English

Betohet sot kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha

Tiranë, 25 korrik 2011, NOA – Lulzim Basha do të ulet sot në karrigen e ish-kryebashkiakut Edi Rama, i cili udhëhoqi për 11 vjet apo tre mandate radhazi bashkinë e Tiranës.

Kryebashkiaku i ri i kryeqytetit do të betohet mesditën e sotme në mbledhjen e parë të këshillit të ri të Bashkisë së Tiranës, i dalë nga zgjedhjet vendore të 8 majit.

Mandej për lidershipin e ri të bashkisë së Tiranës nis një tjetër epokë me qeverisjen e kryeqytetit, e cila pas 11 vitesh e drejtuar nga ish-kryetari socialist Edi Rama, njëherësh kryetar i opozitës i rikthehet për mandatin 4-vjeçar në vijim demokratëve.

Fitorja e Lulzim Bashës në krye të bashkisë së Tiranës u bë realitet pas një sage ligjore, ku vulën për fitoren e vuri Kolegji Zgjedhor, i cili rrëzoi kërkesë-padinë e fundit të opozitës për pavlefshmëri të zgjedhjeve duke shpallur kështu Lulzim Bashën si lidershipin e ri të bashkisë së kryeqytetit.

Mbledhja e lajmëruar për në orën 11.00, do të nisë fillimisht me verifikimin e mandateve të 55 anëtarëve të Këshillit, të cilët më pas do të betohen dhe do të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarin e këshillit.

Gjatë mbledhjes së sotme do të zgjidhen edhe anëtarët e këshillit komunal apo bashkiak në këshillin e qarkut.

Në zgjedhjet administrative të 8 majit, koalicioni qeveritar “Aleanca për Qytetarin” siguroi mazhorancën e vendeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës kundrejt koalicionit opozitar “Aleanca për të Ardhmen”.

“Aleanca për Qytetarin” fitoi 28 këshilltarë, ndërkohë që “Aleanca për të Ardhmen” 27 këshilltarë.

Përkatësisht brenda koalicionit “Aleanca për Qytetarin” ka fituar 19 këshilltarë; 5 këshilltarë LSI, 2 këshilltarë PDIU; 1 këshilltar PR dhe 1 PLL.

Ndërsa në koalicionin “Aleanca për të Ardhmen” 25 këshilltarë i takojnë PS-së; 1 këshilltar PDS-së dhe 1 këshilltar PSV 91.

Nga ky konfigurim merret me mend se PD dhe LSI dy partitë kryesore të koalicionit qeverisës pritet të marrin vendet kyç në Këshillin Bashkiak.

mit/NOA

KOMENTE
  • Hasan Skenderaj08:25 - 25 Korrik 2011
    ne djall