English

Aktet terroriste në Norvegji, vrasësi i Utoya-s Breivik del sot në gjyq

Oslo, 25 korrik 2011, NOA – Tri ditë pas masakrës në ishullin Utoya dhe sulmit me bombë në zemër të kryeqytetit të Norvegjisë, Oslo, vrasësi mostër që mori brenda vetëm 90 minutash jetën e 93 personave do të përballet sot me seancën paraprake gjyqësore kundër tij ku pritet të japë shpjegime për arsyet e masakrës.

32-vjeçari Anders Behring Breivik, i cilësuar si vrasësi mostër më i madhi që nga lufta e dytë botërore, do të gjykohet për vrasjen e 93 personave të premten e 21 korrikut përmes sulmit vrastar në Oslo dhe masakrës në ishullin norvegjez Utoya, ku vrau gjakftohtë të paktën 85 persona, përfaqësues të rinisë laburiste.

Daljen në gjyq të Breivik e deklaroi shefi i policisë së Oslos, Sveinung Sponheim, i cili theksoi se “Breivik do të dalë në gjyq të hënën, dhe do të jetë trupi gjyqësor që do të vendosë masën provizore të sigurisë ndaj tij”.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i vrasësit Breivik tha për mediat se ekstremisti i djathtë Anders Behring Breivik dëshiron të jetë i pranishëm në gjyq, duke saktësuar se ai ka kërkuar një proces të hapur publik.

Vrasësi që shokoi Norvegjinë Anders Behring Breivik pranoi përgjegjësinë për aktet terroriste duke deklaruar në polici se ai i ka kryer i vetëm dhe i ka planifikuar i vetëm dy aktet terroriste si sulmin me bombë në Oslo ashtu edhe masakrën në ishullin Utoya.

Policia liroi dje gjashtë personat e tjerë të dyshuar për sulmin në Oslo, por autoritetet i tremben faktit se pas vrasësit mostër fshihet një rrjet i tërë mbështetësish, që mund të shkaktojnë akte të tjera dhune e terrori në Norvegji.

Sulmi i dyfishtë që shokoi Norvegjinë të premten u cilësua nga kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg si tragjedi kombëtare.

Ndërkohë bota mbarë mësoi për skenarin terrorist të ekstremistit norvegjez përmes manifestit 1500 faqësh, ku shpërfaqej çmenduria vrastare e Anders Behring Breivik, një kryqëzatë e frikshme nën pretendimin e shpëtimit të kristianizmit europian.

mit/NOA

KOMENTE