English

Reagon PD: Rama presion gjyqtarëve që të shpallin atë fitues

Tiranë, 5 korrik 2011, NOA- Vetëm pak pas deklaratës së kryesocialistit Edi Rama ka reaguar Partia Demokratike nëpërmjet kryesueses së listës së këshilltarëve bashkiak për Tiranën, Jorida Tabaku.

Gjatë fjalës së saj Tabaku tha se, “Edhe sot z.Rama vazhdoi avazin e tij të vjetër. 24 orë para se Kolegji Zgjedhor të japë vendimin në lidhje me kërkesën që ai vetë ka bërë, z.Rama i kërkon gjyqtarëve të vendosin vetëm atë që ai vetë dëshiron. Ky presion i radhës ndaj institucioneve të pavarura, është i papranueshëm dhe tregon qartë se është z.Rama që ka mbyllur veshët dhe sytë, duke humbur fillin me realitetin”.

Më tej ajo tha se, Rama ka mbyllur veshët dhe sytë para qytetarëve, të cilët u shprehën me zërin e tyre në zgjedhjet më të ndershme dhe më transparente të bëra ndonjëherë në Shqipëri.

Ndërkaq ajo shtoi se mbyllja e syve dhe veshëve nuk është bërë vetëm para qytetarëve por edhe para komunitetit ndërkombëtar, të cilët vazhdimisht dhe pa asnjë mëdyshje janë shprehur se të gjithë palët duhet të presin me qetësi dhe maturi përfundimin e procesit, dhe të respektojnë vendimin e institucioneve të pavarura.

Në emër të Partisë Demokratike ajo përshëndeti faktin se në kryeqytet fitoi demokracia, ku, pas një procesi ligjor dhe transparent u dëgjua zëri i të gjithë qytetarëve dhe u numërua çdo votë dhe se në përfundim të këtij procesi, rezultoi se më shumë qytetarë kanë vendosur që Lulzim Basha të jetë kryebashkiaku i ardhshëm.

Tabaku theksoi se, në një proces demokratik, janë qytetarët ata që vendosin se kush fiton në zgjedhje dhe jo politikanët dhe axhenda e tyre personale.

“Përse pas numërimit të çdo vote z.Rama kërkon të nxjerrë antikushtetuese votën e qytetarëve? Përse kërkon z.Rama të shpallë antikushtetues zërin e qytetarëve? Përse me 14 maj z. Rama e shpalli veten fitues me 10 vota, dhe tani që zëri i 250 mijë qytetarëve të Tiranës u dëgjua, kërkon të anulojë zgjedhjet? Përgjigja është e thjeshtë. Sepse prej dy vitesh ai kërkon atë që qytetarët nuk ia japin”, përmbylli fjalën e saj Jorida Tabaku.

a.y/NOA

KOMENTE