English

Raundi i dytë i zgjedhjeve, 10 njësi vendore nesër votojnë

E shtunë, 30 korrik 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 majit dhe nxjerrjes së krerëve të bashkive dhe komunave, nesër drejt qendrave të votimit pritet të drejtohen edhe dhjetë njësi të tjera vendore.

Siç është njoftuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe pas vendimmarrjes së tij, në 31 korrik ose thënë ndryshe ditën e nesërme 10 njësi vendore dhe qytetarët e tyre do tu drejtohen qendrave të votimit.

Ashtu si dhe në zgjedhjet e tjera sot kandidatët e këtyre njësive janë në heshtje zgjedhore, ndërsa vetëm nesër do të merret vesh se kush nga kandidatët e 10 komunave do të fitojë mandatin për qeverisjen në katër vitet e ardhshme.

Sakaq mësohet se komunat ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme janë komunat Shllak, Shalë, Komuna Qendër-Skrapar, komuna Armen, Pishaj, Mollas, Paper, Zall-Dardhë, Kolsh dhe Finiq.

Përsëritja e këtyre vjen pasi në tre prej këtyre komunave në Shllak, Pishaj dhe Mollas votimi nuk u krye fare ndërsa në 7 të tjerat ato u cilësuan si të pavlefshme si nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe nga ana e Kolegjit Zgjedhor si organi më i lartë që merret me gjykimin e problemeve zgjedhore.

Nga zgjedhjet e 8 majit ndonëse dalja e fituesve të bashkive dhe komunave të tjera ishte më e lehtë, gara e kryeqytetit vetëm pak ditë më parë u vulos, duke nxjerrë fitues pas një sërë betejash qytetarin e parë të Tiranës, Lulzim Basha.

a.y/NOA

KOMENTE