhe nga analitika vendore, kuptohet jo nga kutet e qasjeve partizane, por duke marrë parasysh peshën e fakteve në ecurinë e përgjithshme të procesit demokratik.

Kundër vlerësimeve përgjithësisht negative, unë dua ta afirmoj një pikëpamje afirmative, se vala e fundit e zgjedhjeve ndër shqiptarët ka qenë më e avancuar se kurdoherë më parë.

Kuptohet, e di se në zgjedhjet në Kosovë dhe Shqipëri ka pasur shumë probleme (në Maqedoni problemet janë të natyrës tjetër) dhe kontestime serioze, por mua më duket se mu në trajtimin dhe “shërimin” e këtyre problemeve duhet kërkuar faktorët kryesorë të avancimit të demokracisë. Kjo qasje mund të duket paradoksale, sepse edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri (më saktë, Tiranë), zgjedhjet kanë përfunduar “në tavolinë”. Zgjedhja në tavolinë a priori po konsiderohen si diçka e keqe dhe jodemokratike, ndonëse ajo është pjesë e pandashme e sistemeve zgjedhore. Edhe në demokracitë e avancuara ndodhin problemet e njëjta ose të ngjashme, që pastaj kërkojnë tavolinën, përkatësisht kolegjet zgjedhore apo gjykatat, të cilave kodet zgjedhore dhe kushtetutat ua japin fuqinë e arbitrimit për problemet dhe kontestet.

Me këtë që po them nuk po i amnistoj ose anashkaloj abuzimet dhe përgjegjësitë e mazhorancës dhe të opozitës në Kosovë dhe Shqipëri, që është temë në vete, por dua të theksoj faktin se sistemet elektorale ishin në gjendje që të identifikonin dhe korrigjonin, përkatësisht arbitronin problemet që janë paraqitur gjatë zgjedhjeve. Përsëritja e zgjedhjeve në pesë komuna të Kosovës, identifikimi i komisionerëve dhe përgjegjësve të partive që kanë abuzuar me votën (kjo është diçka që patjetër duhet të procedohet më energjikisht nga prokuroritë!), arbitrimi suprem i Gjyktës Kushtetuese për rastin Pacolli (personalisht kam vërejtje për interpretimin e neneve të Kushtetutës, por jo edhe edhe për verdiktin; Gjykata Kushtetuese e dha fjalën e fundit për çështjen, dhe pikë!) – të gjitha këto procedime janë avancime praktike dhe teorike të demokracisë.

Ende e kemi të freskët rastin kur në Shtetet e Bashkuara “tavolina” vendosi se kush do të jetë President, George Bush apo Al Gore. Në këtë rast kanë qenë kontestuese disa qindra vota në shtetin e Floridas. Gjykata Supreme e Amerikës e ka pasur në atë rast fjalën e fundit dhe ia konfirmoi fitoren Bushit.

Në rastin e Tiranës, sot më 13 qershor, mbase do të përfundojë saga e vogël e zgjedhjes së kryebashkiakut, ku diferenca e votës mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ka qenë aq e vogël, në të dy variantet e pretenduara që i ka trajtuar KQZ-ja dhe së fundit Kolegji Zgjedhor, sa që ky është një fenomen thuajse i papërsëritshëm. Mund të kontestohet procedura dhe arbitrimi i vendimmarrjes në Tiranë, por jo edhe verdikti, ajo fjalë e fundit që rrumbullakëson procesin demokratik. Ky proces mund të shqyrtohet për herën tjetër, nëse ka nevojë për sqarime dhe përmirësime, por loja duhet të ketë një fund sipas procedurës ligjore.

Pasi që Gjykata Supreme e pat shpallur Bushin fitues, Al Gore menjëherë pranoi verdiktin, ndonëse ishte një lloj “fituesi moral”, pasi që në total kishte më shumë vota se Bush, por nuk kishte sa duhet “vota elektorale” sipas shteteve. Gore e humbi Floridën dhe me këtë edhe garën për presidencë.

Kurora e procesit zgjedhor është njohja e rezultatit. Dikush duhet të jetë fitues dhe tjetri humbës. Me njohjen e fitores, afirmohet edhe humbësi, sepse Tirane gjithsesi del e ekuilibruar.

Fortesa e demokracisë në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, duhet ta tejkalojë kompleksin e Rozafës. Këto zgjedhje, nëse nuk kanë dëshmuar përfundimin e ndërtimit të kalasë, ia kanë shtuar edhe një bedem procedural, por edhe praktik, për fortesën e demokracisë. Për mua ky është fakti që dëshmon avancimin esencial të demokracisë paralamentare ndër shqiptarët.

KOMENTE