English

Kontrabanda, Thaçi: U eliminua 100%, Eulex të respektojë Kushtetutën

Prishtinë, 29 korrik 2011, NOA - Një ditë pas vendimit të Këshillit të Siguritmit të OKB-së, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi mblodhi kabinetin qeveritar për të dhënë sqarime shtesë, lidhur me situatën në veri pas ndërhyrjes në pikat kufitare.

“Kemi pasur qëndrime ilegale të zyrtarëve politikë serbë në Kosovë, do të jemi të vendosur që qëndrimin e tyre ta trajtojmë në bazë të Kushtetutës dhe ballafaqimin e tyre me rendin dhe ligjin. Ndërsa çështjen e pikave kufitare nuk do ta negociojmë me askënd. Nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është hapur kapitulli i ri për funksionimin e sovraniteti dhe askush nuk kanë të drejtë të ulet dhe të diskutojë në emër të Kosovës çështjet e brendshme të saj”, deklaroi kryeministri kosovar përpara ministrave të tij. Ai tha se me këtë veprim është ndalur 100 % kontrabanda në atë pjesë të vendit. Po ashtu kryeministri Thaçi ka folur edhe për qëndrimin e politikanëve serbë gjatë këtyre ditëve në veri. Thaçi paralajmëroi ata se janë duke qëndruar ilegalisht në Kosovë, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të ballafaqohen me ligjin.

“Ajo çka është më e rëndësishmja, është fakti që për herë të parë pas 12 vjetësh ne kemi arritur që të ndalojmë kontrabandën, pothuajse 100 për qind, në pikën kufitare 1 dhe 31. Për herë të parë pas 12 vjetësh kemi arritur që me vendimin e Qeverisë, me mbështetjen e NATO-s, të instalojmë policinë kufitare dhe doganierët në pikën 31, dhe në pikën 1 të bllokojmë kontrabandën. As edhe një makinë nuk mund të hyjë pa kontroll të plotë dhe respektim të plotë të rregullave dhe normave të Policisë së Kosovës dhe doganierëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Kreu i Qeverisë së Kosovës kërkoi nga EULEX-i, që të ndihmojë institucionet për të vënë rend dhe ligj, sipas tij për këtë edhe janë ftuar ndërsa ndihma është obligim i tyre.

a.q/NOA

KOMENTE