English

Basha fitues, Kolegji rrëzon edhe kërkesën e Partisë së Pensionistëve

Tiranë, 8 korrik 2011, NOA- Kolegji Zgjedhor pas rrëzimit të kërkesës së Partisë Socialiste, ka rrëzuar pak më parë edhe kërkesën e Partisë së Pensionistëve.

Kolegji Zgjedhor në dhënien e këtij vendimit e arsyetoi atë duke thënë se ankimimi i Partisë së Bashkimit Popullor të Pensionistëve ishte i pabazuar në ligj.

Partia e Pensionistëve me kërkesën e saj pretendonte pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe ribërjen e tyre, çka duket tashmë se kandidati demokrat Lulzim Basha është zyrtarisht në krye të Bashkisë së Tiranës.

Më herët gjatë ditës së sotme Kolegji Zgjedhor rrëzoi edhe kërkesën e Partisë Socialiste, në të cilën kërkohej pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që shpalli Lulzim Bashën fitues në kryeqytet me 93 vota në avantazh ndaj Edi Ramës.

Padia e Partisë Socialiste kërkonte që Kolegji Zgjedhor të detyronte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të merrte në shqyrtim kërkesën e saj për pavlefshmëri.

Ndërkaq nuk dihet ende se cila do të jetë rruga që do të ndjekë Partia Socialiste, pasi në kundërshtim me herët e tjera gjatë ditës së sotme nga ana e selisë rozë nuk është lëshuar asnjë deklaratë dhe për më tepër nuk është dhënë asnjë detaj lidhur me rrugën e mëtejshme të kësaj partie.

Nga ana e tij Kolegji Zgjedhor pritet të zbardhë vendimin e tij ditën e martë për shkak të respektimit të afatit dhe se ditët në vijim janë pushim, por pas kësaj vendimi pritet që Lulzim Basha të ulet në karrigen e kryebashkiakut të Tiranës për të qeverisur kryeqytetin.

a.y/NOA

KOMENTE