English

“Mbeten në vjeshtë?”, Presidenti nuk ka dekretuar ende ndryshimet në qeveri

Tiranë, 21 korrik 2011, NOA – Kur sot mblidhet seanca e fundit plenare e Kuvendit për këtë sesion parlamentar, dy emrat e rinj të ministrave të kabinetit Berisha ende nuk janë dekretuar nga Presidenti i Republikës.

Dy emërimet e reja për postet e mbetura vakante, përkatësisht Eduard Halimi si Ministër i Drejtësisë dhe Aldo Bumçi si Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pritej të miratoheshin sot në seancën e përmbyllëse të këtij sesioni parlamentar.

Por, dekretimi i dy ministrave të rinj të propozuar nga kryeministri Sali Berisha dy ditë më parë nuk është firmosur ende nga Kreu i Shtetit.

Nuk dihet ende arsyeja e mosdekretimit, kur pritej që emrat e Halimit dhe Bumçit të dekretoheshin nga Presidenti Topi një ditë më parë.

Sipas analistëve ky bllokim është i qëllimshëm nga Presidenti Topi, si reagim ndaj sulmeve që kryeministri Berisha dhe anëtarë të tjerë të lartë të PD-së kanë ndërmarrë ndaj Kreut të Shtetit, i cili ka qenë edhe numri dy i Partisë Demokratike përpara se të zgjidhej President me propozimin e PD-së në vitin 2007.

Sipas gjasave, në rast se nuk dekretohen paraditen e sotme, emrat e ministrave të rinj do të dekretohen në shtator e po kështu edhe momenti kur ata do të ulen në vendet vakante të dikastereve të Drejtësisë dhe Turizmit do të jetë muaji shtator, atëherë kur do të nisë edhe sesioni i ri parlamentar.

Dy emrat e rinj të kabinetit të qeverisë Berisha, Eduard Halimi dhe Aldo Bumçi u përzgjodhën për të plotësuar vendet e mbetura vakante pas zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Kryeministri Sali Berisha firmosi të martën emërimin e Eduart Halimit si ministër i Drejtësisë që pason në këtë post Bujar Nishanin, i dërguar më parë në postin e Ministrit të Brendshëm pas kandidimit të Lulzim Bashës për kreun e bashkisë së Tiranës, dhe Aldo Bumçin si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili pritet të ulet në vendin e mbetur vakant pas kandidimit të ish-ministrit Ferdinand Xhaferraj, në garën për kreun e bashkisë së Durrësit, një garë e humbur nga Xhaferraj.

mit/NOA

KOMENTE