English

Thaçi: Dëshirojmë fqinjësi të mirë me Serbinë, por secili Zot në shtëpinë e vet

Prishtinë, 29 korrik 2011, NOA- Në mbledhjen e sotme të qeverisë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vëmendjen kryesore e përqendroi në zhvillimet në veri të vendit.

Që në hyrje të fjalës së tij, Thaçi tha se, Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për aplikimin e masave të reciprocitetit për mallra që janë importuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sipas tij, ky vendim është respektuar në të gjitha pikat kufitare të Kosovës, me përjashtim të pikave 1 dhe 31 në veri të vendit, ku nga njerëzit e instaluar aty kanë refuzuar që të zbatojnë vendimin për ndalimin e mallrave nga Serbia.

Më tej ai shtoi se, Policia e Kosovës ka filluar operacionin dhe pas përfundimit me sukses Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë tërhequr dhe tani Policia kufitare, doganierët janë vendosur në pikën 31, njëkohësisht edhe në pikën 1.

Thaçi tha se, Qeveria e Kosovës edhe njëherë për këto zhvillime të dhunshme e bën përgjegjës direkt politikën zyrtare të Beogradit dhe zyrtarët e saj të futur ilegalisht në Republikën e Kosovës.

“Aktualisht pika 1 është e djegur dhe dëmtuar në masë të madhe. Është në kontroll të plotë të NATO-s dhe është e mbyllur për qarkullimin e mallrave, ndërsa lëvizin vetëm makinat e vogla dhe qytetarët. Është një kontroll i rreptë në hyrje-dalje nga Kosova, një kontroll i rreptë të makinave për armatim dhe çështje tjera. Ndërsa, pika 31 është e mbrojtur nga forcat e KFOR-it, dhe është funksionale, aty është Policia e Kosovës dhe doganierët e Kosovës. Edhe në këtë pikë është duke funksionuar në përpikëri vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitet”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ai shtoi se, për herë të parë pas 12 vjetësh u arrit që të ndalohet kontrabanda 100 për qind në pikën kufitare 1 dhe 31, madje shtoi më tej se nga ana e Kosovës nuk do të bëhet as edhe një hap prapa, duke e cilësuar këtë si fazën e parë të implementimit të vendimit për vënien e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Sakaq kryeministri Thaçi tha se, “Nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është hapur kapitulli i ri i sovranitetit të plotë në Republikën e Kosovës. Dhe, askush me këta zyrtarë ilegalë të Serbisë, qofshin diplomatë apo zyrtarë tjerë ndërkombëtarë nuk kanë të drejtë të ulen dhe të diskutojnë në emër të Kosovës. Për Kosovën dhe çështje të brendshme të rregullimit të Kosovës mandatin e kanë vetëm përfaqësuesit e Kosovës për kontakte e biseda me zyrtarët e shteteve fqinje. Ne vlerësojmë, se qëndruarit e zyrtarëve serbë në Kosovë është një qëndrim ilegal, inspirim dhe mbajnë përgjegjësi direkte për vrasjen e policit të njësisë speciale, për nxitjen e dhunës, për përkrahjen e plotë të djegies se pikës kufitare 1 dhe për përkrahje të plotë të militantëve dhe paramilitarëve në atë pjesë të Republikës së Kosovës, që qëndrojnë në forma të ndryshme ilegale dhe gjysmëilegale. Por institucionet e Kosovës janë të vendosura që të ballafaqohen me këto grupe kriminale”.

Në këtë linjë ai theksoi se në të ardhmen e Kosovës do të mbizotërojë rendi demokratik, sundimi i ligjit dhe jo qasja e së kaluarës.

Në vijim ai ngulmoi në faktin se askush nuk duhet të mendojë se mund të dialogojë për çështje e brendshme të Kosovës, madje tha se me askënd nuk do të negociohet, nuk do të bëhet kompromis për sigurinë e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu Thaçi shtoi se Kosova dëshiron fqinjësi të mirë me Serbinë, si me të gjitha vendet tjera të rajonit, por secili është Zot në shtëpinë e vet.

Ai ritheksoi edhe njëherë se dialog për fqinjësi të mirë, do të ketë, duhet të ketë, por në Bruksel. Sipas tij lipset dialog me axhendë të paraparë nga BE, të mbështetur nga SHBA, e në asnjë rrethanë dhe në asnjë kohë me zyrtarët që qëndrojnë në mënyrë ilegale në Kosovë.

a.y/NOA

KOMENTE